“Evropa e Lirë”, 21 janar 2019:

“Thaçi përsëriti se në kuadër të marrëveshjes finale midis Kosovës dhe Serbisë, edhe komunat në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë e Bujanoc) do të bëhen pjesë e Kosovës. Edhe Gazivoda (Ujmani), edhe veriu i Mitrovicës e Trepça do të jenë pjesë të Republikës së Kosovës… dua t’i hedh poshtë të gjitha thashethemet”.

I beson vetë ai këto?

S’e paragjykojmë.
Nëse z. Thaçi është i sinqertë, a thua paska ndryshuar Vuçiçi, mezi pret bisedimet me i kthye Kosovës toka që janë nën juridiksionin e Serbisë? Një luginë strategjike si ajo e Preshevës, pa kërkuar asgjë?

«Thashethemet» shtrojnë të paktën tri «ose»:

Ose Thaçi nuk thotë të vërtetën dhe kjo s’është mahi. Atdheu u përket të vdekurve e të gjallëve në njëqind breza. Trualli i Kosovës është gjak. Herët a vonë ai gjak mbyt cilindo që luan me të.

Ose Vuçiçi është bërë Shqiptar.

Ose, si kompensim, parashikohet me i ba Serbisë lëshime që kushtojnë jo më pak se toka e Kosovës. Prandaj nuk thuhen.

“Thashethemet” thonë Mitrovica do të jepet, Lugina s’do të merret! Do të këmbehet copa me thërrimen. Pavarësisht “statuseve”.

Një fjalë e urtë hebreje thotë “Më e rëndësishmja në një bisedë është ajo që s’e ke thënë”.
Duhet transparencë?

Mehmet ELEZI
04 shkurt 2019