Donika Mustafaj vjen me një tjetër dokumentar e cila prek një temë të ndjeshme, atë të shëndetit mendor.
“Në kabinetin e psikiatrit”, është prodhimi i saj më i fundit në këtë fushë.
Mustafaj është autore e një sërë dokumentarësh që mbajnë autorësinë e saj si: “Jetë pezull”, “Magjia klarinetë”, “Ustai i fundit”, “Një zonjë amerikane në Tiranë”, “Shkolla… pse duhet’, “Fëmijëria peng”, “Zhdukja e fëmijërisë”, “Marramendje”, “Autografi”, “Kur kënga nuk ishte Pazar”, “Po sikur të shkonim në Zvicër”.
Në bashkëpunim me mjekun psikiatër që punon dhe jeton në Zvicër, Valter Lleshi, Mustafaji na sjell një panoramë më të qartë të asaj se çfarë ndodh më këtë sëmundje që shpesh kemi turp ta pranojmë dhe pse është e nevojshme që të shkojmë të specialisti sa herë që kemi probleme.
Dita ka biseduar me autoren Donika Mustafaji dhe mjekun Valter Lleshi.
-Zonja Donika, publiku shqiptar ju njeh si autore e shumë filmave dokumentarë. Ndërsa këtë herë në fokusin tuaj ka qenë shëndeti mendor. Pse kjo temë?
Donika Mustafaj: Dëshiroja të tërhiqja vëmendjen mbi problematikat e reja që paraqet shëndeti mendor i njeriut të sotëm në shoqëritë e lira duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, dhe rolin e posaçëm të psikiatrit për ta mbështetur njeriun modern të ruaj dritpeshimin dhe dinamizmin në përballje më sfidat e zhvillimit.
-Si lindi ky film dhe si u njohët me doktor Lleshin ?
Donika Mustafaj: Prej kohesh dëshiroja një film për profesionin e psikiatrit që është në hije, shpesh i panjohur dhe peng i klisheve. Protagonistin e gjeta në Zvicër, kur isha për xhirimet e filmit tim të fundit “Po sikur te shkonim në Zvicër?”. Quhet Valter Lleshi, shqiptar me origjinë, por që e ushtron profesionin në rrethinat e Gjenevës. Njeri i jashtëzakonshëm. Ai pranoi t’i çelte kamerës time derën e kabinetit të tij.
-Doktor Lleshi, ju jeni protagonisti i filmit dokumentar “Në kabinetin e psikiatrit”. Na tregoni diçka më shumë për veten?
Dr Valter Lleshi: Po jua them shkurt : Quhem Valter Lleshi, jam 45 vjeç. Kam lindur në zonën e Selitës, – Mirditë. Mbarova fakultetin e mjekësisë në Shqipëri në vitin 1995 dhe vendosa të shkoj në Zvicër për studime më të thelluara. Në 2005 u diplomova atje si mjek i përgjithshëm dhe në 2008 si psikiatër dhe psikoterapist i profilizuar për moshën e tretë. Kam punuar në shumë klinika dhe qendra spitalore universitare deri edhe shef shërbimi. Gjatë këtyre viteve kam vazhduar pa ndërprerje studimet dhe kërkimin shkencor, duke botuar artikuj në revistat e specializuara lidhur me depresionet e moshës së tretë si edhe mbi gjendjet konfuzionale dhe çrregullimet e ankthit te këta persona.
Në 2009 vendosa hapa qendrën time psikiatrike dhe psikoterapeutike në Gjenevë, ku punoj edhe sot. Gjithashtu punoj edhe për ushtrinë e Zvicrës, gjykatat, në disa qendra të medikalizuara dhe në disa qendra të socializuara.
-Si e pritet projektin e Donikës ?
Dr. Valter Lleshi: Në fakt, e prita me kënaqësi. Njerëzit jashtë psikiatrisë kanë një vizion krejtësisht të tërthortë. Vendosëm me Donikën të mos përqendroheshim te klishetë që njerëzit i dinë, por të tregoja përvojën time.
-Si i zgjodhët pacientët që janë intervistuar ?
Donika Mustafaj: Kjo zgjedhje dhe bisedat me ta morën kohë. Ka që janë filmuar një apo dy herë dhe zënë vend në film, kur ka të tjerë të intervistuar me dhjetëra herë e nuk janë përfshirë. Kanë mbetur personazhet e përshtatshme për të ndërtuar historinë.
-Ju trajtoni raste të njerëzve me sëmundje mendore, por edhe raste të atyre që kujdesen për ca vuajtje të vogla. Filmi merr kështu një tjetër dimension.
Donika Mustafaj : Një nga synimet ishte të tregoja “bashkëjetesën” e veçantë midis njerëzve që shkojnë te psikiatri për t’i gjetur derman dhimbjes së kokës, depresionit, mërzitjes nga humbja e të dashurve, marrëdhënieve në familje etj. Pa bërë ndonjë hierarki të vuajtjes, thjesht duke i vendosur historitë në perspektivë. Secili përpiqet thjeshtë të ndjehet më mirë.
-“Ne kabinetin e psikiatrit” tregon historitë e pesë personazheve në evolucion si pacientë. Si i keni parë gjatë ndërtimit të filmit ?
Donika Mustafaj : E rëndësishme për mua nuk ishte të tregoja njerëz që shërohen, por njerëz që luftojnë përditë kundër të keqes dhe se në këtë luftë ata shoqërohen nga mjeku. Nuk janë vetëm përballë këtyre sëmundjeve, disa nga të cilat nuk shërohen kurrë. Në fakt unë u përballa në këtë film me një efekt pasqyre. Zakonisht pacienti mendon se mund të mbështetet mbi këshillat e mjekut për të reflektuar mbi veten. Por në pasqyrë del një marrëdhënie, diçka më komplekse, më e pasur, që na mëson ne, spektatorëve, të shohim veten lidhur me paragjykimet tona për të sëmurët apo për mjekët.
-Siç ndodh gjithnjë në kinema!…
Donika Mustafaj : Po! Dhe funksioni i kinemasë shërben në psikiatri. E ndërtova filmin ashtu siç e zbulova vet përgjatë seancave të psikoterapisë. Ju beja pyetje njerëzve përse ndodheshin aty, cila ishte historia e tyre, e kishin patur të vështirë të hidhnin hapin e pare, si përpiqen t’ia dalin përballë traumatizmave të ndryshëm.
-Si ndihmon forma e dëshmisë në përcjelljen e këtij mesazhi?
Donika Mustafaj : Mendova se do të ishte më efikase të tregoheshin historitë nga vete pacientet. U përpoqa ta shoh sëmundjen mendore me dashamirësi dhe humanizëm.
-Ka shumë njerëz që edhe pse vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, e kanë të vështirë të shkojnë te mjeku apo të flasin me të tjerët, kjo për shkak edhe të paragjykimeve. Keni hasur në raste të tilla?
Donika Mustafaj : Shumë, duke përfshire këtu edhe motrën time, e cila, edhe pse vuante nga një sëmundje mendore, preferoi heshtjen nga frika e paragjykimeve diskriminuese. Kjo frikë e stigmatizimit e pengonte të ndante shqetësimet qoftë edhe me mua. Në këtë histori unë, familja ime, rrethi shoqëror i saj, komshinjtë kemi pjesën tonë të përgjegjësisë që nuk i kuptuam sjelljet e saj edhe pse jo për fajin tonë, por nuk jemi të informuar për sëmundjet mendore.
– Dr. Valteri, nga eksperienca juaj 15-vjeçare, a mendoni se ka ndryshuar diçka ne mentalitetin e shqiptareve që i drejtohen mjekut psikiatër?
Dr Valter Lleshi: Deri para pak kohësh, sëmundjet mendore ishin një bisedë shumë delikate. Një lloj turpi rrethonte idenë e shkuarjes te mjeku psikiatër. Shpesh njerëzit ndodheshin në një rreth shoqëror, ku frika e reaksionit të të tjerëve ishte e lartë. Stigmatizimi lidhur me sëmundjet mendore është pengesë serioze jo vetëm për diagnostikimin apo mjekimin, por edhe për pranimin e personit që vuan në shoqëri. Për mendimin tim është thelbësore sensibilizimi i publikut dhe demistifikimi i stereotipave. Shumë persona me sëmundje mendore izolohen nga shoqëria ose vuajnë në heshtje nga frika e moskuptimit nga njerëzit. Fatmirësisht, shoqëria ka ndryshuar. Tani ne pranojmë gjithnjë e më shumë që jeta është e ndërtuar me periudha zhvillimi dhe ngecje.
Situata të ndryshme te jetës (një zi, një ndarje, riaorganizim i karrierës, humbja e vendit të punës, ndonjë sëmundje, konflikte në familje apo tensione në lidhje) bëjnë që të zhytemi në kriza pak a shumë të thella. Shpesh mendojmë që mund të gjejmë zgjidhje vetë ose me kohën gjerat zgjidhen vetvetiu. Fatkeqësisht, në disa raste gjerat përkeqësohen dhe mund të shfaqen përveç çrregullimeve psikologjike dhe probleme të shëndetit fizik, gjë që kërkon konsultimin me specialiste.
-Sipas statistikave 1 në 4 persona ka shfaqur një herë çrregullime të shëndetit mendor, është shifër për t’u shqetësuar?
Dr Valter Lleshi: Numri i sëmundjeve mendore është trefishuar në 50 vitet e fundit. Është shifër për t’u shqetësuar.
-Nga se vjen kjo situatë?
Dr Valter Lleshi : Njeriu modern vuan nga çrregullime të reja, të shkaktuara nga zhvillimi i një shoqërie të ethshme dhe të frikësuar, gjithmonë e më shumë individualiste dhe të stresuar. E thënë ndryshe, mungesa e besimit në vetvete dhe të tjetri, humbja e respektit ndaj jetës dhe ndaj njeriut shkaktojnë dhimbje të të gjitha llojeve, ku dhe mjeku më i mirë do kishte shumë vështirësi për t’i shëruar. Njeriu modern është i prekur nga një lloj “sindromi jo realist”, për të cilin psikiatria moderne nuk ka dhënë ende një përkufizim. Por efektet janë shumë të frikshme, madje shkatërruese për shëndetin. Ekzistenca e njeriut modern po bëhet gjithnjë e më egocentrike, e mbyllur në vetvete. Ka një humbje të referencave, një dobësim të kuptimit të së vërtetës, një prirje drejt vetmisë. Rrotull nesh, shumë njerëz ankohen gjithnjë e më shumë për një ndjesi jo të mirë në brendësi, për rraskapitje, për pamundësi komunikimi me tjetrin. Zanafilla e kësaj gjendje të keqe është te mbyllja në vete për të zgjidhur problemet tona. Është një punë e pafundme që nuk mund të përballohet vetëm. Ne po asistojmë në një lloj demoralizimi të përgjithshëm. Janë gjithnjë e më shumtë njerëzit pa te ardhme profesionale, të tjerë të prekur nga vetmia, të tjerë që shkojnë dhe mbyten nëpër parajsa artificiale. Njeriu modern mund t’ia dalë vetëm nëse rigjen rrënjët e vërteta. Ndërprerja e transmetimit të vlerave njerëzore është drama më e madhe e qytetërimit tonë.
-Sëmundjet mendore a mund te konsiderohen si te gjitha sëmundjet e tjera ?
Dr Valter Lleshi : Këto sëmundje nuk janë si të tjerat, por ashtu si të tjerat, edhe këto janë sëmundje. Trazimet psikike afatgjata e gjymtojnë njeriun, përkeqësojnë jetën e tij dhe të të afërmve të tij. Kanë pasoja ekonomike dhe sociale të rëndësishme, që çojnë deri në vetëvrasje. Ka sëmundje që prekin zemrën, veshkat, mushkëritë apo mëlçinë. Por nuk ndjellin turp, diskreditim apo fajësi. Njerëzit e prekur nga një handikap psikik në shoqërinë tonë janë viktima të stigmatizimit për shkak të frikës që ngjallin. Pra, në shumicën dërmuese këta njerëz janë të rrezikshëm vetëm për veten. Rikrijimi i lidhjeve sociale për të sëmurët dhe shoqërimi i tyre është po aq i rëndësishëm sa përparimi i mjekësisë.
-Kush janë shenjat që tregojnë se mund të dilet pa nevojën e një psikiatri ?
Dr Valter Lleshi : Njeriu që u përgjigjet mirë ngjarjeve, që nuk vuan shume nga zgjedhjet e veta, që i përjeton pa shumë komplikime humbjet, nuk ka sigurisht nevojë të shkojë për konsultime me një psikiatër.
-Si mund ta përshkruani profesionin tuaj dhe pse ju e doni atë?
Dr Valter Lleshi : Ndryshe nga kirurget, ne përdorim jo duart, por zemrën dhe shpirtin tonë. E dua këtë profesion më shumë se gjithçka tjetër sepse më detyron të jetoj me tjetrin, t’i nxjerr emocionet e mia në plan të parë për të ndihmuar në vendosjen e një lidhjeje besimi me tjetrin. E dua këtë profesion pse më shtyn të marr risqe për veten dhe po aq për pacientët e mi dhe bashkë me ta. Të marr bashkë me pacientët riskun për të shpikur trajtime më të personalizuara, të marr riskun për të bërë diçka që ndoshta nuk do të kuptohet nga shoqëria, por që sjell dobi të rëndësishme për të gjithë. Të duket nganjëherë sikur po vepron në hije, mbi ca mikrodetaje simbolike, të cilat e marrin shpesh gjithë rëndësinë, por jo doemos njihen si të tilla.
-Sa ndikon stresi dhe çfarë shkakton ai?
Dr Valter Lleshi : Stresi është në të vërtetë reaksion normal i organizmit, por ndonjëherë ai mund të shkaktojë efekt të dëmshme mbi organizmin tuaj. Mos e lini stresin t’ju pushtojë jetën kur ekzistojnë mënyra për t’i bërë ballë. Jeta jonë është e mbushur me ngritje dhe ulje, që sjellin shumë stres. Situata që i shkaktojnë stres një njeriu, nuk shkaktojnë domosdoshmërisht një tjetri. Stresi mund të vijë nga situata të gëzuara (martesa, lindje e një fëmije, rritje në detyre…) ose të vështira (konflikte, presion në punë, vdekje, sëmundje të ndryshme, ndarje…). Stresi është një faktor risku për sëmundje mendore, kardiake, intestinale, infeksione te ndryshme duke prekur sistemin imunitar. Në shoqërinë e përqendruar mbi kultin e konkurrencës dhe të përsosmërisë, stresi infiltron fshehurazi dhe krijon dëme shpesh të nënvlerësuara. Ky është një fenomen social që meriton reflektim dhe kujdesin me te madh.
-Si ndikon mungesa e jetës sociale, e ambienteve çlodhëse? Po kushtet ekonomike?
Dr Valter Lleshi : Mungesa e jetës sociale ndikon shumë në disa forma depresioni, fobie apo edhe skizofrenie. Studime të shumta kanë arritur në konkluzionin se socializimi i këtyre personave nëpërmjet aktiviteteve kreative, artistike, sociale ndikon pozitivisht në përmirësimin e shenjave të sëmundjes. Lidhja midis kushteve jo të mira ekonomike dhe sëmundjeve mendore është komplekse. Shumë veta mund të jenë të predispozuar për çrregullime mendore për arsye sociale dhe ekonomike të vështira. Të tjerë, të prekur nga sëmundje të tilla, nuk gjejnë dot punë dhe përfundojnë në ndihmë sociale. Në këtë rast shtrohet pyetja: Sëmundja mendore vjen nga kushtet e papërshtatshme të jetesës apo këto kushte jetesës e kanë shkaktuar sëmundjen mendore?
-Si ta kuptojmë që jemi në depresion dhe çfarë duhet të ndjekim për të dalë nga kjo gjendje ?
Dr Valter Lleshi : Nëse sjellja dhe zakonet tuaja ndryshojnë gradualisht, pra ndjeni që diçka nuk është më si më parë e që dashamirët ua venë në dukje. Nëse fillojnë problemet me gjumin, bëheni më shpejt nervozë. Nëse ndjeni befas ankth ose frike në rrugë, në punë, në shtëpi pa asnjë shpjegim racional. Nëse keni dhimbje të ndryshme në zona të caktuara të trupit dhe bilanci somatik është normal, atëherë ju sugjeroj të konsultoheni sa më shpejt me një specialist psikiatrie, në mënyrë që të bëhet diagnoza dhe të parandalohet një depresion i mundshëm.
-Ankthi ku futet ?
Dr Valter Lleshi : Më shpesh, prania e ankthit pa arsye racionale është një nga shenjat e rëndësishme të depresionit. Diagnoza diferenciale është ajo e çrregullimeve të ankthit. Mjeku psikiatër është i kualifikuar për të dhënë mjekimin e duhur.
-Shumë persona zgjedhin rrugën e lehtë: shkojnë në farmaci dhe marrin qetësues. A rekomandohet kjo ?
Dr Valter Lleshi: Jo. Kjo sjellje është shumë e dëmshme për shëndetin mendor dhe fizik. Marrja e qetësuesve fsheh shenjat e një çrregullimi psikik dhe vonon diagnozën, pra gjendja përkeqësohet. Trajtimi i çrregullimit psikiatrik më vonë është shumë më i vështirë. Marrja e medikamenteve në farmaci pa këshillën e mjekut mund t’ju krijoje varësi psikologjike ose jep efekte anësore shumë të dëmshme për organizmin. Në Zvicër kjo sjellje është rreptësisht e ndaluar. /Dita/