Mbaroi pritja, Champions League rikthehet me një debutim historik

Pritja e dimrit ka mbaruar. Pas pesë ditësh do të rikthehet Champions League dhe do të ketë një risi historike: VAR-in. Pas fazës me grupe tani fillon ajo e zjarrta me eliminim direkt.

FORMA – Në javët e fundit të gjithë ekipet e mëdha kanë patur disa probleme në kampionatet respektive. Juventus-i i Ronaldo-s ka barazuar 3-3 me Chievo-n në Itali, por edhe rivalët e Atletico-s nuk ia kanë kaluar më mirë, të mundur nga Betis në la Liga. Liverpool, finalisti i vitit të kaluar, ka marrë dy barazime radhazi në Premier kundër Leicester dhe West Ham, ndërsa Bayern, rivali i “Të Kuqve” në 1/8-at, është mundur 3-1 në kampionat nga Bayer Leverkusen.

Këto rënie të rendimentit mund të kenë lidhje me planifikimin e përgatitjeve fizike të bëra nga klubet e mëdha gjatë dimrit: pak vuajtje në janar dhe shkurt, për të qenë në maksimumin e formës në mars. Për këtë arsye rezultatet e fundit nuk mund të merren shumë për bazë. Prova e vërtetë do të jetë Champions-i.

VAR – Mesjavën e ardhshme do të vijë edhe debutimi i shumëpritur i VAR, që është përdorur në Rusi 2018, por që është zhdoganuar vetëm kohët e fundit nga UEFA, e cila nuk ka mundur të ndalojë futjen në fushë të teknologjisë pas gabimeve të bujshme të verifikuara në edicionet e fundit të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube.

Roberto Rosetti, shefi i arbitrave të UEFA-s, ka konfirmuar konceptet bazë: do të përdoret vetëm në rast të një gabimi të qartë; për situatat objektive (pozicion jashtë loje, faull brenda apo jashtë zonës së rreptësisë…) do të mjaftojnë dy arbitrat e VAR; për rastet që kanë nevojë për interpretim, arbitri kryesor të shikojë përsëritjen e imazheve buzë fushës, “por qëllimi është që teknologjia të përdoret sa më pak të jetë e mundur dhe vetëm kur të jetë e domosdoshme”.

Ndeshjet e 1/8-ave

E martë, 12 shkurt: Roma-Porto (21:00)

E martë, 12 shkurt: Manchester United-PSG (21:00)

E mërkurë, 13 shkurt: Tottenham-Borussia Dormund (21:00)

E mërkurë, 13 shkurt: Ajax-Real Madrid (21:00)

E martë, 19 shkurt: Lyon-Barcelona (21:00)

E martë, 19 shkurt: Liverpool-Bayern Munich (21:00)

E mërkurë, 20 shkurt: Atletico Madrid-Juventus (21:00)

E mërkurë, 20 shkurt: Schalke-Manchester City (21:00)

E martë, 5 mars: Dortmund-Tottenham (21:00)

E martë, 3 mars: Real Madrid-Ajax (21:00)

E mërkurë, 6 mars: Porto-Roma (21:00)

E mërkurë, 6 mars: PSG-Manchester United (21:00)

E martë, 12 mars: Juventus-Atletico Madrid (21:00)

E martë, 12 mars: Manchester City-Schalke (21:00)

E mërkurë, 13 mars: Barcelona-Lyon (21:00)

E mërkurë, 13 mars: Bayern Munich-Liverpool (21:00)