Me rastin e 140 vjetorit të Luftës së lavdishme të Nokshiqit dhe të rënies se heroit mbarëshqiptar Jakup Ferrit, me nismën dhe përkrahjen e popullatës së Plavë e Gucisë, Kosovës e të trojeve etnike shqiptare familja Ferri kërkon nga institucionet përkatëse shtetërore të Kosovës që rruga Deçan-Plavë të pagëzohet me emrin e Jakup Ferrit i cili me tërë familjen e mbrojti shqiptarinë në Plavë e Guci dhe luftoi për lirinë dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.
QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE TRANSPORTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
PROPOZIM QË NË 140 VJETORIN E RRËNIES SË TIJ HEROIKE RRUGA DEÇAN-PLAVË TË PAGËZOHET ME EMRIN E JAKUP FERRIT
PROPOZIMI I FAMILJES FERRI
Në bazë të respektit që e gëzon Jakupi dhe familja Ferri në Plavë e Guci e në mbarë trojet shqiptare si dhe në bazë të meritave dhe sakrificave të këtij personaliteti historik dhe të anëtarëve të tjerë të familjes Ferri nga të cilat i veçojmë disa:
-në vitin 1879 duke e udhëhequr personalisht në fushëbetejë Luftën e Nokshiqit kundër forcave malaziase me ç’rast ishte korrur një ndër fitoret më të mëdha të luftës së popullit shqiptar Jakupi u vra heroikisht së bashku me dy vëllezërit e vet: Zeqon dhe Beqon.
– i biri i Jakupit, Hasani bashkë me 4 vëllezërit e tij, kishte vazhduar luftën kundër okupatorëve sllavë dhe në vitin 1912, kur i ishte dorëzuar Plava e Gucia Malit të Zi nga fuqitë e mëdha botërore Jakupit i ishin vrarë dy bijtë : Agani (babai i Shemso Ferrit) dhe Emini bashkë me tre nipa të familjes.
-në vitin 1944, gjatë Luftës II Botërore janë vrarë dy nipat e Jakupit: Shemsi (prefekt i Plavës dhe komandant i Ballit Kombëtar) dhe Rizai (i cili i kishte mbaruar studimet në Universitetin e Milanos në Itali dhe me dekret të Qeverisë Shqiptare ishte caktuar prefekt i Dibrës së Madhe), ndërsa për veprimtarinë e saj patriotike familja Ferri ishte shpallur “familje armike e shtetit” nga pushteti komunist jugosllav dhe i ishte konfiskuar e tërë pasuria në Plavë.
Familja FERRI, me iniciativë dhe me përkrahje të popullatës e me rastin e 140 vjetorit të Luftës së Nokshiqit dhe të rënies së tij heroike i propozon institucioneve përkatëse shtetërore të Kosovës, që rruga Deçan-Plavë të pagëzohet me emrin e Jakup Ferrit, i cili, bashkë me pasardhësit e tij, u dëshmua si mbrojtës i pakompromis dhe urë lidhëse mes trojeve shqiptare në Mal të Zi, të Kosovës e Shqipërisë dhe të trojeve të tjera etnike shqiptare.
Jakup Ferri, i biri i Ferr Durit, u lind në vitin 1832 në Plavë, në veri të Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve të Nemuna) buzë Liqenit të Plavës prej të cilit buron lumi Lim, që në atë kohë ishte pjesë e Shqipërisë nën sundimin e Perandorisë Osmane, sot e Malit të Zi. Për shkak të pozitës së vet gjeografike dhe rëndësisë strategjike Plava njihej si “mburojë e Rrafshit të Dukagjinit” e madje edhe e tërë Shqiptarisë.
Familja Ferri i takon fisit Kuçi, ndërsa rrjedhë nga Luhari i Malësisë së Shkodrës, prej nga kishte dalë i pari i familjes, Gjergj Prentashi me një vëlla dhe ishin vendosur në Podgoricë (Mali i Zi), ndërkaq prej aty Gjergj Prentashi kishte kaluar në Plavë (Shqipëria nën pushtimin e Perandorisë Osmane), ku sipas gjasave ishte konvertuar në islam. Gjergj Prentashi e kishte djalë Shabin, e Shabi i kishte dy djemë: Halilin e Durin, ndërsa Duri i kishte po ashtu dy djem: Ferrin (Ferr Duri-babai i Jakupit) e Hajron, prej të cilëve rrjedhë familja Ferri e Plavës.
Thuhet se Jakup Ferri që nga rinia e hershme dallohej për shkathtësi, forcë fizike e bukuri por edhe për atdhedashuri, burrëri, zemërgjërësi, drejtësi, sinqeritet e shkathtësi në përdorimin e armëve. Trimërinë thuhet se e kishte trashëguar nga e ëma ZylRexha, e njohur në tërë Malësi si grua trimëreshë, e cila kishte bartur kobure në brez, madje në një rast i kishte vrarë dy bejlerë duke i mbrojtur vajzat plavjane nga ngacmimet e tyre. Në aspektin fizik Jakupi ishte i gjatë, me mustaqe të zeza, hundë shkabë e shikim të mprehtë.
Jakupi i kishte tre vëllezër: Zeqon, i cili kishte qenë mjeshtër i dueleve dhe kishte vra me dhjetëra malazezë në duele ballëpërballë dhe ishte vrarë në Betejën e Moraçës 1876; Shaqirin, i cili ishte vra në një nga betejat e shumta kundër malazezëve dhe Beqirin i cili kishte rënë në Luftën e Nokshiqit.
Në moshën 25 vjeçare Jakupi ishte martuar me Pembën, kushërirën e Ali Pashë Gucisë dhe me të i kishin lindur tetë fëmijë (pesë djemë Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini dhe tri vajza: Kusha, Bardhokja dhe Zadeja).
Jakup Ferri kishte filluar veprimtarinë e tij patriotike e luftarake kundër malazezëve e turqëve në vitet e pesëdhjeta të shekullit XIX, që pasuan pas Reformave të Tanzimatit, kishte marrë pjesë në shumë beteja, ndërsa në vitet e shtatëdhjeta ai ishte bërë njëri nga trimat më të shquar të Malësise së Plavës e Gucisë dhe kishte marrë pjesë në kuvende burrash. Kulla e Ferrajve ishte bërë qendër e kuvendeve ku vinin burra jo vetëm nga Plava e Gucia por edhe nga Kosovë e trojet tjera shqiptare.Në këtë kohë Jakupi ishte njoftuar me SylejmanVokshin, Haxhi Zekën, AliIbërNezën e shumë prijës të tjerë të popullit shqiptar.
Në vitin 1875 në disa vende të Ballkanit ishin bërë kryengritje kundër Perandorisë Osmane, e po në këtë kohë edhe në Mirditë e Dukagjin ishte ngrit popullsia. Në vitin 1876 Serbia e Mali i Zi i kishin shpallë luftë Turqisë, por meqë u thyen ato në vitin 1877 edhe Rusia i shpalli luftë Turqisë, e cila e humbi luftën dhe si pasojë nënshkroi Paqën në Shën Stefan më 1878. Sipas Traktatit të Shën Stefanit Mali i Zi, Serbia e Rumania ishin bërë shtete të pavarura, Bullgaria kishte fituar autoniminë, ndërsa Shqipëria kishte mbetur nën Turqi, e madje disa pjesë të saj iu kishin dhënë Bullgarisë (Kumanova, Kaçaniku, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Pogradeci, Korça), Serbisë (një pjesë e Sanxhakut të Prishtinës deri në afërsi të Gjilanit e Mitrovicës) e Malit të Zi (Plava, Gucia, Vermoshi, Hoti, Gruda, Kelmendi, Kraja, Anamali, Tivari, Ulqini), gjë me të cilën shqiptarët nuk u pajtuan dhe u bënë rezistencë të armatosur sipas vendimeve të “Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare” e cila më 10. qershor 1878 (tri ditë para mbajtjes së Kongresit të Berlinit) formoi “Lidhjen Shqiptare të Prizrenit” me kërkesë të njohjes së Kombit Shqiptar me një gjuhë dhe një kryeqendër. Një ndër pjesëmarrësit të Lidhjes së Prizrenit ishte Jakup Ferri bashkë me AbdylFrashërin, Iliaz Pashë Dibrën, Ymer Prizrenin e shumë prijës të tjerë shqiptarë.
Në Kongresin e Berlinit Fuqitë e Mëdha: Gjermania, Austro-Hungaria, Franca, Italia e Rusia kishin vendosur ta rishikojnë Traktatin e Shën Stefanit, t’i copëtojnë tokat shqiptare dhe t’ua ndajnë ato Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë e Greqisë (Çamëria).
Vendimet e padrejta të Traktatit të Shën Stefanit dhe të Kongresit të Berlinit kishin tronditur mbarë Shqiptarinë. Gjatë verës së vitit 1878 të gjithë shqiptarët ishin ngritur në mbrojtje të trojeve të veta kundër vendimeve të Sulltanit e të Fuqive të Mëdha. Pikat kryesore të mbrojtjes i kishin organizuar Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri në Plavë e Guci me ndihmën e vullnetarëve nga Peja, Gjakova, Tropoja e viset e tjera shqiptare.
Në gusht të vitit 1879 Turqia kishte dërguar forca të mëdha në drejtim të Plavës për t’i përmbushur vendimet e Kongresit të Berlinit, por në shtator të atij viti Jakup Ferri udhëhoqi betejën në Gjakovë me ç’rast bashkë me Ali Pashë Gucinë, Ali Ibrën me bashkëluftëtarët të tjerë nga Plava, Gucia, Peja, Gjakova, Hasi, Reka, Tropoja etj. rrethuan forcat turke në Gjakovë, dhe në një betejë të përgjakshme e vranë Mehmet Ali Pashë Maxharin, të cilin e kishte dërguar Sulltani për t’ua dorëzuar Plavën e Gucinë malazezëve kundër dëshirës së shqiptarëve. Pasfitorës së shqiptarëve në Gjakovë kishte filluar shthurja e administratës turke në viset shqiptare dhe gjykatat shqiptare punonin paralelisht me ato turke apo edhe punonin vetëm gjykatat shqiptare, ndërsa Jakup Ferri, Ali Pashë Gucia e Ali Ibra kishin organizuar tubimet mbarëpopullore tek Verrat e Llukës dhe tek Lisat e Zogjëve në Prizren, ku u forcua besa dhe u bënë përgatitjet për qendresë kundër armiqëve.
Pas përgatitjeve e marrveshjeve me krerët e krahinave të ndryshme (Sylejman Vokshin, Hoxhë Koronicën, Hamëz Batushën, Musë Tahirin e me bajraktarin e Junikut), Jakup Ferri ishte nisur në Plavë për ta organizuar mbrojtjen, ndërkohë që Kryesia e Lidhjes së Prizrenit i kishte emëruarAli Pashë Gucinë dhe Jakup Ferrin komandantë të mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë së Veriut. Të gjithë shqiptarët “nga Prizreni deri në Dibër” e madje edhe nga viset e tjera (Tetova, Tropoja, Shkodra, Kurveleshi) ishin mobilizuar dhe kishin dërguar ndihma (vullnetarë, armë, ushqim, municione e tjera) në Plavë. Jakup Ferri udhëhiqte mbrojtjen e katër rajoneve rreth Plavës: në Qafë të Çakorrit, në Qafë të Diellit, në Arzhanicë-Pepaj dhe Brezovicë-Visitor si dhe tek Qafa e Previsë dhe nga ana e Gërçarit në rajonin e Gucisë.
Në tetor të vitit 1879 Mali i Zi kishte kërkuar nga Turqia dhe Fuqitë e Mëdha evropiane dorëzimin e Plavës e Gucisë, por meqë shqiptarët nuk lejuan një gjë të tillë Mali i Zi kishte filluar operacionet ushtarake nën komandën e Mark Milanit e Todor Milanit.
Mali i Zi kishte angazhuar 28 batalone me këmbësori, kalorësi e artileri të armatosura deri në dhëmbë me armë austriake (revole “Gaser”, pushkë “Vergel” e topa “Sferger”) dhe ruse (revole e pushkë “Nagant”), ndërsa vullnetarët shqiptarë ishin më pak në numër dhe dobtë të pajisur e të armatosur (me jataganë, sakica, kosa, me pak pushkë kapsollaqe e kobure).
Betejat madhështore u zhvilluan në Qafë të Previsë (nëntor 1879), në Velikë, Nokshiq (dhjetor 1879), ndërsa beteja vendimtare në janar të vitit 1880 në fushën e Nokshiqit, kur mbrojtësit shqiptarë falë taktikës së Jakup Ferrit, edhe pse më të dobët ushtarakisht (12.000 malazezë të mirë armatosur kundër 8.000 vullnetarëve të armatosur e të pajisur dobtë), i shpartalluan njësitet e ushtrisë malaziase nën komandën e Todor Milanit e Bllazho Petroviqit. Në betejën e fundit në breg të Limit, më 4 janar 1880, ishte plagosur rëndë edhe Jakup Ferri (me shtatë plagë dhe me tridhjetë koka të prera të armikut rreth veti) bashkë me 103 udhëheqës të tjerë popullor shqiptar. Jakupi kishte ndërruar jetë në Plavë më 11 janar nga plagët e marra në betejë. Sipas disa informatave Jakupin e kishte plagosur Grujo Radosheviq Bratonozhiq, ndërsa duke e mbrojtur Jakup Ferrin e plagosur që mos t’iu bie malazezëve në duar, ishin vra tetë bashkëluftëtarë të tij nga Plava. Mark Milani kishte pësuar disfatë të tmerrshme dhe i kishte 2.500 ushtarë të vrarë në betejë apo të mbytur në Lim gjatë ikjes nga shqiptarët, ndërsa 1.200 malazezë ishin zënë robër. Nga ana shqiptare ishin 1.000 të vrarë e 600 të plagosur.
Jakup Ferri ishte varrosur në varrezat e Plavës, jo larg nga Lagjja e Ferrajve, në të cilën, afër kullave të veta, bijtë e Jakupit: Hasani, Mehmedi, Omeri, Agani e Emini e kishin ngritur edhe xhaminë për shpirtë të të atit në vitin 1901/1902, gjë të cilën e dëshmon mbishkrimi i shkruar në gjuhën osmane mbi derë të hyrjes së xhamisë, i cili ekziston edhe sot.
Mbrojtja e kujfijve shqiptarë në Plavë e Guci ishte rast i jashtëzakonshëm i gadishmërisë së popullit shqiptar që t’iu kundërvihen vendimeve të Fuqive të Mëdha e të Turqisë, e njëkohësisht është edhe fitorja më e madhe ushtarake e shqiptarëve në histori të re, të cilën e kishin arritur me forca vetanake, pa kurrëfarë ndihme nga jashtë. Fal kësaj fitoreje dhe luftës së vazhdueshme të shqiptarëve edhe më pas saj, rajoni i Plavës e Gucisë deri në vitin 1912 kishin mbetur “territori neutral”. Pas vrasjës së të atit, i biri më i madh i Jakupit, Hasani, ishte bërë kryefamiljar dhe e kishte trashëguar autoritetin e babait, kështu që e gëzonte respektin e tërë Malësisë së Plavës e Gucisë, por edhe të Dukagjinit, Shqipërisë Veriore e më gjerë.
Edhe Hasan Ferri, duke e vazhduar misionin e Jakupit, kishte vazhduar, bashkë me vëllezër e bashkëluftëtarë, luftën për mbrojtjen e Shqipërisë Etnike deri në vitin 1919 në Plavë, e pas pushtimit të Plavës kishte kaluar në Shqipëri prej nga e kishte organizuar rezistencën kundër armikut dhe kishte marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme si: pjesëmarrja aktive në Luftën e Koplikut 1920, përkrahja e Revolucionit të Qershorit 1924, pjesëmarrja në Kongresin e Lushnjës 1920 e tjera, ndërsa në vitin 1938 për shkak të mospajtimeve me Mbretin Zog u shpërngul në Turqi, ku edhe vdiq në vitin 1946. Pas vitit 1919 pjesa më e madhe e Familjes Ferri ishte detyruar të shpërngulet nga Plava, por përkundër këtij fakti traditën patriotike e luftarake të familjes Ferri pas tij e kishin vazhduar edhe nipat e Jakupit, Shemsi dhe Riza Ferri, si pjesëtarë të Ballit Kombëtar dhe bartës të rezistencës së armatosur kundër pushtimit sllav të trojeve shqiptare.
Për merita të tyre patriotike më 26 janar 1993 Presidenti i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, i kishte dekoruar post mortem Jakup Ferrin me “Urdhër të Lirisë të Klasit të Parë”, e po ashtu edhe birin e tij, Hasan Ferrin, me “Urdhër të Lirisë të Klasit të Parë”, ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, më 12 qershor 2012, e kishte dekoruar nipin e Jakupit, Shemso Ferrin, me “Urdhër të Lirisë “me motivacion “Për kontributin e tij të lartë për liri të Kosovës”, por përkundër të gjitha sakrificave personale e familjare as Jakupi e asnjëri nga bijtë e nipërit e tij nuk u shpall “Hero i Kombit”.
Sot, pasardhësit e Jakup Ferri jetojnë e veprojnë të shpërndarë në Plavë, Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Tiranë, Durrës, Shkodër, Stamboll, në Gjermani, Holandë, Finlandë e disa vende të tjera (në mesin e tyre ka akademikë, profesorë universitarë, arkeologë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, juristë, kostumografë, piktorë, muzikantë etj.) dhe e ruajnë traditën e gjuhën e Jakup Ferrit.