Mali i Zi dhe Shqipëria, së shpejti me paketë të përbashkët turistike

Mali i Zi dhe Shqipëria së shpejti do të kenë një paketë të përbashkët turistike si për sezonin e dimrit dhe atë të verës. Kjo do të thotë që ata turistë që do të vizitojnë jugun e Malit të Zi do të kenë të përfshirë edhe  destinacione të veriut të Shqipërisë. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi gjatë prezantimit të potencialeve turistike të Malit të Zi tha se paketa do të përfshijë Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna.

Klosi: Do të duam shumë që turistët që vijnë në verë në Malin e Zi të kenë mundësi të vizitojnë Alpet e Shqipërisë, Kalatë, Shkodrën, Lezhën. Oferta jonë turistike duhet të jetë e përbashkët, oferta turistike duhet të përfshirë të dyja anët e kufirit.

Zëvendësministri i Turizmit të Malit të Zi, shqiptari Qazim Hoxhiq nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes dy shteteve për të zhvilluar sektorin e turizmit.

Hoxhiq: Vitin që kaloi në 2018 patëm një rritje të suksesshme sa i përket shqiptarëve që bëjnë pushimet e tyre në Mal të Zi. Fluksi më i madh është në sezonin dimëror.

Vitin e kaluar vendin tonë e vizituan 5.6 milionë turistë të huaj 360 mijë nga të cilët nga Mali i Zi.