– tej tri pjatave me analistë –
Pjata e parë:
Analistë që dalin me përfundime thjesht duke shqyrtuar faktet. Si mjeku në laborator: thotë çka tregojnë analizat, qoftë mirë apo keq.
Të dëshiruar për publikun.
Të padëshiruar për kuzhinat e majme politike.
“Specie në zhdukje”.
Pjata e dytë:
“Analistë” pranë tepsisë. Të përhershëm në ekranet e tepsisë. Mjeshtër si «zhurmues» ekranesh. Ndërpresin vazhdimisht të ftuarin opozitar. Mos e lini të shpalosë idetë!
Thjesht militantë. Tepsia i gradon analistë. Analisti dhe njëanshmëria përjashtojnë njëri-tjetrin.
Pjata e tretë:
«Analistë» të pa(k)varur, me veshje kozmopolite. Bëjnë sikur qëndrojnë mbi të gjithë. Përdorin fjalë të mëdha: “klasa politike”, “politika». S’e venë gishtin te përgjegjësit konkretë për probleme konkrete. Shoqërisht të rrezikshëm. Sepse:
-Barazojnë të mirin me të ligun. Hajdutin, kriminelin, trafikantin e fshehin në turmë.
-Vrasin shpresën. U thonë shqiptarëve kot mundoheni, të gjithë janë njësoj. Vrasja e shpresës i hap rrugë të keqes.
-Poshtërojnë shqiptarët. Çdo popull meriton klasën politike që ka. Shqiptarët këtë klasë politike kanë. E meritoni, jeni si ata!
Jozef Pulicer (Joseph Pulitzer, 1847-1911), gazetar, jurist dhe politikan amerikan, thoshte: “Republika jonë dhe shtypi i saj ngrihen ose bien bashkë.”
Mehmet ELEZI
31 janar 2019