Po bëhen rreth gjashtë muaj që debati rreth një marrëveshjeje të mundëshme përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë i nxehtë dhe nuk ndalet. Ndërkohë, kemi parë se pjesë në rritje e këtij debati janë bërë elitat politike, ekspertë dhe njerëz të ndryshëm të medieve të Kosovës, të Serbisë të Sh.B.A. dhe Europës. Në këtë debat ku të gjithë arësyetimet e larmishëm janë të natyrshëm, përveç vlerësimeve të ndërsjelltë të palogjikshëm dhe përjashtues të një pjese të debatuesve si patriotë, tradhëtarë, të shitur, apo argatë të të dikujt, aktori që ende nuk po përfshihet si duhet në të mbetet opinioni publik i Kosovës.
Po spikat edhe një interes i fortë ndërkombëtar që po vjen duke u zmadhuar për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të ecin me mençuri drejt një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet tyre e cila do të linte pas një histori të dhimbëshme dhe të përgjakëshme të konflikteve ndërmjet tyre. Autoritetet zyrtarë të Sh.B.A dhe B.E. janë bërë zëdhënësit dhe mbështetësit më veprues të këtij interesi të mbështetur edhe nga ekspertë të ndryshëm të cilët.
Madje, në formën e një thashethemnaje të organizuar, po sillet gjithandej nëpër hapësirat e dialogut virtual të internetit edhe një gjoja draft-marrëveshje për të cilën është menduar dhe punuar në heshtje dhe me shumë seriozitet duke lënë të nënkuptohet se pas saj ka aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë të interesuar për të ndjekur dhe analizuar me kujdes qëndrimet dhe vlerësimet ndaj ideve të saj të një numri më të madh të njerëzve.
Deri tani, ky debat përreth marrëveshjes Kosovë-Serbi e ka dhënë të paktën një fryt, sepse askush nuk mendon më se një marrëveshje e tillë e mundëshme do të mund të hapte të ashtuquajturën “Kuti e Pandorës” të konflikteve të rinj.
Për hir të së vërtetës, edhe në Kosovë edhe në Serbi ka kohë që është ndjerë se njerëzit e duan më në fund një marrëveshje të tillë. Të ashtuquajturat protesta popullore në Beograd [kundër autoritarizmit të Presidentit Vuçiç] dhe në Kosovë [kundër idesë së “korrigjimit” të kufijve të shprehur nga Presidenti Thaçi] duket se janë të frymëzuara nga interesa politikë të ngushtë të përkrahur në mënyra të padukshme nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë që rajonin e Balkanit Perëndimor kërkojnë t’ua lenë peng orekseve gjeopolitikë të së kaluarës dhe aktorëve përkatës.
Atëhere natyrshëm mund të pyetet se përse debatohet?
Dy janë problemet thelbësorë për të cilët debatohet. I pari, është ideja e përfshirjes në një marrëveshje të mundëshme të ndryshimit, ose “korrigjimit“ të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. I dyti, është ideja e ndarjes së pasurive të Kosovës që mund të cënohen prej këtij “korrigjimi” të kufijve.
Së fundi, këtyre dy problemeve u është shtuar një i tretë i cili nuk lidhet drejtpërdrejt me marrëveshjen, ai i rritjes me dyfish të taksës mbi prodhimet serbe që hyjnë në Kosovë prej Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Pas kundërpërgjigjes së Serbisë se ajo nuk merr pjesë në dialog për aq kohë sa taksa mbi prodhimet serbe nuk hiqet, ky problem i fundit ka ndikuar dukshëm edhe në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Sh.B.A. të cilët kanë ngulmuar që autoritetet zyrtarë të Kosovës t‘a pezullojnë këtë taksë. Të njejtin qëndrim është duke mbajtur edhe B.E.
Të tri problemet e meritojnë plotësisht debatin për të cilin po flasim. Historia e vjetër dhe e re e Europës dhe e Ballkanit është e pashterëshme me shembuj që provojnë se dy problemet e parë kanë qenë thuajse gjithnjë shkaktare të luftrave ose konflikteve të ndryshëm. Kundërshtarët e idesë së “korrigjimit” të kufijve e kanë të përligjur ndjeshmërinë e tyre dhe u druhen mundësive të pararashikuara të konflikteve të rinj.
Problemi i tretë e meriton debatin në këndvështrimin e respektimit të ndërsjelltësisë në interesat dhe veprimet ndërmjet dy shteteve. Kjo nënkupton se përderisa Serbia ndërkohë që dialogonte me Kosovën bënte edhe një fushatë diplomatike kundër njohjes së ptamvarësisë së Kosovës, atëherë edhe Kosova e kishte të drejtën [madje të ushtruar me vonesë] të kundërpërgjigjej ndaj Serbisë duke i cënuar asaj një interes thelbësor.
Dhe megjithatë, përvoja e vjetër dhe sidomos ajo moderne diplomatike na këshillojnë që në rrethana të tilla të marrëdhënieve “të ngecura” ndërmjet dy vendeve, udhërrëfyes duhet të bëhet gjithnjë të menduarit rreth së ardhmes së atyre marrëdhënieve. Jo gjithnjë shkëmbehen vlera imtësisht të barabarta të njëkohëshme ndërmjet vendeve që kërkojnë të arrijnë një marrëveshje madhore.
Të menduarit strategjik i lidhur me të ardhmen parashikon edhe shkëmbime të një të sotmjeje të “ngecur” të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me një të ardhme miqësore dhe bashkëpunuese ndërmjet tyre. Dhe, në këtë rast të fundit, debatet mbi ekuvalencën e vlerave materiale kanë kuptim vetëm brenda një të sotmeje “të ngecur” në një udhë pa krye [dhe nën ndikimin e nacionalizmave të vjetëruar] që të çon vetëm në “përplasje”.
Në rrethanat e krizës së marrëdhënieve për të cilat po arësyetojmë, paqa, bashkëpunimi dhe integrimi Europian janë një e ardhme e sigurtë që qëndron pas portës së hapur nga një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mbi të gjitha, garantues të një marrëveshjeje të tillë të lidhur me të ardhmen janë Sh.B.A. dhe B.E. siç dëshmohet fare qartë dhe plot ndjeshmëri njerëzore në letrën e dërguar së fundit të nënshkruiar nga tre Zv. Ndihmës Sekretarë të Qeverisë Amerikane.
Të nderuarit vëllezër të mi të Kosovës nuk duhet të harrojnë kurrë se ka ardhur koha përsëri që të besojnë tërësisht në udhërrëfimin amerikan të Rambouillet-së.
*President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë