Dy poezi nga Artur Shemaj

LAVDIA

Me padurim murgjit vrapojnë

Nga manastiri drejt në tempull,

Për kryemurgjër mëtojnë

Me tymin e ëndrrës mjegull.

 

Portën që rri ndryrë

Zallamahisur hapin,

Njëri tjetrin duke shtyrë

Në ethe të turravrapit.

 

Dhe s`duan të bëjnë hile

Në padurim tek mësyjnë,

Fshehurazi me kopje kopile

Të hapin drynë.

 

Në ngutje e lutje bëlbëzojnë

Plot fjalë e përgjërime,

Nga shpirti seç u burojnë

Psallmet me adhurime.

 

Pse kurorën e lavdisë

Veç kryemurgut ia kanë dhënë

A rrihet jashtë murit të avllisë

Kur tempulli e ka një mëngë?

 

Kryemurgu kur i dëgjoi

U foli me zë, butësisht:

Në tempull s`hyn kush të dojë

Me çels kopil dashurish….

 

LIRIA

Kur ti mungoje

Erdh Baraba e solli lirinë.

Vjedhur prej Krishtit

Pa treguar hajninë.

 

Unë u bëra padron i saj,

Kaq mundësi e liri…,

Sa Judën e Barabanë

I bëra skllevërit e mi…