SOKAKU I HOTIT

Nga Ramiz LUSHAJ

“Sokaku i Hotit” është emërvend i moçëm, domethanës, mbijetues nëpër shekuj. Ky udhënis nga “qyteti tepër i lashtë i Plavës” (kah xhamia, në anën tjetër të kronit) e në pak kilometra rrugëtim për kah juglindja të çon dekteri ku ndahet udha për në Gjyriq e, përtej, bash në portë hymje në Jasenicë.

Në Mesjetën e Vonë, aty, ku bigohen lumi i Hotit e ai i Torkuzit, tek kisha ilire (romane) e vjetër, një sy t’pame përrreth Shkambit të Karamanit, nw kit’ vend gjeo-strategjik, thuhet se ishte kryeqendra administrative-territoriale e Hotit të Vendit.

Ky sokak i kalldremtë, si rrugë e madhe me mbrojtje lokale eksta-ligjore e kanunore, qyshse në antikitetin pellazgo-ilir i ka lidh mirë e fort ndërveti dy qytetet etnike shqiptare: Hotin dhe Plavën. Anash tij truponin tubat e ujit të pijshëm nga Hoti drejt Plavës. Në të dy anët e skajshme, nis e sos, kishte dy hane të mëdha për njerëz, kuaj e mallrat e tyre, si për udhëtarët edhe për vendalitë, qytetarët e rrethinatorët e tyne.

Në të dalun të qytetit të Plavës, në afri të kronit të sotëm, hotjanët e pritshin shoqishoqin derisa secili prej tyne kryente punët e veta e, atëherit, te-tanë sëbashku, në vargavijë me kuaj ktheheshin jehonshëm në Hotin e Vendit.

Përgjatë këtij sokaku, në ditë të caktuara të stinëve e muajve të vitit, shetisnin edhe gratë e vjetra e të reja, çikat e pafejuara, fëmijët e dy qyteteve.
Kjo rrugë e kalldremtë e në dy krahët me lisa, pemë e vreshtna alpine krejt hije e bukuri, n’ato kohna kthehej në shetitore tradite e civilizimi edhe për femnat e fëmijët.

Ndokund, anës Sokakut të Hotit, kishte edhe pushimore e shitore, tek të cilat ndalesat ishin disi të pashmangshme për të kuvendue ultas, me blè diçka për të njomë gojën apo për të marrë diçka me veti në kthimin për në shtëpiat e tyne.

Në trasenë e sokakut qarkullonin edhe kuaj me kerre (karroca) me ngarkesa të ndërsjellta. Në ditë të veçanta të javës, muajit e vitit, të njoftuna për treg (pazar) apo të thirruna për kuvende e festa, burrat e Hotit e, bashkë me ta edhe djemtë e rritun për pushkë, ashtu sëbashku – me dhjetra vetë, kalëronin nëpër kit’ sokak për me ra në qytetet (shehrat) e Plavës, të Gucisë, etj. saqë thonë fjalët e ruajtuna për netë dimni se me i kqyr delshin udhës edhe drenushat e zogjtë e malit.

Koha është tepër e gjatë me u ruejt krejt kalldremi i rrugës, tubat e ujit, etj. po të paktën do të kenë mbetë gjurmët e tyne e tekefundja Tradita jeton në realitete apo mbajemendje tek banorët e sotëm hotjanë, kelmendas, etj.

Këto vise plot mrekulli natyre, me epos e epope, ende mbajnë të fshehura në nëntokën e mbitokën e tyne qytetërim të lartë e histori të pazakonta, të cilat duhet t’iu bahen të dituna kohës e botës.

Fotografia e Ramiz Lushaj