Nga Isak Ramadani -VOA – Shkup
Ministri në detyrë i Punëve të jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj vizitoi Shkupin ku zhvilloi takime me kolegun e tij Nikolla Dimitrov dhe me zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë e me drejtues të partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Ministrat Cakaj dhe Dimitrov biseduan për bashkëpunimin në lidhjet infrastrukturore në mes dy vendeve dhe në fushën e kulturës, si dhe mbi zhvillimet aktuale në rajon.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë që këtë qershor të marrin datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë, Shkupi është mirënjohës që Shqipëria ishte ndër vendet e para që e ratifikoi Protokollin e NATO-s për anëtarësimin e vendit fqinj në Aleancë.
Zoti Cakaj tha se Shqipëria ka mbështetur përmbajtësisht Marrëveshjen e Prespës si një shembull frymëzues i zgjidhjes së çështjeve të trashëguara nga historitë e problemeve të hapura:
“Padyshim, pjesë e këtij suksesi janë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët nga Marrëveshja e Ohrit dhe deri tek Marrëveshja e Prespës kanë dhënë një kontribut të patjetërsueshëm si faktor shtetformues dhe evropianizues për vendin. Si mbështetës të këtij procesi, ne besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë së Verut në NATO dhe progresi i përbashkët në rrugëtimin për anëtarësimin në BE është një vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit në përgjithësi, të kultivimit të paqes e stabilitetit dhe fuqizimit të bashkëpunimit ndëretnik e ndërshtetëror, në veçanti”.
Ministri maqedonas Dimitrov tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një vizion të përbashkët evropian për rajonin, teksa la të kuptohej se në takim ishte biseduar për bashkëpunimin edhe në fusha të tjera, para së gjithash në kontekst të Korridorit 8, për lidhjen infrastrukturore rrugore dhe energjetike. Ai bëri të ditur se së shpejti do të nënshkruhet një memorandum për hapjen e Qendrave kulturore të dy vendeve në kryeqytetet respektive.
“Biseduam për atë se si ky vit të jetë vit i rezultateve dhe i suksesit. Folëm edhe për një nga urat e afërsisë dhe miqësisë dhe ky është komuniteti i rëndësishëm shqiptar në shtetin tonë dhe pakica maqedonase në Republikën e Shqipërisë”, tha ministri Dimitrov. “Shumë do të dëshironim që në muajin qershor të kemi shkas për gëzim të përbashkët”, theksoi ai në lidhje me pritjet për datën e fillimit të bisedimeve me BE-në.
Dy ministrat thanë se vendet e tyre me një kujdes të veçantë i ndjekin zhvillimet midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Shqipërisë i takon ta mbështesë pozicionin e Kosvës në këtë proces. Ne kemi një rol mbështetës ndaj marrëveshjes për normalizimin (e raporteve) midis Kosovës dhe Serbisë. Konsiderojmë se çfarëdo marrëveshje duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë dhe të sigurojë të ardhme evropiane dhe një ulëse në OKB për Kosovën; Ndërkohë që përmbajtja e marrëveshjes dhe diskutimet tjera natyrisht duhet të konsumohen në hapësirën institucionale në Kosovë dhe mua nuk më takon të jap një përgjigje më thelbësore për këtë çështje”, u përgjigj Z. Cakaj në pyetjet e gazetarëve.
“Ka dy elemente kyçe se si nga ana maqedonase e shikojmë këtë çështje: mbështesim një zgjidhje me të cilën do të pajtohen edhe Beogradi edhe Prishtina. Kjo është elementare sepse problemi qëndron atje. Dhe elementi i dytë, që po ashtu është i rëndësishëm: një zgjidhje që do t’i kontribuojë qëndrueshmërisë rajonale dhe vizionit që i gjithë rajoni të shkojë drejt Evropës”, u përgjigj ministri i jashtëm maqedonas Dimitrov.