E shoh Atdheun me sytë e mi,
në lartësi
duke u ngritur,
e herë në rrëpirë
dukë rënë,
krejt si një uragan i pabindur,
që mes tallazeve çan.

E shoh Atdheun me sytë e huaj,
jetim të mjerë që rrokulliset,
prej malit në det,
përbaltur në fytyrë e duar,
pa të drejtë.

Ej Atdhe,
dallgë që rritesh vetë
nëpër ujë,
sa ta marrësh fluturimin
e të ngjitesh mbi retë,
shkelmin ta japin të huajt
dhe lakenjt.

Po ti s’ulesh,
dallgë e përjetshme dashurie,
që dhimbja të ngre
deri te ne,
e s’të lëmë më të biesh.

Mblidhemi rreth teje,
e të peshojmë me duar,
Dhé i rëndë ndër thonj.
Të mbajmë në shpirt
sa të duash,
sa të këputësh zinxhirë e vargonj.

Të falim kohë sa të duash,
sa të gjesh një burim
me ujë të qartë,
e të kesh mundësi të lash duart,
e nga fytyra që ta nxinë lakenjt
të heqësh baltë.