Jeta nuk është lojë shahu

Unë gur shahu mund të jem,si ti e shumë tjerë.
Ndoshta mund të më rrëzosh e unë të rrëzoj dikë tjetër.
Por loja e fatit nuk fitohet nga të gjithë, vetëm se rrëzuam dikë.
Duhet të qëndrosh në këmbë e të bëhesh mbret i vetvetes.

Dikush mund të mendoj se jeta është një lojë shahu me rregulla që mësohen.
Se mund të fitosh nëse ke luajtur shpesh herë.
Por fitorja nuk i takon fitores ndaj sa rrëzojmë.
I takon vetëm ringritjes nga vetrrëzimi i vetvetes.

Një lojë shahu luhet nga dy e secili kërkon fitoren.
Jeta luhet nga shumë që lënë gjurmën në shpirt.
Por fitorja i takon vetëm atij që s’i shmanget rrëzimit,
atij që pas çdo rrëzimi ringrihet më i sigurtë në shpirt.


Si një flutur nate

Nata e gjatë ,një errësirë e paanë.
Mendimet të pafundme,
të bujshme ,si përherë.
Shiu litar që zgjatet e zgjatet.
Hëna dhe yjet fshihen,
diku,pas një reje të zezë .

Bota tashmë fle.
Unë jam akoma zgjuar.
Në cep të ballkonit si një flutur nate endem mendimeve .
Shkruaj për jetën,
për ditën që edhe sot më lodhi,
për shpirtin që asnjë s’m’a njohu vërtet.

 

Të mos bëhem shkak i një brenge

Sa shkela në këtë botë filluan të më thyejnë shpirtin.
Mbaj mend çdo imtësi ,qysh sa mbaj mend vetveten.
Sa herë mundohesha ta rimblidhja ,aq herë m’a rithyenin,
sa erdhi një çast që fillova të mendoj se gjithçka kish të bënte me forcën e shpirtit
dhe çdo thyerje ish një rindërtim i ri.
I zbrita menjëherë muret e shpirtit
dhe lashë çdo goditje të më përshkojë çdo grimcë të tij.
Në fund të çdo thyerje mblodha grimcat që ndriçonin.
I vura në vendin e tyre e më nuk m’u thyen.
Tashmë s’më bën përshtypje asgjë sa ndjej nga të tjerët.
Kujdesem të mos lëndoj njeri,
të mos bëhem shkak i një dhimbjeje,
të mos shuaj buzëqeshje nga shpirti,
të mos bëhem shkak i një brenge .

 

jo është e vërteta që pak e gjejnë

Aty ku shkel, kam kohë që kam kaluar.
Mundohesh mes njerëzve të gjesh të vërtetën.
Mendon se vërtet jeton.
Gëzimin e jetës e ndan me të tjerë.
Pret të t’përgëzojnë.
Unë, në të njëjtin monopat,pak më parë se ti kalova
por s’më mjaftoi sa pashë.
Në atë udhë fshihet një dilemë.
Duhet të ndash mendimet :
në ato që të shqetësojnë
dhe ato që mbajnë shpirti të qetë.
Midis tyre një udhëkryq të bën të gjesh apo humbasësh vetveten .
Nëse shkel pragun e mendimeve mund të ngurosh.
Nëse fillon e ndjen ,do gjesh të vërtetën.
Atëherë fillon udhëtimi yt i vërtetë.
Do kuptosh se sa dije janë të pamjaftueshme për të vërtetën.
Ajo vetë do të mençuroj për sa kohë i beson dhe i ndjek hapat.
Pikërisht,aty do gjesh vetveten,
jo atë që mendoje se njeh.
Një vetvete që të bën të kuptosh njerëzit
e më nuk do të nevojitet të mundohesh t’u tregosh se cila je.
Në fytyrë do kesh të shkruajtur dritën e vetgjetjes,
një dritë që i fal fytyrës sy të dhembshur dhe buzëqeshje të pafajëshme.
Atëherë do ndjesh se jeton vërtetë,
kur shpirtrat e njerëzve do i ndjesh se rahin si një zemër brenda shpirtit tënd.
Ajo është e vërteta e vërtetë.


Në lojën e jetës

Shpesh herë mendoj se durimi im i çeliktë më bën një “gurë shahu”.
Në lojën e fatit i ndjej të ashpra e të pamëshirëshme goditjet në shpirt.
Ligësia e mosmirënjohja e shpirtrave që akoma s’njohin vetveten me durimin tim ndeshen;
Godasin me pabesi,egoizëm e bukëshkalësi!
Vjen një çast që gjithë ajo ligësi u thyen vetveten.
Kur më shikojnë në sy dhe kuptojnë se më dhimbsen vërtet,dorëzohen.
Përpara durimit dhe dhembshurisë sime si në pasqyrë shikojnë vetveten që nuk i lash ta humbin.
Pendohen edhe pse me zë se thonë ,
por u shikoj një dritë që sapo u ndizet në sy!
U mbetet peng në shpirt sjellja e tyre ndaj meje.
Edhe vetë nuk mund ta kuptojnë si munda e i durova kaq shumë.
Para syve të mi rilind drita e shpresës në shpirtin e tyre
e unë harroj dhimbjen që më shkaktuan e i fal në sekondë.
Ku të jeni ato çaste të shikoni si u ndryshon fytyra!
Pafajësia rikthehet në çastin kur i fal me gjithë shpirt.
Një buzëqeshje fëminore buis mbi fytyrën e rilindur
e unë ndjehem e lumtur që durova dhimbjet dhe padrejtësitë!
Mirë është të mos gjykojmë asnjë.
Edhe pa folur, mjafton një shikim për të ndezur gjakrat.
Por durimi i mirësishëm buron nga vetnjohja dhe dhembshuria .
Ai është pasqyra ku vetgjykohen shpirtrat e përhumbur
e unë një gurë i thjeshtë shahu në lojën e jetës duroj sa të rizgjohen.
Prandaj ,sa herë më vrasin shpirtin them:
“Të kam falur me gjithë shpirt nëse dikur do pendohesh!”
e pa e kuptuar rizgjohem brenda çdo rizgjimi që fal durimi im…..

 

E di se atë çast do rilind

Në ëndrrat e natës mendoja se do i gjeja fillin së vërtetës.
Mezi prisja të errej e të mbyllja sytë.
Të humbisja pafundësisë së panjohur që më joshte aq magjikshëm
e kur udhën nisja ,në zgjim nuk doja të kishte kthim.
Sa herë jam ndjerë midis dy botëve
e të dyja i shikoja e ndjeja si me dy gjysma shpirti!
Më dukej e çuditëshme që mundesha të dyja i dëgjoja,
sikur përjetoja dy ndjenja e ndjesi të njëkohëshme!
Kur vinte dita,mrekullohesha me tingujt e saj!
Gjithçka përreth e ndjeja si një sinfoni magjike!
Edhe hapat e njerëzve më bridhnin veshëve si tinguj të artë
dhe fëshfërima e gjetheve më ngjante si violinë virtuoze!
Fërfërimat e flladit më përkdhelnin kujtimet e ëmbla.
Në çdo gurgullimë ndjenjash freskoja aromën e shpirtit,
por prapë, nuk më mjaftonte të ndjeja se jetoja vërtetë
dhe se jetën se gjeja përtej zgjimit.
Sa dritë shpirtrash pashë të ndizen e shuhen pranë shpirtit tim!
Sa herë zhgënjimi më la aromë me shije hidhërimi!
Dhe prapë një dritë magjikshëm më tërhiqte drejt vetes,
vetëm symbyllur mundesha ta shikoja e ndjeja në shpirt.
Mendoj se ,ndoshta kjo jetë është ëndërra e pazgjuar
dhe ne endemi duke kërkuar dritë.
Ndoshta ajo dritë më tërheq edhe mua nga kjo botë e kalbur,
që vlerën e shpirtit rrallë e kuptoi njeri!
E di se atë çast do rilind….


Përzgjodhi: Ismet TAHIRAJ – Drenicë