Dirigjenti i njohur Ermir Krantja dhe Violinisti virtuoz Kristi Gjezi në Sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë

Nga Mal  BERISHA

Nën drejtimin e dirigjentit tonë të njohur, Artistit të Merituar Ermir Krantja , Orkestra jonë Simfonike dha një koncert me pjesë të dy poemave të Bedrich Smetanës, “Atdheu im” si dhe shoqëroi koncertin për violinë të Johannes Brahms-it të luajtur nga i Kristi Gjezi, muzikant shqiptar me veprimtari të shquar në Francë, Zvicër e shumë vende tjera të botës.
Ky koncert ishte në fakt një ngjarje e madhe artistike.
Kur lexon biografinë e Kristi Gjezit, (shih biografinë bashkelidhur) kupton se me çfarë artisti ballafaqohet audienca, pa foluar për atë të Ermir Krantes (shih biografinë) i cili tashmë është një emër pa të cilin nuk mund të kuptohet as të konceptohet muzika serioze shqiptare e mëse 50 vjetëve të fundit.
Janë këto veprimtari artistike që e ngrenë nivelin e spektatorit tonë të cilat duhet domosdoshmërisht të ndiqen nga masa e madhe e veçanërisht rinia jonë, pasi ne shqiptarët përfaqësohemi më mirë se me çdo gjë tjetër me artistë të tillë si Kristi Gjezi dhe shumë të tjerë si ai nëpër botë.
Mesazhi i këtij koncerti është i qartë për rininë:
Model janë ata të rinj që me punën, talentin, djersën, sakrificat dhe privacionet arritën majat e artit dhe u bënë të respektuar atje ku janë duke nderuar veten, familjen dhe Shqipërinë si Kristi Gjezi!
Falemnderit i dashur Maestro Krantja dhe djaloshi virtuoz Gjezi!
Këta janë ata që na bëjnë të themi me plot gojën:
Proud to be Albanian!