Tiranë më 26.01.2019

Shënohen në Suedi tri, për herë të parë me dhe për Plisin e Bardhë

(21.12.2018-05.01.2019)

Mbresa, qëndrime dhe pasqyrim realiteti.

Gjatë qëndrimit në Suedi, për herë të parë e pashë Sadulla Zendeli Daja në një foto me Plis të Bardhë, po ashtu nga Suedia për herë të parë një i huaj, z. Ullmar Qvick, por mik i përbetuar i shqiptarëve, shkruan poezi për Plisin e Bardhë.

Për herë të parë shënohet me suksesin e dëshiruar edhe në Suedi “Dita e Plisit”, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani”, Suedi.

Ka shumë raste që duhet t`i nënshtrohesh rrethanave për të realizuar atë sa e si mundesh, por atëherë kur ka e gjen vullnet dhe mirëkuptim, ndodh që rezultati i tejkalon pritshmëritë, biles në shumë raste edhe të asaj sa arrihet pas përgatitjesh, edhe serioze qofshin ato.

Ka tre vite që familjarisht me bashkëshorten time Belkize Gjedia dhe vajzën Anabela Gjedia (përpos këtij viti e cila ndodhet në Angli) graviteti i fundvitit na tërheq për Suedi, atje ku po jeton dhe studion djali ynë Agbel Gjedia, kjo me qëllim për të qenë të gjithë së bashku.

Por atje qëndron i stabilizuar më së miri edhe vëllai i nuses, Asim Zenel Malaj, i cili është kthyer në një bazë mikpritjeje jo vetëm për ne të cilën e quan për detyrë, (regresivisht kjo tani në këto periudha po ndjehet më se pakti) por edhe për shumë malësorë dhe shqiptarë të tjerë.

Por për në kësi rastesh kjo nuk është më interesantja për ta ndarë me opinionin e gjerë, pasi çdonjëri bën organizime të tilla të cilat janë me rëndësi personale dhe familjare.

Por nga e gjitha kjo, po përpiqem të veçoj atë që sadokudo do jetë e duhet të jetë me ndonjë interes të caktuar për publikun e interesuar e jo atë indiferent apo të tjetërsuar për sa i përket interesit kombëtar.

E vë në pah se gjatë ditëve të qëndrimit tim në Suedi, koha mjaftë e “gjatë”, me netë të gjata dhe ditë të shkurtra të cilat në periudhën e dimrit, dominohen nga bardhësia e dëborës, këtu përndryshe vendlindjes kur atëherë kur ishim fëmijë, bora mbante edhe më shum se sa 3 muaj kohë, e cila në mënyrë të organizuar për ne përbënte një pjesë të gjatë argëtimi, por për mua këtu nuk të ofrojnë shumë mundësi duke qenë provizorisht dhe në një vend të huaj.

Por kur do që t`i “nxjerrësh” punë vetes dhe ke një motiv, por edhe shokë dhe miq me të cilët ke dëshirë që të ndash orë dhe ditë me ta, gjërat lëvizin në kahjen e dëshiruar.

Edhe tani më pas kur bëj një analizë, trendi i kahjes së qëndrimit atje, ishte shijimi dhe sundimi i bardhësive që ka fal natyra por edhe asaj që ka krijuar njeriu e aq më tepër kur ajo është me përmbajtje substanciale sikurse është “Plisi i Bardhë” i cili për mua është kthyer në një motiv kuptimplotë, por gjithsesi ai motiv ka fituar dhe sikurse po shihet më së miri po fiton një terren masiv.

Kur po udhëtoja me avion mbi gerxhet Ilirikë (Ballkanike), si dhe dy herë të tjera dhe u afruam ne pllajat me liqenë të pa fund të Suedisë mbuluar me dëborë, në kësi rastesh kur nuk tretesh në përhumbje udhëtimesh të gjata, por gjallon me një fantazi “pjellore”, ndodhi që këtë radhë kisha rastin që me vete kisha marrë edhe dy plisa të bardhë porositur për në Suedi, nga dy njerëz të njohur (Asim Malaj dhe Zefë Mirdita) të cilët u bënë shkak që mendimet të vërtiteshin edhe rreth ngarkesave etno-kulturore dhe simbolike që ata mbartin.

Me vetë kisha edhe disa libra me temë për Plisin, “Fond i Shoqatës Mbarëkombëtarë Bytyçi, Tiranë-Prizren”, sikurse ishte libri im, “Plisi i Bardhë Emblemë Hynjore e Shqiptarisë”, dhe libri tjetër të përgatitur nga ana ime “Plisi i vargut tim”, përmbledhje me poezi, himne dhe poema vetëm për Plisin të cilat pak a shumë i kisha planifikuar se kujt do ja jepja.

Në shenjë respekti për kontributiun e ndihmën e saj lidhur me emigrantët shqiptarë të Shqipërisë dhe viseve shqiptare nga Ballkani, në Suedi, dhe besimin se do jenë në dorën e duhur, një set të këtyre librave kisha planifikuar edhe për kolegen dhe avokaten e mirënjohur atje, Kosovaren Vlora Rexhepaj.

Kështu që janë të gjitha këto së bashku të cilat të krijojnë një imazh përdëllues në mes bardhësisë së plisave dhe dëborës edhe pse diku tjetër larg Shqipërisë, të cilët këta të fundit e kanë shfrytëzuar atë në mënyrë prefekte simbolikën e saj për ta materializuar bardhësinë e saj në një simbol sikurse është Plisi, i cili shpreh pastërtinë shpirtërore, fizike, në marrëdhëniet shoqërore si një ndër gjërat më të shenjta që mund të jetë, dhe kjo ka ndodhur dhe ndodh tek ne Shqiptarët si askund tjetër në ndonjë vend të Ballkanit, apo Europian.

Por në fokus të trajtimit sa më konçizë do jenë “tre herët e para me dhe për Plisin e Bardhë” në Suedi.

Së pari me dhe për plisin, për herë të parë u shënua nga ana ime në Suedi, ajo që u realizua me datën 03.01.2019, në takimin me personalitetin e Shqiptarizmës, z. Sadulla Zendeli Daja.

Sapo u lajmërova tek Sadulla Zendeli-Daja se isha në Suedi, nuk mund të justifikohesha për të mos iu përgjigjur ftesës së tij për të shkuar i ftuar për vizitë në shtëpinë e tij në Storgaton, Farjestaden Svarrige që ndodhej në veriun e largët të Suedisë.

Ky person dhe personalitet i shquar i patriotizmës shqiptare dhe letrave të shkruara Shqipe, me punën e tij intelektuale, përkushtimore, patriotike dhe humane e ka fituar prej kohësh staturën e “Babait” të Shqiptarëve në Suedi. Ose pa frikë mundet të thuhet se ai është “nëna” e shumë e shumë qasjeve të marrëdhënieve të ndërvarura të Shqiptarëve dhe Suedezëve në atë vend. Çdo herë që rri dhe bisedon me të është kënaqësi, sepse dëgjohet me ëndje dhe nga ai mëson shumë. Bisedat që u zhvilluan në studion e tij në prezencë të Asim Zenel Malajt dhe Agbel Agron Gjedia, por edhe gjatë drekës ishin të shumta dhe të larmishme, të cilat të bëjnë për vete, kështu që na rrodhi koha pa u ndjerë. Por e veçanta e këtij takimi të radhës, ishte ajo se për këtë takim u mora enkas “borxh”, plisat që u solla nga Shqipëria miqve të mi dhe me ato bëmë foto me Dajën. Kjo ishte hera e parë që shihja në foto me plis Dajën.

Në atë takim me dajën nga ana e tij e mori përsipër që në emrin tim dhe të Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, të përshëndeste takimin, Akademi Përkujtimore në Ängelholm të Suedisë e titulluar “Malli për Rugovën”. Po ashtu t`u dorëzonte për organizatorët në emrin tim edhe dy libra sikurse ishin “Plisi i Bardhë Emblemë Hynjore e Shqiptarisë”, dhe librin tjetër të përgatitur nga ana ime “Plisi i vargut tim”.

Kurse me datën 04.01.2019, në qytetin Norrköping të Suedisë, pata një takim miqësor dhe të përzemërt, organizuar me z. Ullmar Qvick, personalitet i letrave të shkruara dhe mik i dëshmuar i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi.

Ai takim u realizua në prani të z. Fahredin Berisha, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Iliria” në Norrköping, dhe z. Asim Zenel Malaj, me qëndrim në Suedi, kontributor i Shoqatës Mbarëkombëtarë “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, dhe z. Agbel Gjedia, nxënës në Suedi.

Edhe këtij miku të madh dhe të nderuar të Shqiptarëve dhe fasrketuesi të miqësisë në mes popullit Shqiptar dhe ati Suedez, e pash me vend që t`i dhuroja dy libra, sikurse ishin “Plisi i Bardhë Emblemë Hynjore e Shqiptarisë”, dhe libri tjetër të përgatitur nga ana ime “Plisi i vargut tim”. Por pa kaluar shumë kohë u pa se ajo dhuratë modeste dhe përmbajtësore ishtë më me vend se shumkund tjetër.

Por sikurse rezultoi pa u vonuar, ai i kishte lexuar edhe librat që ju dhuruan nga ana jonë dhe i frymëzuar dhe duke i vlerësuar ato, kishte realizuar menjëherë një krijim në vargje i cili mbante datën 7.1.2019, ose 3 ditë pasi librat i kishin rënë në dorë për t`i lexuar.

Krijimi i ti përmbajtësor titullohej “Këngë Nordike për Plisin e Bardhë”, duke shenuar atë që një i huaj për herë të parë, të sjellë në shqip një krijim në vargje për Plisin e Bardhë Shqiptar. Kështu që duke filluar gradualisht e në një hark kohor të shpejtë, u shënua, për herë të parë me dhe për Plisin krijimi në vargje nga një i huaj, gjë që nuk është parë më parë deri në këtë rast.

Por më 19 janar 2019 në Ängelholm të Suedisë, lidhur më Plisin, kulmoi shënimi për herë të parë i manifestimit “Dita e Plisit”.

Ndonëse kisha ftesën nga ana e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi, nënshkruar nga kryetari i saj z. Hysen Ibrahimi, për të marrë pjesë më 19 janar 2019, në Akademinë Përkujtimore në Ängelholm të Suedisë e titulluar “Malli për Rugovën” kushtuar figurës së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, pavarësisht nga dëshira, vajtja ime dy herë në Suedi për një kohë të shkurtër ishte e pamundur.

Por sikurse u informova më pas nga organizatorët në adresën timë të E-mailit dhe po ashtu e përcolla edhe jehonën e asaj veprimtarie, ajo ditë sikurse edhe në rastet e tjera kishte qenë e suksesshme për atë manifestim dhe veprimtaritë që u mbajtën gjatë atij manifestimi.

Në Akademinë Përkujtimore e cila u mbajt në Angelholm të Suedisë e titulluar “Malli për Rugovën” kushtuar figurës së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, në këtë event u mbajt edhe “Dita e Plisit”. Po ashtu u përurua numri i nëntë i ”Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare”, dy leksikon, si dhe disa libra të rinj të krijuesve të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Papa Klementi i XI Albani” në Suedi. Këto dy aktivitete u mbajtën në nderim të figurës së presidentit historik Dr. Ibrahim Rugovës si dhe të Plisit të Bardhë, këtij simboli të moçëm të identitetit tonë kombëtar.

Uroj, shpresoj dhe shpreh gadishmërinë për t`i shërbyer qasjes së nismës së Shoqatës Mbarkombëtare “Bytyçi” Tiranë-Prizren, që “Festa e Plisit të Bardhë” themeluar nga ana e saj të arrijë të shpallet si një festë mbarëkombëtarë shqiptare, për t`u unifikuar në një ditë të vetme mbajtja e saj.

Nga Agron Isa Gjedia

Kryetar i Shoqatës Mbarkombëtarë “Bytyçi” Tiranë-Prizren