Janë tridhjetë e tre vetë, të gjithë kosovarë të Shqipërisë, ndër ta figura shumë të njohura dhe në moshë të shtyrë: ish-partizani Ramadan Çitaku, që pati prekur  hem majën politike – anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Nacionalçlirimtare dhe pas luftës ambasador i Shqipërisë në Beograd, hem i ndëshkuar politikisht për gjithë jetën pas prishjes me Jugosllavinë; shumë i moshuari Avni Zajmi, i shkolluar në Paris të Francës, me kontribut të jashtëzakonshëm në pedagogji dhe sportin shqiptar; Piktori i Popullit Abdurrahim  Buza, i shkolluar në Firence të Italisë, shumë i njohur për stilin në pikturë; ekonomisti dhe poligloti Dervish Morina; e vetmja grua mes tyre, aktorja  e teatrit dhe filmit, Besa Imami, e bërë e famëshme me rolin e Donikës në filmin “Skenderbeu”; por dhe të tjerë, mes tyre edhe fshatarë të moshuar prej familjeve të mëdha në luftë kundër serbëve; bashkë me ta, edhe unë gazetari 31- vjeçar i gazetës Zëri i Rinisë. Papritur, këtë fundqershori, na tubuan në sallën e ndërtesës së bukur italiane të Komitetin Ekzekutiv të qytetit të Tiranës, në Sheshin Skënderbej. Ajet Haxhiu thjesht bëri njoftimin se do të udhëtohej për në Bilisht të Korçës, në pritje të sjelljes së eshtrave të Hasan Prishtinës nga Selaniku i Greqisë.

Një udhëtim i çuditshëm: me autobus të posaçëm mbërrijmë në pikën kufitare të Kapshticës së Bilishtit, në rrethin e Korçës. Të gjithëve u ndodh për herë të parë, të presin eshtrat e një të vrari historik qysh prej gati gjysmë shekulli, ndërsa morti nuk rri pezull as në mendim  tek bisedohet: ai varr i vjetër a është i identifikueshëm?! Eshtrat e heroit mbërrijnë, por rivarrimi do të bëhet më vonë. Aq vetë sa jemi,  të ndarë në grupe, bisedojmë rreth ngjarjes në lëndinën përpara ndërtesës së doganës, me vështrim përtej kufirit, nga dogana greke, të shohim  shfaqjen e veturës në ardhje.

Për këta burra me njohje, lexime e eksperienca të mëdha, nxora nga  goja një pyetje rioshi.

“A do të çlirohet Kosova? Nëse po,  kur mund të ndodhë?”

Shtatë – tetë burrat e ditur sa ishin aty, nuk u ndienë siç duhet pas pyetjes. U zunë ngushtë për të thënë diçka. Përveç të tjerave edhe sepse nuk kishte kohë. Nuk qe as vendi. Por ishte edhe e rrezikshme: kush je ti që ditke kur mund të çlirohet  Kosova?!

Çdo kush vështron tjetrin.  Askush nuk e çel gojën.  Foli vetëm njëri. Madje më i maturi. Dhe më i vetëkontrolluari  ndër ta si natyrë njerëzore. Ky ishte Dervish Morina, ekonomist, poliglot, i ngadaltë në të folur, dhe shëndetlig.  Pa u vonuar tha diçka që kurrësesi s’duhet të jetë formulim i kësaj sekonde. Sepse përgjigjja, – që s’kishte se si të ishte më e përcaktuar si ngjarje dhe më e shkurtër si frazë, – duhet të qe vramedje thuajse e përditshme dhe tepër gjatë nëpër vite.

”Kosova do të çlirohet pas vdekjes së Titos, me luftë shumë të përgjakshme, para fundit të shekullit”.

Përgjigja  më ngjasoi si teoremë. Askush nuk belbëzoi ndonjë fjalë. Por ndihmohemi për t’iu larguar temës, nga shfaqja e veturës  Fiat me ngjyrë të kuqe, e prodhimit polak, me katër vetë në kabinë: Ajet Haxhiu, studiues i figurës së Hasan Prishtinës; Stefanaq Pollo, historian;  Pëllumb Kallfa, kinooperatori i Kinostudios “Shqipria e Re”, natyrisht dhe shoferi. Vetura la pas ndërtesën e doganës greke, e ndjekur nga kamionçina Nysa, gjithashtu made in Poland, në karrocerinë e së cilës mbarten në një arkëmort të vogël eshtrat e Heroit. Pasi kaluan portën e hapur të  klonit, përshkuan brezin e butë të kufirit dhe u ndalën pranë nesh. Pas tyre hyri në kolonë edhe autobusi. Të gjithë në një përjetim emocional.

Hasan Prishtina, ky hero që mblidhte pas vetes 10 000 – 15 000 luftëtarë, dhe kishte deklaruar se, as ari i gjithë botës nuk do ta nënshtronte të tërhiqej nga lufta për çlirimin e Kosovës, po kthehej në atdheun amë, por jo në Kosovë, atje ku luftoi.

Kosova është nën Serbi dhe për t’u çliruar duhen heronj të tjerë.

A do të ndodhë?!

                                                                                   Bisedë në doganën e Kapshticës, Bilisht

                                                                                               Qershor, 1977