Më 21 janar 2019 ishte 30-vjetori i vdekjes së Muharrem Bajraktarit, nacionalistit dhe antikomunistit të njohur lumjan. Pat lindur në Domaj (Ujmisht) më 1895 në një familje bajraktarësh me kontribute atdhetare.
U arsimua në Kolesjan, Prizren e Vjenë. U përfshi në lëvizjen patriotike në fillim të viteve 20; si oficer i xhandarmërisë shqiptare (1922-1924) mbrojti rendin kushtetues. U arratis në Jugosllavi pas Kryengritjes së Qershorit, por në fund të dhjetorit 1924 u kthye në Shqipëri bashkë me mbretin Zog. Qe anëtar i gjyqit ushtarak në Shkodër, zonëkomandant në Peshkopi, komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë (1929-1933) me gradën deri kolonel, me asistencën e gjeneralit anglez. Persi. Luftoi për vendosjen e rendit e të qetësisë në Shqipëri. Për pak kohë qe ndihmës adjutant i mbretit Zog, me të cilin u divorcua për shkak kontradiktash politike. Në dhjetor 1934 u largua në Jugosllavi, prej kah, në korrik 1935, kaloi në Francë (Paris) si emigrant politik.
Atje me nismën e disa krerëve të emigracionit u formua organizata “Bashkimi Kombëtar”, në udhëheqje të së cilës qe edhe M. Bajraktari. Me këte funksion ai i pat shkruar ambasadorit britanik në Paris, ministrit të Jashtëm anglez dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve.
Pushtimi fashist i Shqipërisë (7 prill 1939) e gjeti në Paris, ku me disa shokë nuk pranoi të vihet në shërbim të qeverisë kuislinge. Në shtatorin e atij viti, pas një qëndrimi disamujor në Romë, u kthye në Shqipëri. Këtu (dhe në Romë) nuk iu nënshtrua presioneve dhe joshjeve të pushtuesit. Qëndroi më shumë në Lumë, përballoi konfliktin italo-jugosllav (prill 1941) dhe më 14 prill u hodh në ilegalitet. Çeta e tij prej 30 vetash ra disa herë në përpjekje me karabinierinë e milicinë fashiste, prandaj qe vlerësuar në Rezolucionin e Konferencës së Pezës (16 shtator 1942).
Më 1942 regjimi fashist e përndoqi dhe i dogji shtëpinë, si dhe i internoi familjen. Për shkaqe të justifikuara nuk mori pjesë në Konferencën e Pezës dhe në Mbledhjen e Mukjes (gusht 1943).
Gjatë okupacionit fashist M. Bajraktari kontaktoi me krerë nacionalistë dibranë, kosovarë, të Ballit Kombëtar e të Legalitetit. Mori pjesë në Mbledhjen e Lurës (gusht 1943) dhe udhëhoqi malësorët e Lumës në sulmin kundër garnizonit italian të Kukësit, ku u vranë dhjetëra ushtarë italianë e gjermanë (8 – 9 shtator 1943). Qe kundër dërgimit në Jug të forcave bashibozuke të Veriut. Me oficerët e misioneve britanike pat pajtime e mospajtime (për çështjen e Kosovës), por i pat dërguar një promemorie Antoni Idenit (shkurt 1944), ku “u hodhën në mënyrë koherente dhe të shprehur ato ide që ishin shpallur gojarisht edhe nga përfaqësues të tjerë të kësaj rryme politike (Hibbert). Pat dy-tri takime me oficerë gjermanë, ndër ta edhe me Nojbaherin, Komisarin e Lartë për Ballkanin. Joshjes dhe presionit të tij për t’iu bashkuar kabinetit që po krijohej në Tiranë iu përgjigj idhshëm dhe e refuzoi. Me qëndrimin e tij të prerë pengoi forcat gjermane të futeshin në brendësi të Lumës.
E patën akuzuar si bashkëpunëtor të Drazhe Mihajloviçit, po korrespondenca me të vërtetoi të kundërtën. Për të më i rrezikshëm ishte Titoja se Drazhoja, pse thoshte: “Drazha në Dri, Titoja në det”.
Me qeveritë e Tiranës M. Bajraktari (veç një periudhe njëmujore kur qe kryeministër Fiqiri Dineja) nuk u afrua dhe nuk bashkëpunoi.
M. Bajraktari ka pritur e përcjellë në shtëpi edhe udhëheqës komunistë, por ka qenë një antikomunist i vendosur. S’ka folur kundër Lëvizjes NaÇl, por nuk ka pranuar të aderojë në të, por të luftonte i pavarur, pse qe për “pluralizëm politik” (prandaj nuk e pat njohur Kongresin e Përmetit).
Sipas të vëllaut, Bajramit (Vija politike e M. Bajraktarit) Muharremi ka qenë kundër vëllavrasjes dhe atentateve politike, për një rezistencë pasive që të mos dëmtohej populli dhe për të ruajtur forcat për një luftë gjithëpopullore.
Për të ruajtur krahinën e tij nga “forca të huaja” pat organizuar “Mbledhjen e Kroit të Bardhë” (12 gusht 1944) me pjesëmarrjen e Shtatë bajrakëve të Lumës. Prova e parë qe sulmi mbi një repart gjerman në Qafë të Kolesjanit (17 gusht 1944) që ndiqte një oficer të arratisur. Po atë ditë nacionalistët çlirojnë Bicajn. Tre ditë më vonë forcat gjermane të garnizonit të Kukësit sulmojnë me artileri pozicionet e nacionalistëve lumjanë, të cilët nën udhëheqjen e Muharrem Bajraktarit pozicionohen në frontin e Gostilit (20 gusht – 10 shtator).
Qysh para hyrjes së Brig. V në Lumë Enver Hoxha kishte urdhëruar asgjësimin e M. Bajraktarit, në qoftë se ky nuk pranonte të hyjë në Frontin Na.Çl. Më 2 shtator 1944 udhëheqja komuniste e Div. I. partizan, në një takim në Kalis, nuk arriti të bindë Bajraktarin të aderojë në Front, prandaj me urdhër nga E. Hoxha organizoi “kurthën e Gostilit” (10 shtator 1944) për asgjësimin fizik të tij. Bajraktari shpëtoi, por u detyrua të braktisë frontin antigjerman. Kështu krijohen kushtet për një ballafaqim ushtarak të malësorëve të Lumës me forcat e Brigadës V dhe për nisjen e një lufte civile, ku humbën jetën dhjetëra partizanë e nacionalistë vendës dhe u pushkatuan pa gjyq 32 martirë nga Lusna, Buzmadhja dhe Novosej.
Për këte kasaphanë është tentuar të fajësohej M. Bajraktari, por shkaktare ka qenë Partia Komuniste me vijën e saj politike: “o me ne o kundër nesh” – siç e ka dëshmuar Plenumi II i Beratit.
Më pas M. Bajraktari dhe ndjekësit e tij u pozicionuan nëpër malet e Lumës dhe të rrethinës, strehuar dhe ushqyer nga populli, i cili i mbrojti nga hafijet dhe forcat e Sigurimit. Gjatë kësaj kohe ai u orvat të organizojë një kryengritje të përgjithshme me përkrahjen e përfaqësuesve të qeverive perëndimore në Tiranë.
Kur synimet dhe përpjekjet e tij dështuan e pse humbi bashkëpunëtorët më të mirë dhe dy djemtë dhe jeta në male u bë e pamundur, vendosi të largohet nga atdheu. Më 25 gusht 1946, në krye të një shpure prej 56 nacionalistësh nga Shqipëria dhe Kosova ndërmori një odise të vështirë ku humbën jetën 22 prej tyre dhe kaloi në Greqi (13 shtator 1946). Aty qëndroi deri në vitin 1949, kaloi pastaj në Itali, ku u formua “Komiteti Shqipëria e Lirë”, në ekzekutivin e të cilit qe edhe M. Bajraktari,
Në Greqi Bajraktari shkroi një promemorie për Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit (9.03.1947), ku protestonte kundër akuzave që i visheshin nga qeveritë komuniste të Beogradit dhe të Tiranës.
Për shumë vjet jetoi në Bruksel rrethuar nga ithtarë bashkëkrahinarë dhe bashkatdhetarë, të cilët e përcollën në botën e anmuar më 21 janar 1989.
Ai la pas një emër dhe një veprimtari të shquar si patriot i spikatur dhe si antikomunist i vendosur. Burra të tillë rrallë ka nxjerrë Luma, por edhe Shqipëria.
Tiranë, janar 2019

(Në foto: Muharrem Bajraktari)