Më 24 janar nisi një mision i paprecedent shkencor që shpreson të hedh dritë mbi të panjohurat e Oqeanit Indian. Studiuesit planifikojnë të zhyten më thellë se kurrë më parë pranë ishujve Seychelles duke përdorur pajisje të teknologjisë së lartë, për të vlerësuar ndikimin e ndryshimeve klimatike, si dhe për të kërkuar për specie të reja.
Misioni ambicioz do të realizojë zhytjen më të thellë të bërë ndonjëherë në fundin e oqeanit.
Nekton, një organizatë bamirëse për oqeanin me seli në Britani, në partneritet me qeverinë në Seychelles, do të fillojë ekspeditën shtatë javore për të eksploruar dhe për të vëzhguar thellësitë e paprekura më parë në Oqeanin Indian.
Misioni do të ndiqet nga agjencia e lajmeve “Associated Press” e cila do të filmojë punën shkencore gjatë ekspeditës.
Shkencëtarët do të hartojnë shtratin e oqeanit duke përdorur sistemet sonarë, dhe do të vëzhgojnë kafshët e egra që jetojnë në këto thellësi duke përdorur nëndetëset e teknologjisë së lartë dhe automjete të telekomanduara në distancë.
15 sisteme të ndryshme kamerash do të ndihmojnë shkencëtarët të krijojnë harta të hollësishme 3D të ekosistemeve të oqeanit në thellësi deri në 2 mijë metra në zonën përreth ishujve Seychelles. Programet e reja të inteligjencës artificiale do të analizojnë orë të tëra filmimesh nënujore dhe të dhëna të tjera të shumta që do të grumbullohen gjatë misionit.
Oqeani Indian, i treti më i madh në botë, cilësohet si “Oqeani i vetmuar”, për shkak të mungesës së njohurive dhe kërkimit shkencor mbi të.
Ndërsa shumë punë shkencore janë kryer në ujërat e cekëta të Oqeanit Indian, misioni i organizatës Nekton ka për qëllim të zhytet më thellë se kurrë më parë.
Sipas shkencëtarëve, në thellësinë 2 mijë metra ndodhet një biodiversitetit i madh.
Shpresa është që të zbulohen lloje të reja speciesh, si Coelacanth, një “peshk dinosaur” që mendohet të jetë zhdukur 65 milionë vjet më parë.
“Nuk ka pasur pothuajse asnjë mision në ujërat e thella rreth ishujve Seychelles. Pra, nuk e dimë akoma çfarë ka aty dhe qëllimi është ta zbulojmë këtë”, thotë Alex Rogers, profesor në Universitetin e Oksfordit.
Vendet që lagen nga Oqeani Indian janë strehë për 2.5 miliardë njerëz.
Shkencëtarët e këtij misioni thonë se puna e tyre vjen në një kohë të rëndësishme. Ndërsa industritë mbështeten gjithnjë e më shumë në ujërat e oqeanit, mbeturinat plastike që sillen nga lumenjtë, dhe temperaturat në rritje po dëmtojnë shkëmbinjtë e brishtë koralorë.
Rreth 70 për qind e të gjithë shkëmbinjve koralorë tropikal të botës pritet të përjetojnë temperatura të larta të tejzgjatura, të cilat mund të shkaktojnë atë që njihet si zbardhja e koraleve, duke zhdukur algat në to.
Paris Stefanoudis, një nga drejtuesit e misionit thotë se në qoftë se zbulohen korale të shëndetshme në thellësi të oqeanit, kjo mund të rrisë shpresat për ripërtëritjen e shkëmbinjëve nënujorë të koraleve në nivel global.
“Ato mund të jenë të shëndetshme, që do të ishte një lajm i mirë. Kjo do të bënte që koralet në thellësi të oqeanit të mund të shërbejnë si shpëtim për ato që janë në ujërat e cekta”, thotë ai.
Yves Plancherel, një hulumtues në Institutin Grantham të Londrës thotë se misioni është hapi i parë për të zbuluar të panjohurat:
“Nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhet atje. Si mund të vlerësojmë se sa i ndjeshëm apo i përshtatshëm është ky mjedis ndaj ndryshimeve të klimës, kur nuk dihet se çfarë ka? Pra, hapi i parë është, sigurisht, të përshkruhet ai mjedis”.
Anija kërkimore 87 metër, “Ocean Zephyr”, është në qendër të misionit lundrues në Oqeanin Indian. Ajo ishte në Portin e Bremerhavenit në Gjermaninë veriore, ku shkencëtarët u përgatiten për fillimin e misionit.
“Ka një urgjencë të madhe në atë që po bëjmë, sepse oqeani po ndryshon më shpejt nga sa ka ndryshuar për miliona e miliona vite. Duhet të kuptojmë si po ndryshon dhe duhet ta kuptojmë tani. Oqeani po preket nga një seri ndryshimesh që mund të jenë mjaft të rëndësishme dhe që mund të shkatërrojnë aftësitë për të mbështetur jetën e banorëve në planetin tonë “, thotë Oliver Steeds, drejtues i misionit.
Misioni i zhytjes së parë në Oqeanin Indian do të zhvillohet më 3 Mars. Zbulimet e shkencëtarëve do të prezantohen në Samitin për Oqeanin Indian në nëntor të vitit 2021.