Nga dita e nesërme, 1 shkurt, do të hyjë në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë e nënshkruar midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Japonisë.
Marrëveshja, e cila është ratifikuar zyrtarisht pas negociatave që zgjatën katër vite, do të jetë e vlefshme nga dita e nesërme, njoftoi Komisioni Evropian.
Marrëveshja e Partneritetit Ekonimik dhe Partneritetit Strategjik u nënshkrua në muajin korrik gjatë Samitit BE-Japoni në Tokjo me pjesëmarrje të kryeministrit japonez Shinzo Abe, presidentit të Këshillit Donald Tusk dhe atij të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, ndërsa më pas u ratifikua nga të dyja palët.
Negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë kishin përfunduar në dhjetor të vitit 2017 pas një kohëzgjatjeje prej katër vitesh. Me këtë marrëveshje do të hiqet pjesa më e madhe e tarifave doganore reciproke që paguajnë kompanitë, do të zgjerohet qasja reciproke në tregjet e sektorëve të shërbimeve financiare, tregtisë elektronike, komunikimit dhe transportit, si dhe në mënyrë graduale do të hapen tregje në sektorin automotiv, i cili është përshkruar si sensitiv.