NJË HERË RA NË GJUNJ: -PARA FLAMURIT

Nga Zeqir Lushaj

– Në 70-vjetorin e rënies së Heroit të Popullit, Isa Boletini  –    

(Gazeta “Bashkimi”, 23 janar, 1986)

                                                                                    

                   Fati i Isa Boletinit, ashtu si dhe i mijëra djemëve e vajzave, luleve të Kosovës e të Shqipërisë, thuajse dihej nga të gjithë: -do të vdiste nga plumbi e jo nga lëngimi në shtrat. Brez pas brezi, kështu kish ndodhur me të parët e Isës, ndaj ajo kullë, tipike kosovare në fshatin Boletin  të Mitrovicës do të fitonte aq zë e nderë sa do të sfidonte edhe kështjellat, duke sjellë besim e forcë në zemrën e çdo luftëtari. Vetëm në një natë, atë e rrethuan 4.000 ushtarë osman dhe për 13 orë me radhë u derdhën mbi të, 1200 gjyle topi. Dhjetra herë e përpinë flakët e luftës e nëna i thoshte djalit të vogël:-Ani, le ta djegin. Asht kanë vjetrue e do ta bajmë të re!

                 Thënia e Isa Boletinit se: ”armët për mue, janë babë e djalë”, shpreh më së miri bindjet e Tij ndaj ngjarjeve tragjike të fundit të shekullit të 19-të e fillimit të shekullit të XX-të. Për këtë, na bind jeta e Tij, lufta e përpjekja e pashoqe deri në rënien plot lavdi. 52 vjet, të shkrira në një ideal: ”Une jam mirë, kur asht mirë Shqipnia”!

                   Që në moshë fare të re, u bë pjesmarrës aktiv i betejave te Lidhjes Shqiptare të themeluar në  Prizren kunder pushtuesve osman, fuqive të mëdha e monarkive fqinjë që i  ishin turrur trollit arbëror. Në vorbullen e këtyre ngjarjeve e në përleshjet e mëdha popullore të mbarë shqiptarëve për autonomi e bashkim kombëtar, Isa Boletini  hyri thjeshtë si luftëtar dhe shosha e imtë e luftës me armë në dorë i dha vendin e prijësit të madh popullor, i dha cilësitë e trimit të rrallë. Ai është nga ato figura të mëdha të kombit, që idetë e Tij përparimtare, dashurinë deri në vdekje për atdheun, nevojën e shkollës shqipe etj., i kuptoi e i zbatoi të pandara nga aksioni konkret, të pandara  nga gryka e pushkës.

                     Intensiteti i ngjarjeve bashkëkohore dhe bindja e thellë e Isa Boletinit për të marrë pjesë e për të luftuar me armë në dorë për të drejtat, që i mohoheshin popullit, e bënë Atë, që tërë jetën, si i thonë fjalës: -“nuk pati kohë me marrë frymë”. Sa thyheshin taborret osmane në një krah, duhej dalë në krahun tjetër, për të përballue veprimtarinë armiqsore të  shovenistëve  serbë e malazezë. Pa u tharë djersa e betejës, o burra,në anën tjetër kundër intrigave shoveniste të agjentëve të Rusisë cariste dhe të disa fuqive të tjera të mëdha.

                    Jeta e gjatë e kaçakut të maleve, e lidhi edhe me shumë me jetën e vërtetë të popullit të stërvuajtur duke i futur deri në gjak thjeshtësinë e modestinë, ndershmërinë e bujarinë, besimin si “një e një bëjnë dy”, në luftën çlirimtare. Kjo kalitje, me tipare të tilla të larta e bëri Atë, të mos përfillte joshjet e shumta deri të kryeministrit osman Hysen Hilmi Pashës, deri të vet Sulltanit, për tituj e grada,për pare’ e për pozitë. Këtyre armëve të “ftofta” të pushtuesve Ai, u përgjigjet siç i ka hije atdhetarit: -Të kisha pranue me ju përulë Stambollit e me vu zgjedhën në qafë, të kisha mendue për kokë e për pasuri, isha marrë vesht me kohë e nuk i kisha shti në grykë të topit me qindra shtëpi të farefisit e të miqëve!

                        Historia e popullit të vet, e kishte mësuar Isa Boletinin të njihte të mirën e të keqen, e kurrë të mos i thoshte të zezës e bardhë. Kurrë shqiptari nuk sulmoi njeri, por ama edhe sulmet e të tjerëve kurrë nuk na gjetën në gjumë, ne, kurrë nuk premë njeri në besë, por ama, pabesinë tjetrit jemi mësuar t’ia lexojmë në sy.

                         Nën maskën e ndihmave ushtarake, krajl Nikolla i Malit të Zi, donte të shtrinte këmbët e të behej zot edhe mbi trullin shqiptar, por Isa Boletini i jep përgjigjen e shpirtit të popullit: ”Gospodar! Ne, nuk u vramë e nuk u dogjëm për të përzanë një mbret e të na hyjë brënda një tjetër”.

                            Ku kërciste pushka, aty ishte Isa Boletini. Luftëtar trim, strateg e udhëheq ushtarak. E mbrojti këtë “diplomë” në betejat e përgjakshme të Kaçanikut e Caralevës në krah të Idriz Seferit, në Mitrovicë e Prishtinë, në Shkup në krah të Bajram Currit, në Vlorë në krah të Ismail Qemalit, kudo ku e thirrri zeri i nënës Shqipëri. Ai, që se trembi fjala as plumbi, pushtuesi as tradhtari, Ai që nuk qau kur varrosi aq djelmosha me lulen e gjakut në gjoks e në ballë, që një jetë pati jorgan dushkun e malit e dyshek hekurin e ftoftë të armëve të shtatit, Ai që nata e dita e gjetën në këmbë, një herë ra në gjunjë: -para Flamurit ! Në lotin e Tij në palë të Flamurit ishte loti i gëzimit i një Shqipërie të tërë për shqipen dykrenare  që të valvitej e lirë në qiellin e vet, në puthjen e Tij, ishte zhuritja shekullore e një kombi të sakatuar e të  martirizuar.

                      Gezimi i papërshkruar për fitoren historike të Nëntorti të Dytë të 1912-ës qe i shkurtër.  Ushtritë e shovenistëve fqinjë pushtuan tokat shqiptare, ndërsa Fuqitë e Mëdha imperialiste e coptuan Shqiperinë. Përkrah diplomatit të shquar, luftëtari kosovar Isa Boletini, u del zot të drejtave të kombit nëpër Europë.Në zyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë,

që ishte dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, që merrej me caktimin e kufinjëve të Shqipërisë, kur ky i tha Isait se: -të çarmatosen në Londër (!), trimi shqiptar, me qetsi futi dorën në xhepin e xhamadanit dhe duke parë drejtë në sy ministrin Eduard Grei, i tha: -Jo besa, kurrë! As në Londër jo ! E për Heroin, rrjedh kënga në telat e sharkisë:

                         “ …Për me ruejt nderin e lokes,

                          Dy allti, ja kam ngjeshë shokës…”

               Armët e brezit të Isa Boletinit ishin një me “armët” e mëndjes së qartë e të atdhetarizmit  të flaktë. Kur ministri anglez i thotë se, nuk mund ta ndihmonte që edhe Mitrovica të përfshihej në kufirin e shtetit shqiptar, Ai, saktë i përgjigjet: -Nuk kam ardhë këtu për Mitrovicën time, por për çdo pëllambë toke shqiptare !

                      Një jetë me allti në dorë. Keshtu u gjet edhe at ditë të 23 janarit të vitit 1916,  i rrethuar krejt tradhëtisht e pabesisht nga forcat e shumta të krajl Nikollës, në urën e Ribnicës, afër Podgoricës. 7 djelmosha kosovarë si 7 lisa bjeshke, në mes tyre dy djemtë e Tij e dy djemtë e vëllait, ranë përkrah Heroit mbi urë, pasi lanë të vrarë 28 pritësa kundërshtarë.

                      Po, cilët ishin këta 7 luftëtarë të lirisë që iu bënë krah Heroit në këtë ditë tragjike , të kurdisur me aq kujdes nga shovenistët?

                    1.Jonuz Ahmet Boletini, 26 vjeç.

                  Gardist i Qeverisë Vlorës. I plagosur në Durrës kundër forcave të Esat Pashë Toptanit.

                    2.Halit Ahmet Boletini, 24 vjeç.

                      “Fol axhë, se jena gati !”

                    3.Halil Isa Boletini, 24 vjeç.

                       I shquar në vitet 1913-1914 në luftën kundër forcave malazeze që sulmuan Malësinë  e Gjakovës.

                    4.Zahit Isa Boletini, 18 vjeç.

                        Fjalëpak, por pushkë e mbushur.

                    5.Hajdar Selim Radisheva, 27 vjeç.

                        Djalë Drenice, mik për kokë i Isa Boletinit.

                    6.Misin Niman Bala, 23 vjeç.

                        Pjestar aktiv i Kuvendit të Junikut.

                    7.Idriz Bislim Radisheva.

                        Më i riu nga luftëtaret, vetëm 17 vjeç!

                    …Shumë këputi pushka në lulen e rinisë, por më shumë lindën e përkundën në djepe nënat shqipëtare.

                     Ndaj, do të vinte, me patjetër, Dita e  Lirisë! 

                                                             ./.

     ( Gazeta “Bashkimi”, 23 Janar 1986)

-Marrë nga libri i autorit me titull “Zbehje e heroizmit”, Kristalina KH, Tiranë 2016-