Pas miratimit të marrëveshjes për emrin e Maqedonisë nga ana e Parlamentit të Greqisë, kanë reaguar zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, thuhet se që në fillim BE-ja ka mbështetur fuqishëm marrëveshjen historike të nënshkruar nga kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Duhej guxim politik, udhëheqje dhe përgjegjësi në të gjitha anët për të zgjidhur një nga mosmarrëveshjet më të forta në rajon. Të dyja vendet e kanë zënë këtë mundësi unike, e cila përcakton një shembull pajtimi për Evropën në tërësi dhe do të japë një shtytje të mëtejshme për perspektivën evropiane të rajonit”, thuhet më tutje në deklaratë.
Zyrtarët e lartë të BE-së më tutje thonë se presin hapat e ardhshëm proceduralë që çojnë drejt zbatimit të plotë të marrëveshjes.
“Athina dhe Shkupi, së bashku, kanë shkruar një faqe të re për të ardhmen tonë të përbashkët të BE-së”, thuhet në deklaratë.