Gjigandi i pajisjeve Whirlpool, ka krijuar një furrë pjekjeje inteligjente të pajisur me kamera, që bëjnë identifikimin e ushqimit dhe vendosin temperaturën e nevojshme.
Furra e pjekjes përdor një teknologji të avancuar për të identifikuar produktin ushqimor që gjendet në brendësi të saj dhe kjo falë kamerave, duke rregulluar më pas automatikisht temperaturën e nevojshme për pjekje. Smart Countertop Oven ose furra inteligjente ka një çmim prej 799 dollarë ku sipas firmës justifikohet plotësisht nga produkti.
Sistemi me të cilin është pajisur furra, është teknologjia e fundit e inteligjencës artificiale ku përmes algoritmave pajisja bën automatikisht proçese të komplikuara pune. Kompania nuk ka bërë ende me dije se sa lloje ushqimesh algoritmat mund të dallojnë por sipas tyre arrihet të bëhet mjaft mirë diferenca mes artikujve që përdoren më së shumti në kuzhinë.
Nga ana tjetër furra e pjekjes ofron rreth 11 modalitete të ndryshme gatimi, duke filluar nga pjekja, zierja, ngrohja, gatimi i ngadaltë si dhe mbajtja ngrohtë e gatimeve dhe shumë të tjera. Gjithashtu në brendësi të sobës është i vendosur një termometër i cili kontrollon kur mishi është gati, pra kur pjekja ka përfunduar.
Një tjetër risi është edhe fakti se kjo pajisje mund të lidhet përmes një aplikacioni me telefonin tuaj për të ju mbajtur të përditësuar rreth gatimit tuaj, kohën që mbetet nga pjekja si dhe falë kamerave ju mund të shikoni në kohë reale nga brendësia e furrës se si duket artikulli ushqimor i vendosur në furrë. Dhe sigurisht kjo furrë përfshin edhe përshtatjen me Alexa apo Google Assistant, që do të thotë se ju mund të komandoni furrën tuaj edhe përmes komandave të zërit.