Portret për Ryzhdi Balokun

Nga Isa MALOKU

Ryzhdi Baloku, është i lindur me 06.06.1951 në Pejë, ku edhe e kreu shkollën fillore dhe të mesmen “Gjimnazin” në vitin  1971, ndërsa në vitin akademik 1971/72 e regjistron Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës, për shkak të rrethanave politike nuk i jepej mundësia të punësohet në Pejë, prandaj detyrohet të kërkoi punësim në një regjion ku identiteti i familjes Baloku nga Peja ishte i panjohur, kështu që si kuadër deficitar në fillim të vitit 1977 punësohet në ndërmarrjen “Javor” të Podujevës, (asokohe, në mungesë kuadri) më detyrë Zëvendës drejtor i ndërmarrjes.

Është i martuar, babë i pesë fëmijëve.

Prej marsit të vitit 1979 e deri në vitin 1990 punon në detyra të ndryshme të punëve ekonomike në sektorin për plan e analizë pranë BPSHP të KBI “Peja” në Pejë.

Pas dëbimit nga puna prej vitit 1990 e deri në vitin 1993 i udhëheq punët e kontabilitetit në disa ndërmarrje private (të posa themeluara sipas ligjeve në fuqi – mbi iniciativen private), ndërsa pas këtij viti e deri në vitin 1997 është pronar, drejtor, udhëheqës kontabiliteti dhe udhëheqës komercial në ndërmarrjen private “Tarba” në Pejë.

Me përfundimin e luftës në Kosovë, në qershor të vitit 1999, kthehet në punë në ndërmarrjen shoqërore (ish KBI tani Fabrika e Birrës) prej të cilës më herët (nga regjimi millosheviçian) ishte dëbuar me dhunë nga puna, ku tani caktohet në detyrën e udhëheqësit të shërbimit komercial të ndërmarrjes.

Pas privatizimit të Ndërmarrjes Punuese “Fabrika e birrës” Pejë me “spinof special” si dhe “përmbushjes” së obligimeve kontraktuese sipas sistemit të cekur mbi privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore duke e fuqizuar bartjen e kompetencave tek pronari i ri (privat), largohet nga detyra dhe puna, me arsyetim se më nuk kanë nevojë për të.

Gjatë demonstratave të vitit 1981 ndodhet në cilësinë e kryetarit të këshillit të punëtorëve, në BPSHP të KBI në Pejë, kështu që në këtë vit nën pretekstin e luftës ndaj nacionalizmit dhe irredentizmit i bëhet diferencimi ideopolitik me arsyetim se me veprime të veta ka arritur të punësojë më tepër shqiptarë në dëm të serbëve e malazezëve në kolektivin ku punon si dhe ka ndikuar në acarimin e marrëdhënieve ndërnacionale dhe prishjen e vëllazërim bashkimit ndër të punësuarit në këtë kolektiv punues.

Veprimtaria politike e Ryzhdi Balokut fillon që në vitin 1989.

Në këtë vit, përkundër rrethanave e atmosferës së presionit të organeve për punë të brendshme, në kolektivin ku punon dhe lagjen ku banon në mënyrë publike e ngre zërin e protestës kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës.

Në vitin 1990 është iniciator dhe themelues i Sindikatës së pavarur të KBI “Peja” në Pejë, ku afaronin 10 subjekte ekonomike me rreth 1.500 të punësuar, ku edhe zgjedhet Kryetar i parë i kësaj sindikate. Është themelues dhe kryetar i parë i Federatës Sindikale të Agrokompleksit të Kosovës. Një nga iniciatorët dhe themeluesit, si dhe anëtar i këshillit nismëtar të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Kosovës – BSPK. Një nga organizatorët e Kongresit të parë të BSPK të mbajtur me 1990 në Gjakovë. Anëtar i trupit koordinues (kryesisë) i zgjedhur nga kongresi i parë i BSPK. Anëtar i këshillit grevist të BSPK të 3 shtatorit të vitit 1990. Gjithashtu prej vitit 1990-1997 është në detyrën e kryetarit të komisionit mbikëqyrës të BSPK. Për veprimtarinë punuese në sindikata posedon mirënjohje nga BSPK dhe Federata Sindikale e Agrokompleksit të Kosovës.

Lëvizja sindikale në Kosovën e okupuar të viteve 1990 e deri në fillim të vitit 1999 ka qenë e karakterit politik, e të cilën tezë e vërteton dhe e qet në pah motoja:  “Pa liri kombëtare nuk ka as liri sindikale” e me të cilën slogan sindikalistët e këtyre viteve vepruan fuqimisht me rezistencën e vet të viteve të cekura ndaj okupuesit të regjimit Millosheviqian.

Në janar të vitit 1990 anëtarësohet në LDK dhe është një nga iniciatorët dhe anëtar i këshillit nismëtar për formimin e nëndegës së LDK për lagjen Kapeshnicë e Zatra të Pejës që kishte një popullatë prej rreth 20.000-25.000 banorësh.

Më tepër se tri vite është nënkryetar i LDK në këtë nëndegë, gjegjësisht deri në fillim të vitit 1997, ku pas kësaj periudhe tërhiqet nga aktiviteti në këtë lëvizje politike të këtij subjekti pas disa fërkimeve me karakter të vrazhdët të krijuara brenda kryesisë së kësaj nëndege dhe kështu veprimtarinë e vet e vazhdon në Shoqatën (OJQ)-Lidhja Qytetare e Kosovës (ku ishte edhe anëtar i kryesisë), si dhe në Shoqatën për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta etnike.

Prej vitit 2002-2007 është anëtar i këshillit të përgjithshëm të BSPK i zgjedhur në Kongresin e tretë të këtij subjekti.

Kah mesi i vitit 2002 i ofrojnë të anëtarësohet në AAK, me ç’rast për gjashtë vite resht do ta kryej detyrën e zëdhënësit, duke qenë njëkohësisht edhe anëtarë kryesie në degën e kësaj partie në Pejë. Pas periudhës së cekur tërhiqet nga aktiviteti partiak.