Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump shkuan në Irak për të vizituar trupat një ditë pas Krishlindjes, vizita e parë e tij si president në një zonë konflikti.
“Ne erdhëm në Al-Asad për të ndarë mirënjohjen tonë të përjetshme për gjithçka që bëni për ta mbajtur Amerikën të sigurtë, të fortë dhe të lirë”, – tha presidenti.
Udhëtimi sekret ndodh në mesin e një mbylljeje të pjesshme të qeverisë në Uashington shkaktuar nga financimi për murin e propozuar nga Trumpi në kufirin jugor me Meksikën.
Javën e kaluar Trumpi njoftoi planet e debatueshme për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, pasi deklaroi fitoren mbi Shtetin Islamik.
Ai njoftohet gjithashtu se ka urdhëruar Pentagonin të tërheqë afërsisht gjysmën e 14,000 trupave amerikanë të vendosur në Afganistan, duke filluar muajin e ardhshëm.
Zyrtarët ushtarakë kanë paralajmëruar se tërheqja do ta zhyste rajonin në kaos.
Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe i dërguari i posaçëm i koalicionit global që lufton Shtetin Islamik, Brett McGurk, kanë dhënë dorëheqjen duke cituar mosmarrëveshjet me këtë politikë.
Duke folur para trupave në Irak, presidenti Trump mbrojti vendimin e tij për t’u tërhequr nga Siria, duke deklaruar sërish fitore kundër grupit terrorist xhihadist.
“Dy vjet më parë, kur u bëra president, ata ishin një grup shumë dominues – ishin shumë dominues. Sot ata nuk janë më të tillë. Punë e mrekullueshme.”
Vizita në Irak erdhi një ditë pasi Trump uroi për Krishtlindjet anëtarët e ushtrisë amerikane në mbarë botën nëpërmjet një videokonference nga Zyra Ovale. Pas telefonatës, Trump u kritikua nga disa media që raportuan se ai është presidenti i parë që nga viti 2002 që nuk kishte vizituar trupat amerikane gjatë Krishtlindjeve.