Jam kategorikisht kundër dhunës në ushtrimin e të drejtës qytetare të protestës. Një lule s’duhet shkelur. Një xham nuk duhet thyer.
Mbrëmë (26 shkurt), pak pas orës 19.00, u ndodha në Rrugë të Barrikadave, te kullat nëntëkatëshe. Nisën me më djegë sytë, më rrodhën lotë, edhe fyti po më digjte. Këqyra rrotull: kalimtarët mbulonin gojën me dorë, fshinin sytë, iknin, iknin. Më kapi veshi copa fjalësh: gaz, policia, parlamenti, helmues. Një grua me karrocë foshnjeje mallkoi nëpër dhëmbë, hoqi shallin dhe mbuloi fytyrën e fëmijës, mori me vrap drejt trenit. Aq u tremb, sa kaloi me dritë të kuqe, vetëm Zoti e mbrojti nga makinat.
U qartësuan zërat: policia ka hedhur gaz, kushedi çfarë gazi, te Kuvendi!
A thua? Policia është fytyra e shtetit.
Ka mbi tre muaj që jelekverdhët në Francë thyejnë, djegin, shkatërrojnë Parisin. Dhe me radhë qytetet franceze. Kemi parë në ekrane si e dhunojnë deri për vdekje policinë, që mbron rendin kushtetues, pronën publike. S’kemi parë në asnjë rast policinë franceze kah dhunon protestuesit me kurrfarë gazi. Dje ndodhi në Tiranë!
Franca është shtet demokratik.
Qeveria franceze nuk është prodhim i votës së blerë. Është fryt i votës së lirë.
27 shkurt 2019