Mëdyshja ime: Pse nuk u bashkova me studentët?

Nga Mehmet Elezi

Përanash kangjellave që rrethonin ambasadën italiane, tashti ambasada amerikane, ishin mbështjellë studentët si luzmë. Masa e tyre derdhej ngadalë dhe rëndë, duke mbushur rrugën pjetposhtë. Merrte hov si dallgë. Pengohej prej murit të forcave e mjeteve të policisë. Përmbahej, vorbullonte, pështillej. Tkurrej pak. Turrej prapë. Kësaj here më fort. Muri i policisë prapohej do hapa, nuk e ndalte dot. Dallga studentore fitonte hapësirë. Qindra e qindra djem e vajza njëzetvjeçare, fundi nuk u dukej. Veshur hollë. Kush me ndonjë xhup të vjetër, kush thjesht me triko të thurur në kërrabëza me penjtë e përftuar duke zhbërë triko të vjetra. Nën një qiell të përhimët, të shtangur, të droguar. Në një të ftohtë tinëzar, therës.
Grumbulli veç rritej. Masiv mali që rrëshqet ngadalë. I ngjeshur, i rrastë, i thukët. I pandalshëm.
Policët jepnin e merrnin me radio nëpër duar. Me helmeta e parzmore. Mjete të blinduara uturonin më tej. Hungëronin kërcënueshëm. Kishin zënë të gjitha rrugët e rrugicat që lidhnin kryeqytetin me rininë e grumbulluar.
Studentët çonin lart herë njërin e herë tjetrin shok ose shoqe, që të shihej e të dëgjohej më kthjellët kur fliste. Kjo është e Inxhinierisë, tha dikush për një vajzë që mezi ndihej, edhe pse busti i saj kish dalë mbi tërë të tjerët, që e mbanin lart. Zëri i ishte ngjirur. Ishte aq e imtë, si kukull e brishtë. Me flokët e drejtë shpërndarë pa rregull supeve e në parzëm, përgjatë një golfi të errët me lule të bardha, të imëta. Fjalët përpiheshin në zallamahi.
Rrethi po ngushtohej, zjarmia po shtohej. Kurrkush nuk dukej i gatshëm me lëshue pe. Aq më pak studentët. Ata? Ata nuk dinin me ba llogari!
Çka mund të bëj unë tashti?
E ndieja veten tërësisht me ata djem e vajza universitarë. Me vlerat që përfaqësonte lëvizja e tyre. Për këtë s’kisha kurrfarë dyshimi. Kurrfarë luhatjeje.
Mëdyshja ime ishte tjetërkund.
Ai dhjetor nuk më kishte gjetur student.
As profesor universiteti.
As intelektual të pavarur nuk më kishte gjetur ai dhjetor.
Kisha qenë ndër emrat më të njohur të publicistikës, ndonëse me mendjen e zemrën gjithnjë te letërsia, te dashuria e parë që po më priste besnikërisht në hije. Njerëzit që më kishin ndjekur kur punoja në shtyp ose në drejtimin e organizatës së rinisë, më njihnin si intelektual me prirje liberale, që nuk i duron skemat. Edhe pse mund të kishin një përshtypje a vlerësim të përgjithshëm për mua, si njeri publik, nuk dinin hollësi. Nuk ishin në dijeni për çka kisha thënë e kërkuar në strukturat më të larta të udhëheqjes së Partisë së Punës (komuniste). Nuk ishin në dijeni për përpjekjet më pak ose më shumë të rëndësishme për ndryshim, që kisha bërë në ato zyra. Gjithçka qe zhvilluar larg syve të njerëzve. Kurrgjë nuk qe pasqyruar në media. Prej atyre zyrave vështirë përbironte një fjalë e vetme.
Pavarësisht ku e vendosja veten e ku do të më vendoste koha gjykuar nga ndihmesa, bindjet, ideali a vizioni, bashkimi menjëherë me studentët protestues mund të shihej si kthesë njëqind e tetëdhjetë gradë; hedhja papritmas midis tyre mund të tingëllonte si shou. Sa do të përtypej nga shqiptarët, a do të ishte veprim plotësisht bindës për ta?
Shumëkush do ta mirëpriste. Të tjerë mund ta paragjykonin, duke e parë si gjakim për karrige, dashka prapë poste ky. Partisë në pushtet do t’i interesonte ky interpretim. Shërbëtorët e saj të hapur dhe misionarët lëkurëlyer do të mbushnin gazetat me të. Rast i pastër edhe për xhelozë e cmirëzinj.
Intuita dhe arsyeja më thoshin se më mbushamendës, të paktën në lëvizjen e atyre ditëve, do të ishin udhëheqësit që kishin dalë e do të dilnin prej brenda, prej studentëve dhe profesorëve të universitetit. Ata do të ishin më të përligjur e më të besueshëm në krye të protestave studentore. Më të pranueshëm si zëdhënës e përfaqësues institucionalë. Ata dhe jo të tjerë që mund të vinin nga jashtë, kushdo të ishin ata, cilatdo të ishin bindjet e tyre të sinqerta, vendosmëria e përkushtimi.
Çështja tjetër lidhej me të ardhmen time. Do t’i përkushtohesha karrierës politike, duke e gjetur veten përfundimisht si politikan profesionist, apo do t’i kthehesha krijimtarisë?
Në politikë pata hyrë rastësisht, pa më pyetur kush. Më patën thirrur për shkak të emrit në gazetari. Tashti nuk mund të vijoja thjesht për inerci. Nuk mund të rrija rastësisht aty. Ashtu siç nuk mund të dilja rastësisht. Dyzetvjeçar, në mesin e jetës, rrethana krejtësisht të tjera. Duhej me vendosë me bindje për vendin që do t’i gjeja vetes në shoqërinë shqiptare.
I ndihesha borxhli sidomos krijimtarisë letrare. Kish qenë klithma ime e parë. Tashti brenda meje kishte mbetur Hirushe. Falë rekomandimit të Ismail Kadaresë, në vitet studentore kisha botuar përmbledhjen e parë me poezi Zhurmojnë Ujvarat. Më pas një shkëputje e gjatë, e dhimbshme. Kisha humbur shumë kohë. Vite rinie plot frymëzim e vlagë. Që më nuk kthehen, më nuk zëvendësohen.
Kështu kishin ardhur rrethanat, s’kishte qenë zgjedhja ime.
Tashti duhej me ba zgjedhjen time. Të natyrshme, të qartë.
Trimërinë e secilit në luftë nuk e shton as nuk e heq vendi ku rreshtohesh, u kishte thënë luftëtarëve Aristidhi i Mirë.
Pra s’ka rëndësi ku je, rëndësi ka cili je. Mund të luftosh si politikan në vijë të parë. Mund të luftosh edhe si ushtar i thjeshtë. Si intelektual, pa u rreshtuar në formacionet e mirëfillta politike, larg skenave të zhurmshme e gjëmimit të ekraneve. Por në çdo rast “do ta them hapur se kush jam”, thotë Leon Filipe:

Jam hije
Që banoj në hije
Dhe ushtar që luftoj kundër hijes!

Si do të mbyllet kjo ditë e mëtizët e dhjetorit tiranas?
Lloj-lloj skenarësh më rrotulloheshin në krye. Që do të vijë një zgjidhje politike, po, por sa do të vonohet? Dhe cili do të jetë çmimi?
I druhesha përgjakjes. Kohët po ndryshonin, por ai regjim s’kishte falur kurrë. Ai regjim nuk e njihte dhimbjen e tjetrit. Nuk e njihte faljen. I dobëti nuk mund të falë asnjëherë, falja është atribut i të fuqishmit, kishte thënë Mahatma Gandi. Ai pushtet vriste. Vriste sepse ishte i dobët. Pa rrënjë e pa të ardhme.
Vajza e hajthme e mori fjalën sërish. Si kukull e brishtë. E vogël sa një rramël. Ngritur lart sikur shkonte drejt qiellit, këmbët ngulur në supet e shokëve. Disa duar përnjëherësh e mbanin mos me ra.
Vajzë je, apo zog që do me fluturue dhe proteston për pamundësinë?

(M. Elezi, marrë nga libri “Nuk isha student i dhjetorit” (1990), shtëpia botuese Gj. Fishta, 2015).