Si mund të gjindet poeti Rexhep Shahu?

Nga Mehmet ELEZI – Tiranë

Në panairin e librit në nëntor më dha botimet për Havzi Nelën. Por kjo është temë që meriton vemendje ndryshe.
Më zgjati edhe një libër tjetër. Është me poezitë e mia… nëse e do. E dija për publicist e botues, për poet jo. I thashë. Mori zemër, më dha edhe tre libra me poezitë e tij.
Për këso mosdijesh jemi thjesht “fajtorë pa faj”, i them vetes. Në këtë përmbytje botimesh me llurbë e llum, si me i vu re vlerat, që rëndojnë në fund?
Ja ç’thotë qysh në përmbledhjen e parë (Rexhep Shahu «Mali i Hënës», 1998):

I futur në arkivol eci
S’më shikon askush

Të gjitha ritet e të gjallëve bëj
Hyj në kafe e kudo në arkivol
Asnjë të gjallë mes të vdekurve nuk gjej
E asnjë të gjallë të më thotë makar: kaqol!

Kështu mund të trishtohen vetëm poetët (Migjeni: “Së paku të më shajnë:/ – I mallkuem/ …/ Ose të më thonë:/ – Jeton kot!).
Në vendin tonë sot pak rëndësi ka kush je. Rëndësi ka si të njohin. Si të njohin cilët? Politika dhe media e varur “vetëm pak” nga pushteti. Domethënë “vetëm pak shtatzanë”. Media “vetëm pak shtatzanë” emëron shkrimtarë e analistë, artistë e shkencëtarë, intelektualë e heronj.
Ju që nuk vizitoheni nëpër gjithfarë klinikash shtatzaníe – rrini në terr. Të paqenë!
Miqtë tanë të letrave, të cilët koha e pakohë i ka futur në arkivol, janë nga më të talentuarit. Sa pare bën, u mungon pak shtatzaní!
Mund ta dëgjojë kush zërin e tyre?
Vetëm veshët që rrinë pipëz me kapë të njëjtat frekuenca.

“Ke me më gjetë të vrarë nga mashtrimet që më bëjnë
Nga besimi që jap e ma shkelin përditë.

Gjithmonë ke me më gjetë ulur në shkallë me kokën në duar
Me këpucët lidhur duke ikur përgjithmonë
Në kërkim të vetes sime të çmendur”.

Qe pra ku mund të takoheni me Rexhep Shahun!

Tiranë, 06 dhjetor 2018