Një kolazh fotosh me në qendër Pal Vatën dhe Enver Hoxhën. Në foto është edhe mbesa e Palit që shkoi në hekurudhë. Djathtas modeli i posterit të aksionistes Shkurte Pal Vata, kthyer në simbol për rininë e asaj kohe

Nga: Kastriot Dervishi

Komunizmi krijoi heronjtë e rremë të punës nën shembullin e ndikimit të revolucionit kulturor kinez dhe të modeleve të tjera që merrte nga Kina. Sidomos në vitet 60-70, njerëz anonimë të vdekur aksidentalisht në punë, apo të tjerë që lindur me probleme, u bënë shembuj të heronjve të palodhur që realizonin e tejkalonin normat, por edhe binin në krye të detyrës me shqetësimin e vetëm për të realizuar normën e partisë. Lej fenët e Shqipërisë filluan të shtohen kohë pas kohë sepse ata i prodhonte aparati propagandistik i Partisë së Punës së Shqipërisë. Në krye të kësaj strategjie u vu vetë Enver Hoxha. Ai gjeti raste të shkëlqyera të hynte në korrespondenca apo të priste vizita të familjeve të “heronjve”. Tipik në këtë periudhë ishte vdekja e 14-vjeçares Shkurte Pal Vata në hekurudhë dhe kooperativisti i verbër Fuat Çela nga Vërzeshta e Skraparit. Për të parën, përveç keqpërdorjes së emrit u bë i njohur babai i saj, Pal Vata, ndërsa i dyti filloi të propagandohej si “kooperativist i dalluar” që tejkalonte normat bujqësore edhe pa shikuar.

Në komunikatën e MPB-së nr.244, datë 20.10.1967, thuhej se në Lushnjë, një ditë më parë, në sektorin e Dushkut ku ndërtohej hekurudha Rrogozhinë-Fier, gjatë punës u shemb një grumbull dheu duke zënë aksionisten Shkurte Pali, e cila u dërgua në spitalin e Lushnjës në gjendje shumë të rëndë. Sipas komunikatës së MPB-së nr.256, datë 4.11.1967 në spitalin e Lushnjës, dy ditë më parë, vdiq aksionistja Shkurte Pali, 14 vjeç, nga Pecaj i Dukagjinit.

Për interesa të regjimit, i panjohuri Pal Vata u bë figurë qendrore e propagandës. I gjendur në një situatë të papritur, Pali kujtoi se ishte i rëndësishëm për shtetin e për partinë, madje e ndjente se ishte ndër njerëzit më të rëndësishëm të regjimit. Në popull dolën edhe barsoleta për thëniet e tij në lidhje me lajmet e reja apo situatat në vend. Më datën 2 nëntor vdiq Shkurta, por më datën 3 nëntor, babai i saj “malësori kooperativist” Pal Vatai shkruan moshatarit të tij Enver Hoxhës. Pasi thotë se nuk e qau vajzën, ai shkruan se vendosi të nisej në hekurudhë bashkë me kushërirën e parë të Shkurtes, për të zënë vendin e vajzës së vdekur. Gjashtë ditë më vonë, Enver Hoxha i përgjigjet me letër Pal Vatës, duke lavdëruar “malësoren revolucionare”. Te të dy letrat, pra të Palit dhe Enverit, përmendet edhe “regjimi i satrapit Zog”. Kjo estradë nuk ndalej këtu. Më 24.11.1967 u njoftua se ushtarët e repartit të kufirit nr.619 Kukës, e regjistruan Shkurten si efektive të batalionit të tyre, pavarësisht se femrat nuk kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pal Vata filloi të vijë më shpesh në Tiranë. I hapej dera në Komitetin Qendror të PPSH-së. Vetë Enver Hoxha filloi ta sajdiste. Pali vazhdonte të kujtonte veten të rëndësishëm. Megjithatë nuk zgjati shumë si histori, ndërsa emri i Palit vijoi të përmendej në popull në lloj-lloj formash në lidhje me ato që ai thoshte kohë pas kohe. /55 News/