Nga Nikollë LOKA – historian
Familja Mulosmanaj në Bujan të Tropojës përmendet gjërësisht në burimet historike, pasi është protagoniste e të gjithë zhvillimeve historike që e shoqëruan formimin tonë si komb dhe si shtet. Ajo nuk nxori luftëtarë për shpi dhe prijës për bajrak, siç ishte zakoni, por prijësa dhe luftëtarë, protagonistë në luftëra të përgjakëshme për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Burrat e kësaj Dere të madhe ishin pjesëmarrës në të gjitha betejat ku kërkohej të derdhet gjak për liri dhe pavarësi, kundër të gjithë armiqëve: turqë, serbë, malazezë, austro-hungarezë, fashistë, etj.
Nga ky trung ka dal’ Heroi i Popullit, Mic Sokoli, që në vitin 1881, në luftë kundër turqve, i vuri gjoksin topit. Për lirinë e Atdheut kanë dhënë jetën edhe 6 dëshmorë të tjerë.
Tradita zakonore shqiptare, me lindjen e sistemit të bajraqeve e përcaktoi bajraktarin si komandant në luftë. Kjo ishte një përgjegjësi e madhe, që kërkonte sakrifica. Sipas traditës shqiptare, në atë kohë bajraktari luftonte në skalionin e parë, ballëpërballë me armikun. Afër bajraktarit qëndronin disa djemë të armatosur të Derës së tij që mbronin Flamurin e Bajrakut. Në fakt, djemtë e Mulosmanajve bënë më shumë se aq; ata u treguan gjeneralë në luftë, secili më i aftë se shoku. Prandaj në burimet historike dalin të gjithë si krerë kryengritjesh, jo vetëm kur prijnë në luftë, por edhe kur janë ushtarë të thjeshtë. Edhe diplomatët e huaj nuk kanë preferuar t’i lënë në anonimat, sa herë ata luftuan, dhe nuk i lanë pa i përmendur ata.
Mulosmanët nuk e kërkuan prijen, por ajo erdhi natyrshëm tek ata, me vështirësimin e situatës, me zhvillimet e reja politike të periudhës së reformave të para dhe pas Tanzimatit dhe me formimin e shteteve shoviniste fqinje serbe dhe malazeze, kur Krasniqja, aty pranë kufirit me ta, duhej të rrinte me pushkë për sy. Tradita na thotë se prirja në Krasniqe iu dha barkut të Gjekajve, që i përkiste vëllait të dytë të Hysen Mekshit dhe në vazhdim prirjen e mori djali i dytë, Vatë Hyseni në Gjovataj.[1] Përmenden dhe emra bajraktarësh, Selman Sinani rreth viteve 1775-1800, pastaj Sokol Mala nga Dragobia në vitet 1800 -1815. Prej atij, Flamuri i Bajrakut të Krasniqes iu dorëzua Mul Osmanit që e mbajti me nder dhe ua përcolli brezave: Ali Mula, Ramë Alia, Binak Alia, Sokol Rama, Man Avdia, Shaban Binaku, Sali Mani.[2]
Çdo shtëpi në Malësi ka patur nga një burrë të mençur ose të fortë. Me fat ishte ajo Derë që nxirrte burra të mençur dhe të fortë. Te Mulosmanët pati ndër breza burra të fortë e të mençur, breza luftëtarësh dhe kuvendarësh që i prinë Krasniqes dhe më shumë se asaj, që bënë histori për Tropojën, Malësinë e Gjakovës, Veriun, Kosovën e të gjithë vendin. Asnjë kuvend nuk është mbajtur në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Malësi, pa patur një e më shumë përfaqësues të Fangut të Mulosmanit.
Ata kanë marrë pjesë ose drejtuar si prijës që në vitet 1850 deri në vitin 1913 krejt kuvendet që nga Shkupi, Ferizaj, Prizreni, Peja, Juniku, Deçani, Livadhi i Turkut, Verrat e Llukës, Vorret e Shalës, Gjakovë, Plavë e Guci.[3]
Në Malësinë e Gjakovës, por edhe në krahinat e tjera, përmenden në kuvende Binak Alia (Mulosmani) e Sokol Rama (Mulosmani), Mic Sokoli (Mulosmani), Man Avdia (Mulosmani), Shaban Binaku (Mulosmani), Zeqir Halili (Mulosmani), Sali Mani (Mulosmani), Avdyl Qerimi (Mulosmani).[4]
Vetë Binak Alia ishte në krye të Kuvendit të Junikut të vitit 1877, ku u bë pajtimi i shumë gjaqeve në mes të shqiptarëve, para se të fillonin kryengritjet e mëdha kundër Perandorisë Osmane dhe shovinistëve serbë e malazezë.
Një dokument që gjendet në Arkivin e Shtetit, ku konsulli austriak në Shkup i dërgon Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, ndër të tjera bën fjalë për aktivitetin e prijësit Mic Sokoli. (Dosja 1090, fleta nr 1-10, data e ngjarjes 4.1.1881, vëndi i ngjarjes në Shkup). Ky aktivitet i ngjeshur i Micit, na bën të mendojmë se pas Lidhjes së Prizrenit, në vend të Binak Alisë, ai është aktivizuar në emër të tij.[5]
Pleqnari dhe strategu popullor Binak Alia dhe Heroi zemërluan Mic Sokoli janë identitete të padiskutueshme nga më prestigjozet në historinë tonë.
Dhe është pikërisht trimëria në luftra dhe urtia në kuvende që fama e tyre të kapërcente shekuj e të përcillet në breznitë që vijnë.
Mulosmanët nuk iu trembën vdekjes në betejë dhe shumë burra të tyre i paten vdekjet si të kreshnikëve, disa prej të cilave u mitizuan për shkak të guximit me të cilin u përballën me vdekjen.
Në betejën e Slivovës, në prill të vitit 1881, kundër forcave osmane të Dervish Pashës, Mic Sokoli kreu një akt trimërie të rrallë, duke i vënë gjoksin topit të armikut dhe ra heroikisht në fushën e betejës, frymëzim për të gjithë luftëtarët e tjerë, që ta vazhdojnë luftën me trimëri e krenari.
Shaban Binaku thirret për bisedime nga Turgut Pasha dhe bashkë me Abdullah Hoxhën arrestohen pabesisht e varen te Ura e Tabakëve në Gjakovë. Në momentet e fundit, Shabani do të shkonte qetësisht drejt vdekjes. Hakun e tij do t’ia merrte nipi Zeqir Halili, i cili do të zgjidhte tre oficerë të lartë turq dhe do t’i varte në Bujan,[6] si shpagim.
Dëshmorë të tjera të dalë nga Dera e Madhe e Mulosmanajve janë: Sokol Rama, qe plagosur në luftën e vitit 1845 të udhëhequr nga Binak Alia dhe prej asaj plage ka vdekur; Haxhi Syla i Sylë Alisë, nipi i Binak Alisë, vrarë në krah të Col Delisë në luftë me Mehmet Ali Pashën në Gjakovë; Zmalj Mehmeti, vrarë përnjëherë e në të njëjtin vend me Mic Sokolin; Man Avdia, helmuar në Plavë, pasi nuk kishte pranuar kërkesat serbe; Bajram Mani, vrarë nga austro-hungarezët; Zeqir Halili, vrarë nga austro-hungarezët; Rrustem Avdyli, vrarë në luftë kundër gjermanëve; Sadik Rama, vrarë në Qafë të Previsë; Jah Salihi u vra nga gjermanët në Gri; Ram Zeqiri; Çel Shabani, helmuar nga serbët.[7]
Kontributi atdhetar i Mulosmanëve doli në pah, në vitet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur u rrezikuan trojet shqiptare. Ai qe i dukshëm në të gjitha kryengritjet që u zhvilluan në Veriun e vendit. Pas ardhjes në pushtet të xhonturqve, Lëvizja Kombëtare Shqiptare hyri në një fazë të re. Kishte ardhur koha që shqiptarët të dilnin para botës si komb i veçantë, me gjuhë dhe kulturë të vetën.
Për të përballuar forcat turke, në vitin 1910 u mbajt një kuvend te Verrat e Llukës, ku fjalën kryesore e patën Isa Boletini, Shaban Binaku i Mulosmanajve, Sulejman Batusha, etj.[8] Ishte vendos të bashkohen forcat në luftë kundër armiqve turqë. Shabani përmendet dhe si njëri ndër drejtuesit kryesor të kryengritjes, krahas Isa Boletinit, Bajram Daklanit, Hasan Hysen Butakovës, Ramadan Zaskocit dhe Idriz Seferit dhe konsiderohej si prijës me ndikim të madh në Malsinë e Gjakovës.[9] Në qershor të vitit 1910, forcat turke të komanduara nga Shefqet Turgut Pasha vazhduan ekspeditën ndëshkuese në pjesën veriperëndimore të Kosovës dhe në Malësinë e Gjakovës. Ndërkohë, kryengritësit shqiptarë organizuan rezistencë nën drejtimin e Bajram Currit, Shaban Binakut të Mulosmanëve dhe Riza Bej Gjakovës. Në krye të 2.000 kryengritësve, Zeqir Halili i Mulosmanajve i zuri pritë në Qafë të Morinës Shefqet Turgut Pashës dhe vetëm pas luftimeve të ashpra, ku u përdor dhe artileria u tërhoq me forcat e tij.[10] Vetë Zeqir Halili, bashkë me krerë të njohur të rezistencës kaloi në Malin e Zi.
Vitet 1911-1912 ishin vite të trazirave të mëdha. Në vitin 1911, epiqendra e kryengritjes u bë Malësia e Madhe. Më 21 prill 1912, Bajram Curri, Hasan Prishtina, e Isa Boletini u nisën për në Kuvendin e Junikut. Në këtë mbledhje morën pjesë edhe Zeqir Halili dhe Bajram Mani[11] nga Mulosmanët. Me 1 mars 1912, bajrakët e Krasniqes, Gashit, Nikajt e Mërturit, pastaj Dushkaja e Gjakovës dhe Reka e Keqe lidhën besë në Fang të Bujanit. Sipas kësaj besëlidhje, u vendos që të largohen postat e xhandarmërisë, ndryshe do të sulmoheshin menjëherë. Ndër krerët e Besëlidhjes ishin Zeqir Halili i Krasniqes, Sulejman Agë Batusha e Mahmut Zajmi.[12]
Zgjerimit të veprimeve të armatosura i ndihmoi Kuvendi i Parisë së Gashit, Krasniqes, Bytyçit dhe Hasit, mbajtur në Krasniqe, ku u lidh besa për luftë të përbashkët kundër regjimit xhonturk.[13] Ky kuvend u mbajt më 21 prill 1912 në Krasniqe, ku krerët e Malësisë së Gjakovës, Krasniqes, Hasit, Gashit e Rekës i paraqitën një varg kërkesash valiut të Shkupit. Duke e ndierë veten të pafuqishëm përballë kryengritësve, kajmekami i Gjakovës u premtoi atyre se brenda 15 ditëve do të vinte përgjigje pozitive, ndërkohë që në drejtim të Gjakovës u dërguan dy batalione ushtarësh.
Sukseset e kryengritësve në fushë-beteja bënë që krerët të vendosin pushtimin e Gjakovës. Udhëheqja e kryengritësve të Malësisë së Gjakovës dhe të Hasit u tubuan në Rekë të Keqe dhe përpiluan planin e sulmit mbi Gjakovë. Kështu, grupi i kryengritësve i udhëhequr nga Bajram Daklani, Zog Avdyli dhe Zefi i Vogël do të sulmonte Çabratin, ndërsa grupi i dytë, i prirë nga Ali e Qerim Binaku, Bajram Mani e të tjerë do të sulmonin nga Ura e Tabakëve.[14] Fillimisht kryengritësit e Krasniqes, Nikaj-Mërturit dhe Gashit me Zeqir Halilin dhe Prelë Tulin sulmuan disa fortesa të ushtrisë osmane në Malësi të Gjakovës, duke shtënë në dorë një sasi armësh dhe municionesh.[15] Pastaj nisi sulmi mbi Gjakovë. Forcat e Rekës dhe të Krasniqes, të prirë nga Bajram Daklani, Zefi i Vogë, Ali Binaku, Qerim Binaku, Bajram Mani dhe Zog Avdyli përparuan në drejtin të Çabratit në mëngjesin e 11 majit”.[16] Kryengritësit kishin mungesa në pushkë dhe municion, prandaj Zeqir Halili dhe Niman Syla iu drejtuan me një letër Ismail Qemalit, nga i cili kërkuan “armë, fishekë dhe të holla”.[17]
Edhe në mesin e gushtit të vitit 1912, çetat kryengritëse të Malësisë së Gjakovës, nën udhëheqjen e Bajram Daklanit, Zeqir Halil Mulosmanit dhe Jahë Salihut zhvilluan disa luftime me forcat e xhandarmërisë osmane.
Shpallja e Pavarësisë dhe krijimi i një shteti të gjymtuar shqiptar krijoi një situatë pështjelluese brenda qarqeve politike shqiptare. Pas vitit 1920, kur shteti shqiptar u njoh dhe ndërkombëtarisht, në skenë dolën disa rryma politike që e shihnin në mënyrë diametralisht të kundërt problemin e Kosovës. Ahmet Zogu si Kryeministër, në përpjekje për konsolidimin e rendit dhe pozitës së tij u ballafaqua me çështjen e Kosovës, e cila i shkaktoi përçarje të madhe. Zogizmi goditi tendencat irredentiste dhe nacionaliste shqiptare, sipas të cilave lufta për bashkimin kombëtar duhet vazhduar menjëherë dhe me të gjitha mjetet. Ai e quajti këtë qëndrim “aventurizëm politik dhe iluzion politik”.[18] Zogu ishte i mendimit se Shqipëria duhej të stabilizohej dhe të bëhej një shtet i qëndrueshëm, përpara se të ndërmerrte një politikë irredentiste çfarëdo qoftë ajo. [19] Zogu në fakt ishte politikan pragmatist, i gatshëm për të hyrë në çdo lloj kombinacioni politik, me synimin për t’i realizuar ambiciet e tij për pushtet.[20] Politika e tij, duke u bazuar në praktikën politike, nuk mund të kuptohet, shpjegohet dhe përcaktohet nga parimi politik i nacionalizmit. Në vend të tij prioritet përbënin parimet e politikës reale, parimet e marrjes, ruajtjes dhe forcimit të pushtetit politik.[21]
Qëndrim diametralisht të kundërt kishin udhëheqësit e grupimit politik kosovar Hasan Prishtina dhe Bajram Curri që u bënë dhe kundërshtarët kryesorë të Zogut. Ata mendonin se lufta e armatosur për bashkimin kombëtar, ishte dhe mbrojtje e shtetit shqiptar. Çetat kryengritëse të Kosovës përveç luftës për liri, bashkë me ushtrinë kombëtare, sipas tyre “ përbënin ballin e frontit në mbrojtje Shqipërisë”.[22]
Kjo përçarje u manifestua dhe në Derën e Mulosmanëve. Pasardhësit e Binak Alisë mbështetën Mbretin Zog. Ali Binaku u bë krahinari i parë i Krasniqes[23] dhe duke qënë Krahinar ai i kërkoi mbretit Zog 50 bursa shkollimi për Krasnqien. Nga bankat e shkollave, prej bursistëve të parë dolën personalitete me emër që njihen sot e kësaj dite. Është merita e Alisë që nga dora e tij të shkollohen: Mehmet Mulosmani, Jah Salihi, Idriz Mulosmani, Maxhun Nimani Doçi, Sadri Zeqa, Ahmet Gashi, Veli Niman Doçi e shumë të tjerë, të cilët më vonë, u bënë figura me zë në Tropojë e më gjërë.[24]
Sali Mani dhe Rexhep Abdullahi e mbështetën Hasan Prishtinën dhe Bajram Currin. Ata morën pjesë në Revolucionin e Qershorit të vitit 1924. Akti i fundit i opozitës antizogiste ishte përmbysja e Zogut një vit e gjysëm më vonë nga ana e një koalicioni që e lartësoi irredentizmin në flamurin e shtetit shqiptar. [25] Në fund të vitit 1924 Zogu u kthye në pushtet me ndihmën jugosllave…duke premtuar të vendoset përsëri në Tiranë dhe, siç parashikohet, kishte premtuar në Beograd se do të likujdonte çfarë kishte mbetuar nga Komiteti i Kosovës, duke i kërkuar kundërshtarët e tij deri në eleminimin e tyre fizik.[26] Me 5 janar 1925, Zogu formoi qeverinë e tij të dytë, në të cilën ministër i Punëve të Brendshme u zgjodh Cen bej Kryeziu, kunati i tij, që ishte njeriu më i besueshëm i Beogradit, i cili sipas zyrtarëve serbë për ta kryer më mirë shërbimin ndaj tyre “duhej të shpërngulej familjarisht në Shqipëri”.608
Me rivendosjen e Zogut në pushtet filloi elemenimi i kundërshtarëve politik të tij. Në ato kushte, Sali Mani, pas vrasjes së Bajram Currit iku në Jugosllavi. Qëndroi disa kohë në Gjakovë, por pastaj e internuan në Mitrovicë.[27] Saliu qëndroi në Jugosllavi deri sa doli falja prej Zogut në vitin 1932.
Pas daljes së amnistisë, në korrik të vitit 1932, Sali Mani dhe nipat e tij kthehen në Shqipëri. Ata i kishin lënë familjet tek Osman Isufi në Vatoc dhe kanë shkuar në Tiranë. Më pas qëndruan nja 4-5 muaj te Sylçebegët e Shkodrës. Prej aty shkuan dhe e takuan prapë Ahmet Zogun në Tiranë, i cili i gradoi : Sali Manin, Avdyl Qerimin dhe Zenun Alinë majora, ndërsa Ali Nimanin e gradoi po atë ditë kapiten.[28]
Në janar të vitit 1935, vdiq Ali Binaku, dhe në vend të tij, Ahmet Zogu vuri Sali Manin, që nga bajraktar i Krasniqes u bë Krahinar për tërë Malësinë. Deri në atë kohë ai kishte qënë me rrogë majori, por jo me funksione.
Bajraktari i Krasniqes Sali Mani si antizogist kishte krijuar marrëdhënie të mira me Italinë. Njerëzit e vet, i pati oficera ose nëpunësa të Italisë.[29] I biri, Jaho Salihi ishte sekretar komune në Zhur të Prizrenit. Mehmet Mulosmani ishte kryetar komune i Homeshit në Istog të Pejës, emëruar në muajin gusht të vitit 1943 ; Idriz Mulosmani në Komunën e Gucisë; Rrustem Avdyli në Plavë.[30] Në artikullin “Shaban Haxhia (Demaliaj) dhe Konferenca e Bujanit”, Skënder Demaliaj ndër të tjera shkruan: “Komendatori i Fashios, i dha në zyrën e tij Sali Manit, në prani edhe të Kolë Bibë Mirakës, 1.500 franga letër. Ai dhe nipi i tij Avdia, u bënë anëtarë të Partisë Fashiste të sapo krijuar. Djali i Sali Manit, Jah Salihi u emërua kryetar i komunës së Zhurit, më 15 shtator 1942, nipi i tij Mehmet Bajrami (Mulosmani) ishte regjistruar në Legjionet e Milicisë në Tiranë dhe ishte dekoruar me medalje tunxhi, si pjesëtar i milicisë fashiste në dy vjetorin e krijimit të saj. Mehmeti u emërua kryetar i komunës së Homeshit në Istog të Pejës, pastaj sekretar i dytë, me funksionet e nënprefektit me pagë 225 franga shqiptare.[31] Ai, duke iu referuar Fletores Zyrtare Nr. 127, 10 nënduer 1942, f. 7, 9, 10, ku botohet lista emërore e atyre që kanë marrë shpërblime si rrogë mujore jetike nga fashizmi përmend; Sali Man Mulosmanin nga Bujani 150 franga shqiptare; familja e Bajram Man Mulosmanit, e shoqja Grisha Zmajlja, 60 franga; Ali Niman Doci-Syla, Tpla, 80 franga; Maxhun Niman Doçi, Tpla, 100 franga.[32] Kjo bordero ishte firmosur nga Jakomani, Mustafa Kruja, kryeministri kuisling dhe Shuk Gurakuqi, ministër i financave. Komisioni për këto rroga, e të tjera si këto, që u quajtën rroga jetike, u ngrit më 19 dhjetor 1939 dhe përbëhej nga Mëkëmbësi Mbretëror, I Ngarkuari i Partisë Fashiste, sekretarët e përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministri i Punëve të Brendshme. Në Gazetën “Tomorri” të datës 29 dhjetor1 1942, në faqen e parë është shkruar një telegram për Mustafa Krujën, në të cilin i shprehet “mirënjohje sovranit Duçce”, të firmosur nga Ali Nimani, Brah Alia, Sali Mani, Isuf Çuji, Hoxhë Dushaj, Bajram Haziri, Tahir Hoxha, etj.[33]
Sali Mani nuk u bashkua asnjëherë me fashizmin dhe në familjen e tij nisi lëvizja antifashiste e Tropojës. Idriz Mulosmani ose Idriz Rexhepi, siç quhet ndryshe, ishte në të njëjtën celulë komuniste me Emin Durakun, Sadik Bekteshin, Nazmi Reshitin, Gjovalin Lukën etj. Viti 1939 e gjeti të përjashtuar për 3 muaj nga gjimnazi, për shkak se dyshonin në pjesëmarrjen e tij në Grupin Komunist të Shkodrës dhe në Demonstratën që u zhvillua për lirimin e nxënësve të përjashtuar nga shkolla.[34] Në kujtimet e tij Beqir Ndou flet për komunistët e trevave të ndryshme, ku për Tropojën përmend veten dhe Idriz Mulosmanin.
Dëshmori i Kombit, Jaho Salihu kishte braktisur postin e kryetarit të Komunës dhe kishte dalë partizan që në mars të vitit 1943, kur kapitullimi i italianëve nuk shtrohej ende në rendin e ditës. Në fakt, Jaho, sa kohë që qëndroi në Zhur të Prizrenit, propagandoi për Lëvizjen Nacionalçlirimtare. U largua nga puna së bashku me sekretarin e komunës Mehmet Lamen nga Pogradeci dhe doli ilegal në fund të 15-ditëshit të parë të muajit mars 1943.[35]
Jaho Salihu ndikoi që i ati të afrohet me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Beqir Ndou, duke folur për fillimet e lëvizjes partizane në Tropojë thekson: “Një çetë e vogël malësorësh prej 15 vetash bënte pjesë në batalionin e Kosmetit. Vetëm kjo është çetë efektive partizane dhe komandohet nga Idriz Rexhepi, ish student, nip i Sali Manit, bajraktar i Krasniqes, i lidhun krejtësisht me luftën tonë”.Pastaj u krijua edhe çeta e Krasniqes, e cila numëronte 30 vetë dhe komandohej nga Avdi Bajrami”.[36] Kjo veprimtari zhvillohej në periudhën e pushtimit fashist italian dhe me dijeninë e Sali Manit.
Më 27 nëntor 1943, në Livadhin e Shtjerrave (qingjave) në Tpla u formua edhe Batalioni “Territorial” i Krasniqes, që pak ditë më vonë u quajt i Malësisë së Gjakovës. Komandant i batalionit “Territorial” të Krasniqes u emërua Mehmet Mulosmani dhe komisar Xhafer Vokshi.[37]
Duke trajtuar atdhetarinë e Sali Manit dhe të Familjes së tij duhet të shtojmë se ai nuk u ble as nga serbët, as nga malazezët dhe kishte refuzuar shuma të mëdha të hollash, që disa të tjerët i kishin marrë. Nga ana tjetër, vetë Sali Mani nënshkroi me italianët një Marrëveshje, ku kishte angazhime që asnjëra palë nuk do ta sulmonte tjetrën, me kusht që në Malësi të Gjakovës do të kishte prani të vogël ushtarake. Shuma që pretendohet se ka marrë Sali Mani nga italianët duket shumë e vogël përballë thasëve me napolona ari që ka refuzuar nga Serbia në vitin 1921, për t’u deklaruar në favor të bashkimit të Krasniqes me Serbinë.
Meqenëse djali, nipat dhe të afërm të tjerë kaluan me Lëvizjen, del pyetja: A e ruajti asnjanësinë Sali Mani? A kishte autoritet mbi djemtë e Derës së tij që nisën fillesat e antifashzimit në Tropojë. Duke njohur mentalitetin e kohës dhe traditën e Mulosmanëve del se gjithçka bëhej me dijeninë e Sali Manit, i cili edhe pse bënte dallimin në mes të pushtuesve italianë dhe sllavë, përsëri e donte atdheun e tij të lirë nga çdo pushtues.
Me datën 14 shkurt 1944, ishte zhvilluar ndeshja e parë në mes të forcave gjermane në Gri (Rranza) dhe një njësiti të Batalionit “Rinia”, ku ra dëshmor Jaho Salihi, komandant i tij.[38]
Pas vdekjes së Jahos, djemtë e Mulosmanëve e vazhduan luftën më me vendosmëri. Ata patën katër komandant batalionesh partizane. Me gadishmërinë e tyre për luftë deri në vetëflijim, e tërhoqën shumicën e popullit të Malësisë së Gjakovës në anën e drejtë, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga ana tjetër, ata u treguan mjaft tolerantë me të tjerët dhe u bënë ndërmjetës për dorëzimin e dhjetra burrave që kishin marr rrugën e gabuar të bashkëpunimit me pushtuesit, por që nuk kishin kryer krime. Kështu Tropoja, falë meritës së Mulosmanëve, u kursye disi nga lufta e klasave.
Pas çlirimit, Mulosmanët dhanë dy personalitete, deputetë të Kuvendit Popullor dhe kryetarë të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Tropojës, Sali Mani dhe Idriz Mulosmani, të cilët me tolerancën e tyre e ndihmuan Tropojën të lërë pas përçarjet e të kaluarës dhe të ecë përpara.
Dera e madhe e Mulosmanëve e vazhdoi luftën për sa kohë atdheu ishte nën pushtimin e huaj. Asnjë derë tjetër nuk qe aq e vendosur sa këta në luftën pa kompromis ndaj pushtuesve. Asnjë derë tjetër nuk u gjend në anën e drejtë në procesin e ndërlikuar historik që shoqëroi formimin tonë si shtet. Asnjë familje nuk dha aq shumë prijës dhe heronj. Mulosmanët ishin Dera e parë në Veriun e Shqipërisë që u rezistoi me dinjitet të gjitha rrebesheve, kërcënimeve dhe tundimeve. Ajo vjen ndër breza si model atdhetarie, burim frymëzimi për brezat e sotëm dhe të nesërm.
Nikollë LOKA*
Mic Sokoli – Hero i Popullit. (Vepër e piktorit Sali Shijaku. Tiranë, 1969)
Binak Alia dhe kulla e tij (Pamje nga ballina e monografisë “Binak Alia dhe brezat pas tij” të studiuesit Muhamet Mjeku (Amerikë-Kosovë), botue në New York, 2016 (në kujdesin e Musli Çelë Mulosmanajt e Harry Bajraktarit)
Sali Mani – bajraktari i Krasniqes, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një nga pjesmarrësit në Konferencën e Bujanit.
[1] Xhavit Lashi, Qarku i Kukësit në rrjedhën historike, ndarja administrative dhe qeverisja vendore, Tiranë, 2017, f. 170
[2] Xhavit Lashi, Qarku i Kukësit në rrjedhën historike, ndarja administrative dhe qeverisja vendore, Tiranë, 2017, f. 170
[3] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë [Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike- letrare –historike, botuar nga familje 2017, f. 41-42
[4] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë [Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike- letrare –historike, botuar nga familje 2017, f.42-43
[5] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike- letrare –historike, botuar nga familje 2017, f. 164.
[6] Gani Bajram Qarri, Shaban Binaku, Flijim dhe besnikëri kombëtare, http://www.kosovarimedia.com/index.php/biblioteka/atdhetar-te-shquar/35961-shaban-binaku,-flijim-dhe-besnik%C3%ABri-komb%C3%ABtare-1851-1910.html
[7] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike- letrare –historike, botuar nga familje 2017, f.474-475
[8] Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910, Libri 1, Prishtinë 2004, f.333
[9] Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910, Libri 1, Prishtinë 2004, f.387
[10] Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908-1910, Libri 1, Prishtinë 2004, f.393
[11] Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe, përgatitur nga Zekeria Cana, Prishtinë 2008, f.16
[12] Shqipëria në dokumentet austro-hungareze, Vëll. I,Botimet Albanologjike, përagtiti dhe redaktimi Beqir Meta, Sokol Gjermeni, Tiranë 2014, f. 304
[13] Muhamet Shatri, Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912, Shtëpia Botuese e LIbrit Shkollor, Prishtinë 2016, f.230
[14] Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe, përgatitur nga Zekeria Cana, Prishtinë, 2008, f.13
[15] Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, Libri 2, Prishtinë 2004, f.220
[16] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike- letrare –historike, botuar nga familje 2017, f.47-48
[17] Ramiz Abdyli, Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, Libri 2, Prishtinë 2004, f.224
[18] Hysamedin Ferraj, Skicë e mendimit politik shqiptar, shtëpia botuese “Logos A“, Shkup 1999, f. 162-163.
[19] Ilir Ushtelenca, Diplomacia e Mbretit Zogu I-rë , Tiranë 1995, f. 40-41.
[20] Paskal Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia, f. 251 – 252.
[21] Hysamedin Ferraj, Skicë e mendimit politik shqiptar,…f.162
[22] Ajet Haxhiu, Hasan Prishtina dhe lëvizja patriotike e Kosovës, Tiranë, 1968.
[23] Xhavit Lashi, Qarku i Kukësit në rrjedhën historike, ndarja administrative dhe qeverisja vendore, Tiranë, 2017, f.221-222
[24] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike – letrare – historike, botuar nga familje 2017, f.300
[25] Marco Dogo, Kosovo, Albanesi e Serbi: le radici del conflitto,… f.76
[26] Marco Dogo, Kosovo, Albanesi e Serbi: le radici del conflitto,…p.76
[27] Marenglen Verli, Shqipëria e viteve 1912-1964 në kujtimet e Spiro Kosovës, Vëllimi II, botimet “Klean”, 2008, Tiranë, 2009, f.19-20
[28] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike – letrare – historike, botuar nga familje 2017, f. 298
[29] Beqir Ndou, Kujtime, f.5
[30] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike – letrare – historike, botuar nga familje 2017, f.415
[31] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike – letrare – historike, botuar nga familje 2017, f.577
[32] Zog Hysenaj Dy anët e kullës me dy anë (Kullat ku lexohet historia), Triadë publicistike – letrare – historike, botuar nga familje 2017, f.577
[33] Skënder Demaliaj: Shaban Haxhi (Demalijaj) dhe Konferenca e Bujanit “Fakte të reja të pabotuara”. f. 577-578
[34] Idriz Mulosmani, Kujtime, dorëshkrim
[35] Maxhun Doçi, Veli Niman Doçi, Tiranë, 2014, f. 38
[36] Mark Palnikaj, Beqir Ndou, Për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Malësinë e Gjakovës dhe në Kosovë, shtëpia botuese: ”Grand Prind” Tiranë 2011, f.69-70
[37] Elez Qerimaj, Malësia e Gjakovës (Tropoja) në rrjedhën e historisë kombëtare, Tiranë, 2008, f. 253
[38] Elez Qerimaj, Malësia e Gjakovës (Tropoja) në rrjedhën e historisë kombëtare, Tiranë, 2008, f. 271
Fotot: Mic Sokoli – Hero i Popullit. (Vepër e piktorit Sali Shijaku. Tiranë, 1969)
Binak Alia dhe kulla e tij (Pamje nga ballina e monografisë “Binak Alia dhe brezat pas tij” të studiuesit Muhamet Mjeku (Amerikë-Kosovë), botue në New York, 2016 (në kujdesin e Musli Çelë Mulosmanajt e Harry Bajraktarit)
Sali Mani – bajraktari i Krasniqes, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një nga pjesmarrësit në Konferencën e Bujanit.