– Triptik –  (Tropojë-Tiranë-Tepelenë)

Nga:  Zeqir Lushaj

Pak radhë, në vend të një bisede shoqërore, të një mesazhi miqësor, për ata shqiptarë, që, pa gjë të keq, e pa pikë droje i hapin rrugë vesit, e, venë dorë tek virtyti, që, për asgjë,e cënojnë tjetrin, madje, edhe deri te jeta.Se nga erdhi kjo dukuri, sidomos, këto vitet e fundit, një dreq e din! Veçse, një gjë, duhet të dihet mirë, kjo dukuri negative, nuk është e jona, nuk është shqipëtare. Edhe një gjë tjetër, duhet ta mbajmë mirë “vëth në vesh”. Kështu, kërkush në botë, nuk na pranon në mijëvjeçarin e tretë të qytetërimit njerëzor…

Në luftën tonë të përbashkët, kundër dukurive negative, e sidomos kriminalitetit gjithnjë në rritje, ndoshta, më shumë se disa leksione moralizuese, kanë një efekt për mirë,

shembujtë konkret nga jeta jonë e pasur shqipëtare. Dhe, shembujtë e virtytshëm, janë të panumërt. Nga blloku im i shënimeve si gazetar, kam nxjerrë këtë triptik, që mund ta lexoni më poshtë:

            1.Selim Brah Doçi, ishte burrë

Qeleshexhiu kosovar, e kishte shtëpinë në Pazar të Ri, në mes të Tiranës. Këtu e 20 vjet të shkuara, trokita, për herë të parë në derën e Hajdar Kastratit, aty, djathtas, në katin e dytë,

sipër tunelit të pallatit. Doja një qeleshe për babën, për t’ia dërguar në Tropojë. Hajdari, me mirësjellje, më futi në shtëpi, në dhomën e pritjes, më solli një karamele dhe, u ul afër meje,

duke filluar menjëherë bisedën:

– Të futa në shtëpi, brenda, o djalë, se kam respekt për tropojanët. Ju, tropojanët, jeni burra të mirë, jeni burra me besë!, – tha, me një bindje admiruese.

– Ka turlifarë tropojanësh, axha Hajdar, – e ndoqa unë bisedën, për t’u treguar edhe pak modest përpara atij komplimenti shumë joshës.

– A e njeh Selim Brah Doçin, – more djalë? – pyeti, tërë seriozitet, ai burrë thatanik, i gjatë dhe shumë energjik, tipik malësor.

– Po, – i thash, me buzë në gaz. – E njoh mirë, Selim Brahën.Baca Hajdar, mu afrua edhe më shumë. E mbështeti dorën e tij, mbi dorën time, me shikoi ngultazi në sy, dhe më tha:

– Kapuçin për babën, do ta zgjedhi prej ma të mirëve.Por, do të vonoj pak kohë, se due me të tregue diçka për Selim Brahën. Meqenëse punoke gazetar në “Zëri i Rinisë”, eeeh,kushedi, jetë i thonë kësaj, ndoshta edhe mund të duhet dikurë.Dhe, i përqëndruar maksimalisht, tërë pasion, filloi të më tregonte:

… Ishin vitet e para të çlirimit, pas luftës… Kohë të vështira.Fukarallëk i madh. Bandat, ishin akoma në kambë… Me një kalë, të ngarkuar me mallra të ndryshme, po vija për herë të parë në jetën time, nga Gjakova në qytetin e Bajram Currit.Isha nisur nga Gjakova, e, ato mallra, do t’i çoja në Lekbibajt e largët, edhe, të paktën 10 orë rrugë, nga Kolgecajt, siç quhej at’here. Hotel nuk kishte. Ç’farë hoteli në ato kohë, o bir!… Isha, jo i lodhur, por, i dërmuar. Njeri të gjallë nuk njifsha. Ku të mbytesha? Ç’ka me ba?…

Shoh, se afër meje, po kalon një burrë. Një burrë i gjatë,me një paraqitje tamam, fisnike. Nuk kisha rrugë tjetër, dhe ju drejtova atij burri, dhe e pyeta se, ku mund ta kaloja këtë natë, sonte? Ky burrë i vërtetë, e kishte kuptuar gjendjen time, pa folë unë, mirë hala. Pa një, pa dy, më tha:

– Këtë natë, do ta kalosh, në shtëpinë time, o mik!  Dhe,faaap, ma kapi kalin për freri!

   Pamje nga qyteti i Bajram Currit ,(Kolë-gecaj)

U befasova, por, i bindur se kam të bajë me një njeri të vërtetë, i shkova fill mbrapa, pa e pyet asnjë fjalë tjetër. Mbas pak minuta rrugë, më futi në oborrin e shtëpisë. E shkarkuam

kalin, e rregulluam mallin, dhe, Selim Braha, më prini, drejtë e në dhomë të burrave. Më bani një pritje, shumë të mirë. Jo si njeri që u takuam në rrugë, por, sikur më kishte thirrë mik! U

kenaqëm me muhabet… Eeee, …

… Eeee, kur erdhi koha të flemë (se kjo, është kryesorja, e kësaj bisede) Selim Braha, më shtroi mirë e mirë, në dhomë të burrave, dhe më tha se: – Derën, e kie me çelës nga brenda,dhe, në daç, mbylle. Atëherë, me shumë lezet, pa thanë asnjë fjalë tjeter, hoqi revolën, që e kishte në brez, dhe, e vendosi në tavolinë, afër shtratit, ku do të flija unë! Aty e la! Tha: – “Natën e mirë”!  Dhe, doli…

Hajdar Kastratit, ju mbushën sytë me lotë. Me një za, që tashma i dridhej nga emocioni, shtoj:

– Selim Braha, ishte burrë!… Dhe, u ngrit tërë energji, i lumtur se, tregoi një mbresë,nga më të pashlyeshmet e jetës së tij. Dhe, sigurisht, këtë gjest burrërie të Selim Brahës, këtë befasim dinjitoz e fisnik, këtë “rroman” të Hajdar Kastratrit, unë, jam i pari që po e shkruaj në gazetë, por, nuk isha i pari që po e dëgjoja…

Kaluan, jo më shumë se dy minuta, dhe, Hajdar Kastrati,hyri përsëri në dhomën e pritjes, ku isha unë. Tashma, me kapuçin e bardhë të babait tim në dorë…!

  1. Automatiku i Mozës

Ka qenë viti 1972. Ishim student të Akademisë Sportive (IKF) “Vojo Kushi” dhe po zhvillonim stërvitjen ushtarake pranë Detashmentit të Zbulimit, në fshatin Zall-Herr të Tiranës. Në një stërvitje natën, në një marshim të gjatë e të lodhshëm, drejt Krujës, shoqes tonë shumë të mirë, mjeshtres së Sportit në Gjimnastike, Mimoza Maçit, i ndodhi një aksident në rrugë. Në vendin, ku ju dha ndihma e shpejtë, qoftë, nga ajo vet, por më tepër nga ata që e shoqëruan, u harrua në tokë arma e saj, automatiku!! Atë natë, Mozën e strehuam në një familje, dhe, që humbi automatiku, u mor vesh të nesermen, kur, gjithë efektivi, u kthyem në repart.

U krijua një situatë e jashtëzakonshme, një arlarm i vërtetë,që nuk do ta harroj kurrë. Nga Ministria e Mbrojtjes, e cila, u informua urgjentisht, vinin qendrimet e fjalët më të ashpra.

Nëse, brenda 24 orësh, nuk do rë gjendej automatiku, masat ndëshkimore do të ishin tepër të ashpra! (Unë, autori i këtyre radhëve, at kohë, sekretar i Komitetit të Rinisë, pra, dhe si

pjestar në jetën e Shtabit, por edhe si mik i komandantit të Batalionit, oficerit të zot, me përvojë e aftësi, Kutel Çino, isha shumë mirë, dhe shumë shpejt, në dijeni të ultimatumeve që

vinin nga lart).

… Mbi 200 studentë, që ishim në fushim (Kështu quhej stërvitja në terren), u vumë, natë e ditë në kërkim të automatikut të humbur. Një ndjenjë e rëndë përgjegjësie, turpi, por edhe frige, dominonte tek të gjithë. Nga Zall-Herri në Mukje e deri në Krujë, nuk mbeti ferrë a shkurre pa u kontrollue. Desh Zoti, dhe për gëzimin e të gjithëve, e gjetëm automatikun. Në çastet e fundit të skadimit të kohës në dispozicion, këtë kënaqësi e pata Unë, me dy student, miq të ngushtë të mitë, me Granit Skenderin nga Tirana dhe me Shpend Hoxhën, nga Tropoja!

… Automatiku, kishte mbetur në vendin që Moza bëri aksidentin. Duke u marrë me të aksidentuarën, u harrua automatiku, në tokë, në errësirë! Aty, ndanë rrugës, në një lëndine, e kaloi automatiku natën, në vetminë e tij dhe, të nesermën në mëngjes, një fshatar që po kalonte aty pari, e gjen atë dhe e merr e, e çon në shtëpi. Kur u hap fjala, dhe u bë alarm për armën e humbur, fshatarin e varfër e kapi friga ta dorëzonte, se, kushedi, si po merrte kjo punë!!… Ishim në Mukjen e “marrveshjes…”!

… Nejse, u gjet automatiku, të tjerat, harrohen!…

Tani, ish-studentja Moza, puro-tiranasja simpatike, Mjeshtrja e Sportit, njëra nga të gjashtë vajzat e burrit të nderuar Besim Maçi, është familjarisht në Greqi, bashkë me burrin, pedagogun e shquar të Gjimnastikës Arqile Marko (nipi i shkrimtarit të mirënjohur, Petro Marko, nga Himara e Bregdetit) dhe me dy fëmijtë e saj.

Jam i bindur se, në këtë kohë tallazash që lam pas, sidomos në vitin 1997 që sapo u mbyll, si Moza Maçit (Marko), edhe studenteve bashkëkohës të atyre viteve, do të u jetë kujtuar kjo ngjarje. Kjo ngarje, të cilën, unë po e hedh në letër dhe, jo pa qëllim po e botoj në gazetë! Automatiku humbi vetëm 24 orë, në aksident e sipër, dhe desh Zoti, u gjet, se, do të bëhej nami…! Diktaturë, hesapi!

Po sot, ç’bëhet në Shqipërinë tonë të dashur??!! Me vjen në mendje klithma e poetit këtu e një shekull më parë: “Po sot, Shqipëri, më thuaj, si je…! ”… Depo të tëra ushtarake, të thyera, të vjedhura, të shkatërruara. Mitroloza, topa, mortaja, automatikë, granata, fishekë… , të çdo lloj kalibri, në dorë të fëmijëve të papërgjegjshëm, në dorë të hajdutëve e kriminelëve

kontrabandistë. Dhe, pa asnjë të keqe, në mes të rrugës, në mes të ditës, në mes të Tiranës: bam, bam, bam… Politika, e ka gjetë barkën e shpëtimit; – Poshtë komunizmi!

A mjafton vetëm kaq?!… Bam, bam, bam!…Bam, bam, bam!… dhe… Përveç të tjerave, qindra jetë, të prera në mes!

  1. Si do të jesh, o Sali Hajro?

Një burrë, rreth dy metro, i gjatë. Sa i ashpër, në paraqitje, aq fisnik e zemërbardhë në shpirt. E quajnë Sali Hajro. Eshtë nga Luftinja e Tepelenës. Një herë kam qenë mik në shtëpinë e Tij, këtu e 10 vjet të shkuara. Kam shkruar për xha Saliun dhe familjen e tij në shtypin e kohës. Në këto vite të trazuara, kam pyetur shpesh edhe për xha Saliun e Luftinjës, për Sali Hajron (Latifi). Sa herë kam thënë me vete: “Si do të jeshë, o Sali Hajro”?

E di, se, nuk do të jeshë mirë! Si mund të jetë mirë, shpirti i pastër i Sali Hajros, në këto kohe kaq të turbullta që po kalon vendi, shtëpia jonë e përbashkët, me emrin, Shqipëri?

Kur, këtu e para dhjetë vjetësh, isha mik, bashkë me kusheririn tim të parë, Qazim Lushaj, në shtëpinë e xha Saliut, e dini ç’bëri ai?! I tha të birit, shokut tim, Hajros: – Merre pushkën e gjatë. Del në oborr, dhe, zbraze një herë. Le ta marrë vesh tërë fshati se, na kan ardhur miq. Miq, nga Dragobia e Bajram Currit! Dhe, vërtetë, pa një pa dy, Hajro, u ngrit, doli në oborr dhe, shtiu me pushkën e gjatë!

E, si mund të jetë mirë sot, Sali Hajro, kur sheh dhe degjon gjithë këto paudhësi?Paudhësi absurde, deri, në ndersime vëllavrasëse, krahinore, Jug-Veri? O Zot!

Por, di edhe diçka tjetër, për të cilën edhe kam bindje të thellë. E di, se si Sali Hajro, në Tepelenë, që nga gezimi, shtie pushkë në oborr për ardhjen e miqve të largët nga Veriu; si

Selim Braha në Tropojë, që udhëtarit, mysafirit të panjohur kosovar, i len revolen e tij mbi tavolinë, tek koka e shtratit… ,si këta burra, ka, dhe do ketë, kudo e gjithmonë, në Shqipëri.

Në çdo rreth, e, pse jo, në çdo fshat e qytet!

E dhimbshme! Vërtetë janë ngritur në këmbë llumrat e shoqrisë! Por, Shqipëria, nuk është e llumrave. Shqipëria, ka qenë, është e do të jetë e burrave të vërtetë, e njerëzve të virtytit human, të virtytit atdhetar. Mjerë ai, që mendon ndryshe! I humbur, do të jetë gjithmonë.

___________

./.

(Nxjerrë nga libri “Dyqani i mendjes”, i autorit  Zeqir Lushaj, me redaktor Sadri Rrahmani, botuar në Tiranë në vitin  2009 nga shtëpia botuese, “Kristalina KH”. ISBN: 978-99956-43-08-9 )