Cikël poetik nga Tahir Bezhani

TAHIR BEZHANI

21 libra ne 18 vite, 3 libra ne vitin që sapo po mbyllet dhe nje cikel me poezi te reja si urim zemre per te gjithe lexuesit dhe miqte e shtrenjte!

BUZË  LUMI

Shikoj i qetë valët e lumit verbues

Spërklat e  çmendura

Valëzojnë qepallave të mbyllura

Vrapojnë pas dëshirash  gurëzuar

Dëgjoj melodinë e ëmbël mashtruese

Si vaji fëmije bonjak tretur…

Një zhurmë  më vjedh shikimin

Pëshpërit  buzëve  melodi të ç’akorduara

Një këngë lahet brenda  shpirtit

Rrugëtimin e saj nuk e dita

Vetëm grykën e burimit e shikova

Eeee! Sa uji kalon nën urë,thonë

Zemra ime dru i stërvitur rrahjeve

Notojnë shpresat e buzëqeshura

Harmoninë e valëve e kanë  mësuar

Kënga symbyllas këndohet

Rrugëtimeve të gjata….

 

NJË FOTO NË KËNDIN E DHOMËS..

Në këndin e dhomës një foto rri

Kur nata dalldiset prej erërave të forta

Lutet shejtnive për ditë të mbarë

Vetmia struket në shtëpinë e durimit

Frikësohet e pret, e pret….

Fjalët pëlcasin të zjarrta

Piskama merr malin

Ushtima mbetet brenda,

Më bëhet se e dëgjojnë shtatë mëhalla

Trembem  nga vetvetja, shkoj

Shikohem në pasqyrë, i tmerruar

Sytë e gjakosur, pëlcitur kapilarja

Shtrembëruar goja,jargë buzëve lëvarë

Pilula qetësuese piva

Rëndë fjeta në ëndrra të praruara

Asnjë fjalë,asgjë askujt nuk i fola

Flladita veten me zjarrminë e zemrës…

 

MEDITIM,APO KUR SHPIRTI I DORËZOHET NATËS

Atë që e dërmon  dita

E  çlodh  nata

Pikave të shiut vjeshtak

Nuk ua hedh çadrën

E dua freskinë e shiut të imët

Të  ngadaltë si loti në shterojë

Trotuaret e vetmuara,disa kafe të hapura

Kujtimet ecin  rrugës mendueshëm

Si dikur atyre stinëve të egra…..

Do djersë ftohen nën këmishë

Avull i sertë del prej goje

Sa shpejt lëviz gjaku damarëve

E nuk flet!….

Ecja vazhdon

Rrugëve të qytetit tim

Orë e çast botën  shëtis

 

Dritave të neonit ua dhuroj shikimin

Si ditën me dritë

Diell

E ,eci!….

Malli më ndal para kafesë së Talipit

M’u bë se dëgjova “sharjet” e Ali Musajt

Atij rebeli të vargjeve të zjarrta,

Por  jo!

Moti  kishte ikur  në qiellin e shtatë

Me kujtimet e lidhura bebëzave

Me dhimbjen që lahet ngushëllimeve

Sa shumë bisedohet natën në vetmi

Bota fle,poetët jo!…

Bacloku e Aliu moti kanë ikur diku

Do i takoj kafeneve  të dehur në vargje

Aliun ndoshta buzë lumit Erenik

Të ngrirë në flakën e zemrës

Aty çmallet Ai…

Duke  djegur  shpirtin  në vargje

Piramidave të Keopsit

Tani po iki

Se nata po i dorëzohet  kohës

Po vjen ditë e re…..

 

Gjakove,4.10.2018

 

 

KAQ VONE, SHPIRT I NDEZUR…

Vargu përplaset gacave të shpirtit

Si në hellin e dëshirave sillet

Të ndezura rrinë këngët e çmendura

Mureve të shpirtit shprushin

Derën ua hapi,nuk fluturojnë

Digjen në vete,më mashtrojnë

Më soset durimi i durimit

Përtej vetës nuk di ku të shkoj

Kënga le të udhëtojë  lirshëm

Përtej kufijve të shpirtit…

Ndoshta flë i qetë kur të vij terri

As në tokë as në qiell

Kam mbetur…..

 

Gjakovë,11 dhjetor 2018