2019, priten arritje të mëdha në eksplorimin e hapësirës

Në ditën e Vitit të Ri, NASA mori imazhet e Ultima Thule-it, objektit më të largët të eksploruar ndonjëherë nga njerëzimi në hapësirë. Ai gjendet në largësinë e pabesueshme prej 6.5 miliardë kilometrash larg, në Brezin Kuiper, në cakun e sistemit tonë diellor.

“Mund të buzëqeshni tashmë… Ju prezantoj me Ultima Thule-in”, njoftoi Alan Stern, i projektit “New Horizons”.

Imazhet, të cilat do të përmirësohen me kalimin e kohës, vijnë nga sonda e hapësirës “New Horizons”, ndërsa muzikën e kompozoi ish-kitaristi i grupit “Queen” dhe tashmë astrofizikant, Brian May.

“Më frymëzoi shumë dhe u njoha me njerëzit që punojnë për këtë”, u shpreh zoti May.

Por, nuk është vetëm eksplorimi i Brezit Kuiper. Një partneritet i NASA-s me kompanitë Boeing dhe SpaceX do të mundësojë në muajin prill një fluturim në hapësirë me ekuipazh në bordin e anijes “Crew Dragon”, që mund të hapë rrugën për turizmin hapësinor.

“Po bëjmë të mundur dërgimin e ekuipazheve tona nga toka amerikane, me raketa të ndërtuara në SHBA, drejt stacionit ndërkombëtar hapësinor, duke mos patur më nevojë për ndihmën ruse për të dërguar njerëzit në hapësirë”, thotë Bob Cabana, i NASA-s.

Edhe kompania “Virgin Atlantic” po konkuron në biznesin e turizmit hapësinor. Anija e tyre me ekuipazh po testohet sivjet.

“Do të jem vetë fillimisht në hapësirë dhe më pas mund të na bashkohen pasagjerët e ardhshëm. Shpresoj që në vitet në vazhdim shumë njerëz do të dëshirojnë të bëhen astronautë”, thtoë Richard Branson, i “Virgin Atlantic”.

Këtë vit po rikthehen përpjekjet për të shkuar në Hënë. Kina uli një sondë në anën e padukshme të Hënës. Në muajin shkurt, izraelitët pritet të dërgojnë atje një anije me përmasat e një lavatriçeje, po ashtu edhe India pak më vonë.

50 vjet pasi ecëm në Hënë, 2019-ta mund të mbahet mend si viti kur arritëm progresin në eksplorimin më larg se kurrë të hapësirës.