Tjetër skandal për “Vodafone”, kompania mashtruese që nuk pyet as për shtetin e as për klientin!

Kompania “Vodafone” Albania, jo vetëm që është kthyer mjaft problematike në tregun e reklamave, e cila herë pas here sfidon shtetin me fushatat e saj dizinformuese, edhe pse është gjobitur me miliona lekë gjobë, ajo nuk di të ndalet kur vjen puna për të premtuar shpesh herë, atë që jo vetëm nuk e realizon dot, por as që mund t’i afrohet.

Kjo kompani, pavarësisht se është gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës, për shkelje të rëndë të konkurrencës, në masën 0.02 % të xhiros vjetore, përkatësisht në shumën 3 011 173 lekë, nuk ndalon së mashtruari herë pas here klientët e saj me spote publicitare të pavërteta.

Jo pak herë, Komisioni për Mbrojtien e Konsumatorit i ka “tërhequr veshin” duke i ndaluar rreptësisht kompanisë transmetimin në media apo dhe formave të tjera të përdorura për reklamim, spotet e saj publicitare, që sipas të dhënave zyrtare rezultojnë të jenë krejtësisht të pasakta, qëllimisht çorientuese dhe dizinformuese për konsumatorët e telefonisë celulare.

Komisioni, lidhur me këtë fushatë publicitare, ka marrë indicie edhe nga ankesa e Telekom Albania sh.a, sipas së cilës reklama e transmetuar prej Vodafone Albania sh.a drejtuar konsumatorëve përbën praktikë tregtare të padrejtë, keqinformuese, duke shtrembëruar sjelljen e konsumatorëve, pasi madhësia e rrjetit “Gigabit” është i pakonsiderueshëm në raport me rrjetin e Vodafone Albania sh.a, si dhe shpejtësia e pretenduar prej 1Gbps nuk mund të ofrohet.

Për të njëjtin problem, AKEP u shpreh se aktualisht asnjë operator në vend nuk disponon Autorizim Individual për përdorimin e frekuencave të brezit 800 MHZ, pasi dhënia e këtij brezi është objekt i procedurave konkurruese.

AKEP duke u bazuar në shpjegimet teknike dhe matjet e paraqitura nga vet Vodafone Albania sh.a vëren se, konkretisht, nuk është arritur shpejtësia 1 Gbps (ose 1024 mbps). Madje, dhe shpejtësia 800 Mbps është arritur vetëm në 47 stacione dhe jo në të gjithë territorin e vendit. AKEP shprehet se vetëm pas pajisjes me Autorizim Individual për përdorimin e brezit 800 Mhz, pas instalimeve të stacioneve dhe kryerjes së testimeve të nevojshme në brezin 800 Mhz, në të cilën të arrihej shpejtësia 1 Gbps në të gjithë territorin e vendit, Vodafone mund të përdorte termin “Rrjet”.

Redaksia jonë, zbuloi se Komisioni për Mbrojtien e Konsumatorit, nëpërmjet një vendimi të datës 4 shkurt, vendosi, që “Vodafone” Albania sh.a., të ndreqë shkeljen dhe të sigurojë që transmetimi i fushatës publicitare të Vodafone Albania sh.a, në të gjitha mjetet e komunikimit (televizion, internet, kanal youtube, faqe interneti, etj.) të jetë në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9902, date 17.04.2010 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar.

“KMK” edhe në raste të tjera i ka tërhequr vëmendje kompanisë “Vodafone”, se po tenton të mashtrojë të gjithë konsumatorët e telefonisë celulare të paguajnë për shërbimet e saj, duke krijuar përshtypjen se janë kompania më e shpejtë që e ofron atë.

Por, duke u bazuar mbi të dhënat e burimeve zyrtare, sipas AKEP, kjo nuk është aspak e vërtetë. I vetmi qëllim i Vodafone është, që nëpërmjet spoteve publicitare dizinformuese, të konkurrojë në mënyrë të pandershme operatorët e tjerë.

Edhe sa duhet të presim të përfundoj tallja e kompanisë “Vodafone” me shtetin dhe shqiptarët? Nëse shteti nuk e ndalon dot, kush tjetër mund ta bëj këtë?! /Nga: Ekskluzive.al /

Kliko këtu për të lexuar dokumentin:Vendimi-nr-82-Vodafone-Albania