– Intervistë e poetit lezhjan, PREÇ ZOGAJ, dhënë bashkëpunëtorit të gazetës “Koha Jonë”, AVNI PONARI, më 28 qershor 1990 –

-Janë mijëra fije shpirtërore që të mbajnë të lidhur me vendlindjen si dhe me shokët e miqtë –

Në qoftë se në poezitë e mia kushtuar vendlindjes fryn një erë e fortë malli, siç thoni ju, kjo do të thotë se në ndërgjegjen time krijuese ajo, Lezha, mbetet e pazëvendësueshme, një element jetik, një pikë bujare kthimi, sikurse limani për detarët, një reliev i mbushur plot e përplot me çerdhe, veçse jo me çerdhe zogjësh, por me çerdhe figurash, zërsh e jehonash që përbëjnë botën krijuese në fillimet dhe ndofta edhe në perëndimet e veta…

            Ka qenë një shkallare e vogël që binte në sheshin para ish- restorantit të gjuhëtarëve. Aty kalonte rruga për në trgun fshatar, aty kalonte të dielave krejt Lezha, qytet dhe fshat. Në atë shkallare uleshim shpesh me poetin Rudolf Marku, me Remzi Lanin, atëherë gjimnazistë dhe me një poet të ri nga Zadrima që çmohej tepër në mjedisin tonë, por që u tërhoq nga krijimtaria. Rudolfi na tregonte poezi të panjohura të Uollt Uimenit, të Lorkës, Elyarit, Zhak Preverit, Kavabatës, emra jo fort të njohur për publikun tonë atëherë. Ndërkohë në atë shkallare dëgjuam për herë të parë emrat e Tomas Eliotit, të Xhon Kitsit, Odenit e poetëve të tjerë të shquar anglo- amerikanë që Rudolfi i kishte përkthyer. Shpeshherë vinte edhe Ndoc Gjetja. Më vonë erdhi edhe Agim Isaku.

   U krijua një shoqëri krijuesish që shkëmbenin informacionin e tyre kulturor dhe aspironin për një letërsi moderne pa retorikë e patetikë propagandistike. Me një intension negativ, kjo shoqëri u etiketua nga kritikë e shkrimtarë të veçantë si “ shkollë e Lezhës “, madje u shpallën si anëtarë të saj edhe Besnik Mustafaj, edhe Ilirian Zhupa.

            Unë, personalisht ruaj mendimin se ajo shoqëri ishte vërtetë një shkollë, ku mësova gjëra që as m`i pat mësuar, as m`i mësoj më vonë shkolla me banka.

Më tej dhe më thjeshtë, Lezha është për mua vendi ku pashë njeriun e parë, ku dëgjova e fola fjalën e parë, ku dashurova, ku përbuza e urreva për herë të parë.

Për çdo subjekt vendlindja është e tillë. Por unë nuk mund të mos e çmoj këtë mrekulli kaq të zakonshme e të jashtëzakonshme njëherësh dhe e di se deti, fushat dhe malet që më kalojnë shpesh nëpër mend, janë prova e fisnikërisë së frymëzimeve, madje e vetë natyrës sime si krijues e si njeri. Ju folët për erën e fortë të mallit që pikturon me ngjyra romantike, por do të doja të vinit  re erën po aq të fortë të dhimbjes njerëzore për mbjellëset e orizit, për mikeshat e diellit, për mundimin e grave në përgjithësi.

              Më tej akoma, Lezha nuk është për mua një kujtim, por një aktualitet i gjallë që godët ditë për ditë në kredon time prej krijuesi.

Dhe së fundi, dashuria për Lezhën nuk më pengon të dua me zjarr Vlorën, Bajram Currin, Athinën dhe dhjetëra qytete që nuk i kam parë.

–        Tani ju keni një sasi librash dhe artikujsh. A u rastis të verifikoni rezistencën e tyre në kohë ?

– Të them të drejtën, jam shumë i ri për t`u marrë më verifikimin e asaj që kam shkruar. Nuk më ka hije të kthej kokën prapa qysh tani. Por, ndërkaq  e ndjej se verifikimi i veprimtarisë krijuese, intelektuale, ideologjike, apo dhe politike është sot një imperativ për individë dhe organizma të ndryshëm.

             Të shohësh me sy kritik rrugën ku ke ecur është tregues force dhe njëherësh premisë për të përparuar. Unë mendoj se nuk mund të pohohet pa mohuar, nuk mund të gjendën rrugët e reja pa anlizuar atë që kemi bërë, nuk mund të shohim të ardhmen duke mbyllur sytë mbi gabimet e bëra. Të gabosh është e natyrshme, por të imponosh gabimin, apo ta fshehësh atë, ky është faj. Në këtë vështrim, letërsia dhe teoria e saj po përjetojnë fillimet e një analize dhe spastrimi të thellë nga sociologjizmi vulgar ; që është vrasësi i artit të vërtetë. Ky proçes ka përfshirë e duhet të përfshijë çdo shkrimtar serjoz.

             Te rezultati i këtij ballafaqimi do të duket në fund të fundit niveli i vërtetë i shkrimtarit, sa u ka qëndruar ai besnik ligjësive specifike të artit, sa i  ka shërbyer së vërtetës dhe rrjedhimisht lexuesit e popullit të vet. Nga ky ballafaqim unë po shoh se mund të nxjerr mësime në prozë, por jo në poezi. Në këtë çast, më vjen ndërmend një varg i portit kosovar Azem Shkreli, që thotë :

“ Poetët duhet të kenë vetëm një perëndi, të vërtetën !.

             Në gjyqin e historisë së letërsisë nëpunësit e politikanët që përpiqen të impnojnë letërsi servile, nuk do të thirren as si dëshmitarë. Gjithçka u mbetet shkrimtarëve.

–        A vazhdon, apo ka reshtur kjo luftë e letërsisë me burokratizmin ?

–        Faktet më të freskëta, fatkeqësisht tregojnë se letërsia sociologjiste dhe

ilustrative ka shumë partizanë të gatuar si të tillë dhe prandaj të pandreqshëm. Ata janë në tërheqje pavarësisht nga zhurma që ngrejnë aty – këtu. Në këto kohë, më duket se në horizontin e letrave tona po shfaqet një rrezik i ri, potencial i veshur me petkun e lirisë së shprehjes dhe sjelljes. Fjala është për një tip shkrimtari që mungesën e talentit përpiqet ta kompensojë me ankesa të panumërta dhe me mohimin kategorik të asaj që na rrethon këtu. Në letërsi, anarkia e kritereve është njëlloj e dëmshme sikurse çensurimi i kritereve. Këtu do të duket rishtas roli i shkrimtarëve seriozë që kanë kuptimin e jetëgjatësisë dhe përjetësisë së kombit.

–        Si e shikoni të ardhmen e krijuesve të  lezhjanë ?

–        Të mirë, shumë të mirë.

–        Kur është puna më e lodhshme për gazetarin ?

–        Varet nga natyra e gazetarit.

 Për mua faza më e vështirë është mbledhja e fakteve. Kam një lloj frenimi për të gërmuar në jetën e njerëzve. Këtë ndrojtje më pëlqen ta justifikoj me një thënie të Euripidit : Mësimi i pajis njerëzit më turp dhe me zotësi !

–        Çfarë ju  mundon ?

  –    Përsëritja e vazhdueshme e gjërave.

–        Ç`farë ju gëzon ?

–        Fakti që kam shokë shumë të dashur në Tiranë dhe në Lezhë e tjerë.

–        Me se merreni tani?

–        Sapo kam dorëzuar për botim një libër me novela. Romani i parë më është

kthyer me disa vërejtje që presin të rregullohen. Por ndërkohë po merrem me harrimin e duha nit, të cilën e lashë para katër javësh!