Receta e ditës/ Peshk me sallatë ruse në pjatancë

Përbërësit:

Për një peshk 1.5 kg duhen:

sallatë ruse 1 kg

rrënjë aromatike për zierjen e peshkut

tul peshku të zier e të coptuar 4-5 lugë gjelle

limon 1 kokërr

ullinj disa kokrra

vezë të ziera 2 kokrra

gogozhare 2-3 copë

gjethe majdanozi për zbukurim

 

Përgatitja:

Zgjidhet peshku sa gjatësia e pjatancës, pastrohet dhe zihet në tenxhere të posaçme ose në mungesë, në enë me fund të gjerë sa gjatësia e peshkut ku janë hedhur rrënjë aromatike (qepë, karota, rrënjë selinoje e majdanozi).

Lihet të ftohet në lëngun e vet. Hiqet peshku me kujdes, vendoset mbi dërrasë ose tavolinë, i pritet koka dhe bishti, ndahet në dy fileta, e i hiqen me kujdes halat. Në pjatancë për së gjati vendoset sallata ruse e përgatitur me perime të ziera: patate, karota, bizele ose fasule, kastraveca turshi të prerë në kubikë dhe tul peshku të zier.

Të gjitha këto përzihen me majonezë dhe vihen në formë kodre në pjatancë duke vënë sipër dy filetat, kokën dhe bishtin duke krijuar një peshk fals. Mbulohet sipër me një shtresë të hollë majonezë dhe zbukurohet sipas gustos me gogozhare, ullinj, degë majdanozi, vezë të ziera, feta limoni etj.

Gjatë shërbimit pritet, ndahet me thikë, në mënyrë që secilit t’i takojë një pjesë peshku. Koka dhe bishti mbeten në pjatancë.