Kryministrja britanike Theresa May i mbijetoi votës së mosbesimit në parlament, duke bërë të mundur që ajo të vazhdojë punën për arritjen e një konsensusi mes ligjvënësve për marrëveshjen me BE-në lidhur me Brexitin. Ligjvënësit i dhanë qeverisë së Kryeministres May 325 vota pro dhe 306 kundër, vetëm 24 orë pasi e hodhën poshtë me një votë dërrmuese propozimin për Brexitin që ajo kishte arritur me Bashkimin Evropian.
Ndërkohë që afron 29 marsi, data e caktuar për shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, Britania e gjen veten të zhytur në krizën më të rëndë politike në gjysmë shekulli, duke u ballafaquar me dilemën se si ose nëse vërtetë duhet të shkëputet nga Bashkimi ku u përfshi në vitin 1973.
Kryeministrja May është zotuar të punojë me politikanë në të dyja krahët për të gjetur një kompromis që do të shmangte rrezikun e një shkëputjeje të pakontrolluar, apo të një referendumi tjetër për shkëputjen. Por ajo ka thënë se nuk tërhiqet nga marrëveshja që është arritur me BE-në dhe që ka acaruar të dyja palët, edhe ithtarët e daljes nga BE-ja edhe ata që duan të mbeten brenda Bashkimit.
John McDonnell i laburistëve të opozitës, tha se zonja May mund të arrijë të sigurojë miratim në parlament, nëse negocion një marrëveshje me Partinë Laburiste. Laburistët kërkojnë një treg të bashkuar mes BE-së dhe Britanisë, si dhe mbrojtje të punëtorëve dhe konsumatorëve në transaksionet tregtare mes Britanisë dhe Bashkimit.