Vëllezërit dhe motrat shqiptare, po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe

Presidenti Meta viziton fshatrat Mexhitli dhe Nakolec në Maqedoni: Vëllezërit dhe motrat shqiptare, po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe.

Mexhitli dhe Nakolec Në MaqedoniPresidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, pas vizitës në Bitola (Manastir) me rastin e 110-vjetorit të Kongresit historik të Gjuhës Shqipe, vizitoi edhe fshatrat e banuara nga shqiptarët në Maqedoni: Mexhitli dhe Nakolec.

Kreu i shtetit shqiptar, në këtë vizitë të parë të një Presidenti të Shqipërisë në fshatin me shumicë banorësh shqiptarë të Mexhitlis, u takua përzemërsisht dhe bashkëbisedoi ngrohtësisht me autoritetet vendore dhe banorët e zonës, duke vënë në dukje se ata dhe të gjithë shqiptarët në Maqedoni kurrë nuk do të jenë vetëm.

“Shteti shqiptar do të qëndrojë gjithmonë pranë jush, sepse ju jeni krenaria shqiptare e zonës së Manastirit. Ju falënderoj që mbani gjallë e trashëgoni vlerat dhe traditat më të mira të shqiptarëve!” – iu drejtua Presidenti Meta banorëve të fshatit, duke shtuar se në historinë e kombit tonë Kruja, Prizreni, Manastiri dhe Vlora janë qytetet më të rëndësishme për ne, shqiptarët.

Autoritetet vendore dhe banorët e zonës i shprehën mirënjohjen dhe falënderuan Presidentin e Republikës për vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm që tregon ndaj shqiptarëve në Maqedoni.

Ndërsa në fshatin Nakolec, buzë liqenit të Prespës, Presidenti Meta u ndal në Teqenë “Dervish Ali”, duke vënë në dukje se kjo është një vatër e rëndësishme, jo vetëm fetare,  por edhe e ruajtjes së vlerave, traditave, gjuhës dhe identitetit tonë kombëtar.

“Është kënaqësi e veçantë të vizitoj sot Nakolecin e Prespës, dhe të ndodhem mes vëllezërve e motrave shqiptare, që po e mbajnë gjallë identitetin tonë kombëtar e gjuhën e mrekullueshme shqipe.

Diaspora shqiptare e Nakolecit asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen dhe kombin, duke dhënë kontribut të çmuar e të jashtëzakonshëm për ruajtjen e traditave tona kombëtare” – nënvizoi Presidenti i Republikës.