Uashington, po ndërtohet një urë vetëm për kafshët e egra

Në shtetin e Uashingtonit është duke u ndërtuar një urë mbi një autostradë të ngarkuar, e cila nuk ka për t’u përdorur nga makinat dhe as nga këmbësorët, por vetëm për kafshët e egra. Synimi është që kafshët të mos kalojnë nga rruga e makinave, kur hyjnë në vendbanimin e tyre në pyll.

Makinat që kalojnë nga autostrada ndërshtetërore 90 jashtë Siatllit nuk janë të vetmet udhëtare.

Autostrada kalon mespërmes pyllit në malet Caskade, ku lëvizin edhe kafshët e egra. Në male ka kafshë të egra, që shkojnë nga një vend në tjetrin.

…Dhe kur makinat takohen me kafshët e egra, shpesh kjo përfundon keq, thotë Jen Watkins e grupit ambjentalist “Conservation Northwest:

“Kafshët e egra rrezikojnë të goditen nga makinat e të ngordhin…në afat të gjatë, rrugët kanë ndikim të madh tek kafshët e egra,”– thotë Watkins.

Ajo thotë se rrugët mund t’i ndajnë në mes vendbanimet e kafshëve, duke i bërë shumë të vogla e të pabanueshme mjediset ku ato jetojnë.

Kjo është arsyeja që shteti i Uashingtonit po ndërton një urë vetëm për kafshët e egra, që ato të hyjnë në pyll.

“Urat e kalimit për në vendbanime do t’i mbajnë kafshët larg autostradës I-90 dhe nuk do të rrezikojnë makinat nga kafshët e mëdha.”– thotë Meagan Lott, e Departamentit të Transportit të Shtetit të Uashingtonit.

Urat për kafshët e egra e ndihmuan Parkun Kombëtar Bahff të Kanadasë, t’i pakësojnë me 80 për qind përplasjet.

Pengesat anas urës do të mbrojnë kafshët dhe do të ulin zhurmën e trafikut.

Nganjëherë një rrugëkalim nën autostadë është më i vlefshëm.

Sidoqoftë, kjo nuk i shërben vetëm krijesave të mëdha që rrezikojnë makinat, thotë zonja Watkins.

“Gjithshka, që nga drerët, arinjtë e hirtë, e deri tek hardhucat e vogla, u duhet të lëvizin për të gjetur ushqim, për t’u shumuar, për të gjetur vend për të jetuar, ndërsa popullsia e tyre shtohet; ose thjesht lëvizin ngaqë kushtet ndryshojnë nga shkaqe të ndryshme, si zjarri, psh.”

Në mbarë Shtetet e Bashkuara janë ndërtuar vetëm 12 ura për kafshët e egra.

Ambjentalistja Jen Watkins thotë se nevojiten dhjetra ura të tjera. Pengesa e vetme, thotë ajo, janë fondet për ndërtimin e tyre.