Figura vigane e Skënderbeut

-Botuar 40 vjet ma heret, ne gazeten “Dielli'< 15 shkurt-16 mars, 1978 –

Nga Idriz LAMAJ- New York

Në veren e vitit 1977 u mbushen 115 vjet qekur poeti dhe shkrimtari i njohur maqedon, Grigor Perliçev, kurorëzoi veprimtarinë e tij letrare me një poemë të shkelqyer historike prej afër 3800 vargjesh. Poema mban titullin “Skenderbeu” dhe ka ngel e panjohur deri me 1950, kur dorëshkrimi i saj, origjinal në gjuhën greqisht, iu dorëzue Bibliotekës shtetërore “Vasil Kollarov” në Sofje të Bullarisë.
Edhe pas zbulimit të këtij dorëshkrimi me rëndësi të veçantë, kaloi një kohë e gjatë derisa i hyri punës serioze, shkrimtari i njohur bullgar, Hristo Konov, i cili bëri përkthimin e parë të kësaj vepre në gjuhën bullgare. Më vonë, vepra në vetvete zgjoi kureshtje për përkthim edhe te studiuesit e kritikës letrare maqedone, në republikën e Maqedonisë në Jugosllavi.
Me këte vepër të rrjedhshme poetike, e cila provon qendresën heroike dhe rritjen historike të Kombit shqiptar me Skenderbeun në krye, Grigor Perliçev mori pjesë në konkursin për poemën më të mirë në gjuhën greqisht, me 1862.
Por, “…plot nëntdhjetë vjet mbeti i panjohur fati i kësaj poeme, e plotë një shekull brendësia e sajë…”, shkruen paraqitësi dhe përkthyesi i poemës në bullgarishtë, Hristo Konov.
Një shkrimtar tjetër bullgar, kritiku dhe letrari i njohur Aleksander Milev, njohës i thellë i jetës dhe veprave të Perliçevit, në një koment që i bëri poemës “O Armatollos”, e cila fitoi çmimin e parë në një konkurs letrar me 1860, lenë për të kuptur se poema “Skenderbeu” nuk e fitoi çmimin në konkursin e vitit 1962 për arsye politike. Poema “O Armatollos”, njëra prej veperave poetike më të përsosura letrare të Perliçevit, bënë fjalë për Serdarin e njohur maqedonas, Kapidanin Kuzman, të cilin e vranë kaçakët e Gegëris.
Dy kritik dhe përkthyes të njohur maqedon, Gregori Stalev dhe Mihail Petrusevski (ky i fundit thonë se ka bë një përkthim dinjitoz të poemës “Skanderbeu” në gjuhën maqedone), shkojnë edhe më larg.
Të dytë mendojnë se poemen “Skenderbeu”, poeti e paraqiti në konkurs në një kohë jo të favorshme, sepse në atë kohë, kleri shovenist i Kishës greke “…bënte propagandën e deshprimit për helenizimin e të gjithë Ballkanit…”. Prandej, një vepër e tillë si kjo (është fjala për poemen “Skenderbeu”, IL.), jo që ishte e pamundur të fitonte çmimin e merituar, por “ishte e pamundur të shihte dritën e botimit”. (Shih: Greogri Stalev, Grigor Perliçev “Serdarot”, Misla, Skopje 1973, kapitujtë, “Perliçev vo svoeto vreme” , dhe “Makedonija vo vremeto na Perliçev”).
Sidoqoftë, zbërthimi i kësaj çështje kërkon një studim të veçantë shkencor. Sepse, bullgaro-maqedonët që janë marrë me komentimin e kësaj vepre kanë bërë edhe “punën” e tyre politike. Asnjëri nuk na thotë: Çfarë e shtyri Perliçevin të merret me botën shqiptare? Në çfarë rrethanash është shkruar poema “Skenderbeu”? Si dhe nga e njofti Perliçevi popullin shqiptar dhe pse kishte aq dashuri e respekt për Skenderbeun?
Fundi i fundit, kjo dihet nga të gjithë: Grigor Perliçev lindi me 1831, u rritë, jetoi dhe vdiq (me 1893) në qytetin e Ohrit të Shqipërisë Etnike, ku masa dërmuese e atij qyteti ishin shqiptar.
Tani, le të shohim në vija të përmbledhta përmbajtjen madhështore të poemës në fjalë. Që në fillim, ashtu si këngtarët në këngët tona popullore kreshnike, poeti i tërhjek vrejtjen lexuesit, të përcjell me vemendje secilen lëvizje të ngjarjeve, të cilat zhdërvillen si vargoj, njëra pas tjetrës.
Ky poet gjeni, i paisur me mësimet e poetëve mjeshtër të klasicizmit bizantin, nuk e len lexuesin pezull, përkundrazi, në vargun e dytë, në fillim të poemës e cila është afër 3800 vargjesh thotë:
“Po bëhem gadi t’iu kendoj për t’famshmin Skenderbeg”.

Dhe, kështu e fillon këngën e tij me një hyrje të gjatë. Kjo hyrje e gjatë, e gjall dhe e gërzhitshme, pasohet me këngën e parë e cila përputhet historikisht me jetën dhe gjendjen e heroit tonë – me levizjet energjike të Skenderbeut, me vendosmerinë e shqiptarve -“zmiata luta” – shlliga të idhta, dhe me trimrin e kapidanëve, aleat të Krytrimit të Krujës.
Nga një herë, ndjenjatë shpirtërore të poetit dhe relacioni i njohjes së tij me realitetin historik, duket se zbutin e vargun poetik:

“Filloje ti këngën e muzës gojëmbel, virgjiresh”,

por papritmbas, aty përaty e urdhëron muzën nevrikisht:

“Këndoj ata trima që tashi kanë me u përlesh”.

Me elemente homerike, me vargje të rrjedhshme 15 rrokshe, pa i dhënë rëndësi rimës, poeti na sjell në ball të 20 mijë ushtarëve turq Ballaban Pashën, para mureve vigane të Kështjellës së Krujës.
Por, sa arrinë ushtria turke, akoma pa u vendosur nëpër çadratë plisverdha, komandanti i tyre, satrapi renegat Ballaban Pasha, e nis korierin e tij, Eminin, për në Kështjell të Krujës, me i dërgue Skenderbeut dhuratat dhe me marrë hetime mbi pozitën strategjike të fortifikatës legjendare të Krujës.
Mbrenda mureve të Kështjellës, Emini pritetë bujarishtë nga sherbyesitë. Ai mbetet i mahnitur nga pritja e shqiptarëve në një lloj ceremonie fetare ku ishte edhe Skenderbeu me shokët dhe miqët e tij. Pas ceremonisë, Prijsi Shqiptar (kryeheroi i poemës), me anën e Dimkos i dërgon Ballaban Pashës “dhuratat” e veta: Drapnin, kazmën dhe umin e parmendës jetike, që t’i sjell në mend rrjedhen e gjakut të tij.
Nga qendrimi i Skenderbeut, Ballaban Pasha tërbohet prej inatit. Në mënyrën më mizore, duke e ngulur në hu, e mbyt Dimkon e shkret, megjithëse këshilltari plak i Ballabanit u përpoq t’ia mbronte jetën duke i thënë: “Është turp dhe falimentim politik me e vra të dërguarin e Skenderbeut në besë”. Këtë krim të pandërgjegjshëm e mbështeti edhe Jakubi, krahu i djathtë i tij. Ai me fjalë fyese hidhet kundër këshilltarit të mençur osmanli. Në atë ndërkohë ia beh në kamp të ushtrisë turke perç-gjati Sinan, i cili përngjet në një gogol të llahtarshëm. Atë e kishte dërguar Sulltani si pararoje kundër Krujës. Sinani i tregon Ballabanit për masakrimin e tmerrshëm të ushtrisë së tij, në ndeshjen e përgjakshme me shqiptarët, ku kishte pësuar disfatën e plotë. Sinanit në fushën e betejës i kishte mbet edhe i vëllai.
Me një fines prej poeti mjeshtër, Përliçevi përshkruen fatkeqsinë e ushtrisë turke, tronditjen dramatike të shpirtit të Sinanit dhe zemrimin e pakufi e të çmendur të Ballabanit. Ballabani vendos qysh në agim të sulmoj me të gjitha forcat e veta Krujen e Skenderbeut.
Sipas poemës, muzgu i mbrëmjes bjenë përtokë, ushtria turke është në dieni të plotë që të nesërmen porsa të shkrep dielli, të gjithë si një trup i vetëm do të hidhen mbi muret e trasha të Kryeqytetit të Arbëris. Megjithëse duket një farë shqetësimi në fytyratë e tyre të zbehta si gëlqere, shihet edhe një lloj optimizmi për “fitoren e sigurtë”. Numëri i madh i ushtrisë dhe oficerët trima me Ballabanin në krye i japinë zemër dhe shpresë edhe ushtarit më frikacak.
Në tjetrën anë, mbrenda Kështjellës të Krujës të rrethuar me mure dhe hendek, mbretëron qetësia, nuk shihet asnjë shqetësim. Skenderbeu ka shtruar një darkë madhështore, me mish të pjekur në hell dhe verë të kuqe, për aleatet e vet. Në darkë është i pranishëm edhe Emini i cili përpiqet me i mbush mendjen Skenderbeut dhe kapidanëve të tjerë për vendosmërinë dhe suprioritetin e ushtrisë turke.
Sipas versionit të poetit, ende pa mbaruar darka, njëri prej besnikëve të Skenderbeut, tregon publikisht për vrasjen e shemtuar të Dimkos nga Ballabani. Eminit i dridhet zemra, i zgurdullohen sytë dhe i zbehet fytyra e i bëhet myk. Ai frikohet prej hakmarrjes, por Skenderbeut as që i shkon në mend një gjë e till. Përliçevi, poeti i Ohrit, tamam si të ishte vet arbëror, i drejtohet Eminit të frikësuar për vdekje:

“Çlirohu dhe uli t’rrahurat e zemrës Emin i pahshëm,
Dhe qetësohu lirisht si t’ishe në shtëpinë tënde.
Se ti je në tryezë dhe n’bukë të shqiptarëve të ndershëm,
Të cilët për besë e nderë s’largohen kurrë prej vdekje”.

Domethënë, hakmarrja nuk vjenë në vështrim. Eminit i bënë përshtypje të thellë shpirtmadhësia e shqiptarëve, gjakftohësia e komandantit të tyre dhe maturia e çdo bisede. Ai vendos të mbetet bashk me shqiptarët në Kështjell të Krujës por iu lutet që mos t’a detyrojnë të lyejnë duert e tij me gjakun e vëllzërve të vet.
Egërsohet nata nga të ftohtit, përveç stuhisë gjëmojnë malet e larta të Krujës kreshnike. Ballabanin, që ishte shtri për një sy gjum, e mbulon një djerës e ftohët, e kaplon një ankth i çuditëshëm, një ënderr e keqe i paralajmëron ndeshjen e afërtë dhe kobin e zi. Gëdhin mengjezi i bardh, rrezet e diellit fillojn me përbi lagështirën e natës, Ballaban Pasha përgaditet për sulm. Ushtria e tij e veshur me çelik është regjimentuar, burizanët e ushtrisë lajmërojnë gadishmërinë.
Ndërkaq, Skenderbeu me shpatë ngjesh dhe pelerinë krahëve, pasi përshendet të shoqen dhe të birin; shaluar mbi gjog të mejdanit, si një shkëmb i gjall, vëhet në ball të ushtrisë shqiptare. Për të dy anët e krahëve të tij janë rreshtuar trimat në zë si Andre Topia, Lek dhe Pal Dukagjini, Tanushi, plaku – Komnen Arianit dhe tok me ‘ta Despoti i Malit të Zi, Cernojeviqi, tmerri i turqëve, i cili kishte lidhur fatin e Principatës të vet me të famëshmin Skenderbe.
Të dy ushtritë qendrojnë ball përball me njëra-tjetrën. Ushtria shqiptare numerikisht më e vogël, ec me hapa të matur dhe të ngadalshëm drejtë armikut. Ushtria e madhe turke nxiton hapat drejtë kundërshtarit. Të dy palët zbatojnë përpikërishtë urdhërat e gjeneralëve të tyre.
Por, sa afrohen në një afërsi që dallon trimi – trimin, del Jakubi nga turma e ushtrisë turke, dhe me një zë të çjerr i kërkon mejdan Skenderbeut.
Të shpejtë si dy rrufe prej qielli, Tanushi shqiptar dhe Crnojeviqi malazez, i çveshin shpatat për t’i dal në mejdan Jakubit, por Skenderbeu, më i shpejt se rrufeja, goditë me thember të hekurtë gjogun e mejdanit, vërsulet si shigjeta, dhe brënda një afati të shkurtë i qeron hesapet me Jakubin; me një të rën shpate, Ai e hedh për tokë krahun dhe kokën e trimit anadollak – krahun dhe kokën e Jakubit.
Fillon përleshja e përgjakshme. Ball përball, gjokës përgjokës, çelik për çelik ndeshen burratë. Ballabani i tërbuar për vrasjen e Jakubit, hiqet me dal në dyluftim me Skenderbeun por nuk e lejon këshilltari plak, sepse vrasja eventuale e tij do të demoralizonte ushtrinë turke. Nga të dy palët vritën një mori trimash, fusha e mejdanit mbushet me kufoma të këltitura në gjak. Fati luftarak kalon nga njëra anë në tjetrën. Skenderbeu pasi shtrin përdhe edhe Halilin si herkul, duke pre koka armiqësh për të dy anët, si tigër i tërbuar hynë në zemër të ushtrisë të armikut.
Ballabani që ruhet prej Skenderbeut, një çast gjëndet para tij. Duke shpresuar se mund t’i shpetonte nga tehu i shpatës, ai nis me ikë, por Skenderbeu me shpjetësi vetëtime kap një gur të madh dhe e qellon. Kështu, i turpruar, aspak trimërisht, humb jetën satrapi mizor Balllaban Pasha.
Me vrasjen e tij vendoset fitorja e shqiptarëve. Ushtria turke shpartallohet keq, merret nëpër këmbë të ushtrisë shqiptare dhe korret literalisht nga shpatatë e tyre. Përleshjen e hatashme dhe disfaten fatale të turqëve, poeti e përshkruan hollësishtë në disa faqe të librit. Ai e përfundon poemën duke iu lutë Zotit që të mëshirojë ndaj fatit të robëve të luftës dhe i nderpren luftimet.
Në këtë mënyrë përfundojnë edhe vepratë pavdekshme të Homerit e të Virgjilit. Në veprën e Perliçevit, figura e Skenderbeut ngritet në olimpin e heronjëve më të mëdhenjë. Heroi i jonë vëhet në ball të njerëzve më të virtytshëm dhe më të drejtë, njëkohësisht edhe në vargun e trimave më të njohur në ç’do kohë.
Duke lexuar “Skenderbeun” e Përliçevt, lexuesit i kujtohen heronjët e Iliadës të Homerit dhe të Këngëve të Rolandit. Ai harron se është duke lexuar për ndeshjen e përgjakshme te Bedemet e Krujës, dhe i fluturon mendja te ndeshjet e tmershme fyt-përfyt rreth mureve të Trojës dhe të Saragosës; apo, te ndeshjet vigane të Lekës Madh me Darin e Persisë.
Epokën e Skenderbeut, të mbushur me lufta të shumta heroike, e nderoi çdo shekull me vepra historike dhe letrare.
Në qoftë se krahasojmë, si është lartësuar figura e Skenderbeut nga autorë të ndryshëm, duhet shfletuar e komentuar edhe poema e Grigor Perliçevit. Kur të bëjmë krahasimin, padyshim vijmë në përfundim se vepra e tij radhitet në vargun e veprave më të njohura poetike që u janë kushtuar figurave të shquera legjendare Europiane.
Kjo vepër iu bën jehonë ngjarjeve historike të asaj kohe, dhe për më tepër, vesh famën e Skenderbeut, siç thotë kritiku letrar bullgar – Konov, me petkun e simbolit të ethnicitetit arbëror.

Fotografia e Dielli Vatra
Fotografia e Dielli Vatra
Fotografia e Dielli Vatra
Fotografia e Dielli Vatra
Fotografia e Dielli Vatra