1.
Si ike Nana Mbretneshë Geraldina,
Kaq papritur.
Kaq shpejt.
Kaq madhështore.
Me kaq heshtje.
Ike në udhëtimin e përjetshëm,
Në Parajsë.

Përballë Teje,
Përkulen engjejtë…
E djajtë…
Djajtë që s’erdhën…
Janë qirinj të fikun.
Drita e shpirtit Tënd
I ka venitur…

E di.
Ke shpirt të madh.
Edhe në atë Botë
Ke për t’i falë…
Për të vetmin fakt:
Se janë të Dheut Shqiptar.

Falna dhe Ne,
Që të deshëm shumë e bamë pak.
Që të lamë 6 dekada larg.
Që të përcjellim me lule e lotë
E nuk të sollëm në Atdhe,
Në Fron,
Me Kurorë Mbretërore mbi kokë.

2.
Nanë Mbretnesha Geraldina,
Na i dhe të gjitha:
Dinjitetin,
Krenarinë,
Madhështinë,
Bukurinë…
Për këtë Vend.
Dhe në fund,
Na dhurovë çka të kishte mbet’
Shpirtin Tënd.

Na erdhe e buzëqeshur.
Gjithë nur na ike.
Si s’na e the një fjalë të rëndë…
Asnjëherë me ne s’u mërzite…

Ku e gjete gjithë kit’ forcë,
Kit’ frymëmarrje të pastër,
Si rrezatoje kaq dritë shpirtërore, biblike,
Më thuaj sa e madhe është zemra Jote,
Që mban një dashuri
Kaq magjike,
Kaq klasike,
Për Vendin e Shqipeve.

3.
Na erdhe si Engjëll,
Në krahë të Mbretit Zog.
Si shenjtore
Po të përcjellim sot.

Ike për të ardhur,
Si rreze drite,
Mbi këtë Tokë Epike.

4.
Nana Mbretneshë Geraldina,
Po ikën krahëhapur,
Me varr të pahapur…
Me varr të pambyllur…
Me njëren dorë
Po përqafon Mbretin Zog në Paris,
Që si dikur ta kesh pranë…
Me dorën tjetër
Po përqafon shqiptarët,
Si djalin e nipin Tand.

Oj, Nanë e madhe Geraldina,
Forcë graviteti e kësaj Toke,
Me ato duar të hapuna,
Po i bashkon e mëkon
Shqiptarët e kësaj Bote.
Që t’ua bësh më të lehtë Dheun,
Që ta bajnë më të bukur Atdheun.
Ty prapë të punon zemra
Për Shqipëri e Shqiptari.

E di:
Drejt kësaj Toke erdhe.
Në kit’ Tokë hyre.
Për Ty, o “Trandafil i bardhë”,
Simbol i Historisë,
Në hapësira Legjende…
Prapë të çelin ëndrrat
Si stinë pranvere.

5.
Ne,
Përkrah maleve,
Në lartësinë e yjeve,
Në piedestalin e kohërave,
Do të kemi:

Qiellore si Hyjneshë.
Tokësore si Mbretneshë.
Të thjeshtë dhe madhështore,
Simbol i Tokës Arbnore.
Me emrin e përjetshëm
Në Abetaren e Kombëtare:
Geraldina e Shqiptarëve.

E shkruar në Bar-Dimal në Tiranë, më 26 tetor 2002, pas Ceremonisë Mortore të Lamtumirës së fundit të Nanës Mbretneshë – Geraldina e Shqiptarëve.
Atë ditë ishim tuj pi kafe e ndejt për qejf me të ndjerin e të nderuarin Njeriun e Mirë, Muhamet MALO – “Nderi i Kombit”, njeriu që ka ba shumë përkujdesje e kontribute për Nanën Mbretëreshë Geraldina e Shqiptarëve.