Qindra refugjatë humbën jetën në Detin Mesdhe gjatë ditëve të fundit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, argumenti është vetëm një tregues i ndasive të thella që pritet të karakterizojnë kontinentin gjatë zgjedhjeve evropiane të muajit maj.
Marrëdhëniet e ftohta mes Parisit dhe Romës janë keqësuar më tej. Franca thirri ambasadorin italian për t’i kërkuar shpjegime rreth komenteve të bëra të djelën nga zëvendës kryeministri italian.
“Nëse kemi ende njerëz sot që largohen nga Afrika, kjo është për shkak të disa vendeve evropiane, e para Franca, e cila nuk e çoi deri në fund kolonizimin e Afrikës”, deklaroi zoti Di Maio.
Zoti Di Maio akuzoi Francën se varfëroi 14 vende afrikane që përdorin monedhën CFA, frangun e garantuar nga Thesari Francez, duke detyruar njerëzit të zhvendosen drejt Evropës.
“Ka debate mes ekonomistëve për përfitimin real nga frangu CFA. Megjithatë, kritikat e zotit Di Maio nuk qëndrojnë, për dy arsye. Të dhënat tregojnë se emigrantët nuk janë nga vendet që përdorin këtë monedhë. Dhe sidoqoftë, në vendet e varfëra, emigracioni ka realisht kuota më të ulëta”, thotë Luigi Scazzieri, i Qendrës për Reformimin Evropian.
Mosmarrëveshja franko-italiane pasoi mbytjen e qindra emigrantëve pranë brigjeve të Libisë gjatë ditëve të fundit. Vdekjet rikthyen vëmendjen ndaj vendimit të Italisë për të ndalur operacionet e kërkimit-shpëtimit në Mesdhe, si dhe tek dështimi e BE-së për të ndarë kuotat e refugjatëve që mbërrijnë.
“Italia kërkon që Franca të marrë të paktën një pjesë të emigrantëve që mbërrijnë në brigjet e saj. Kanë gjithashtu mosmarrëveshje për Libinë, ku Italia dhe Franca mbështesin palë të ndryshme në luftën civile libiane”, thotë zoti Scazzieri.
Presidenti Macron nuk është përgjigjur drejtpërsëdrejti. Ai u përpoq të rigjallërojë tempin e BE-së nëpërmjet një traktati të ri franko-gjerman, të nënshkruar të martën në qytetin kufitar Aachen.
“Euroskeptikët, nacionalistët, përfitojnë nga frika e popullit evropian dhe thonë se ‘Përgjigja ndaj frikës tuaj është nacionalizmi’. Ne nuk e besojmë këtë gjë”, deklaroi zoti Macron.
Përplasja është vetëm një tregues i asaj që po vjen, ndërsa forcat populiste, si lëvizjet “5 Yjet” dhe “La Liga” në Itali po i hyjnë betejës me pro-evropianët.
“Janë krijuar këto premisa të kundërta, ku Italia përfaqëson populistët dhe Macron përfaqëson evropianistët. Dhe u shërben të dyja palëve që të kenë tjetrën për të treguar me gisht. Kjo është edhe më e rëndësishme pasi po afrojnë zgjedhjet për Parlamentin Evropian”, thotë zoti Scazzieri.
Fushatat zgjedhore pritet të jenë të ashpra, ndërsa në epiqendër të debatit për të ardhmen e Evropës gjendet emigracioni.