Shërbimi sekret i Shteteve të Bashkuara thotë se ka kapur “pajisje që me gjasë janë shpërthyese” të dërguara në shtëpinë e ish-presidentit Barack Obama dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
Në një deklaratë të publikuar sot, shërbimi sekret tha se ka kapur pakot e dyshimta të dërguara te Obama dhe Clinton, por që këto dërgesa asnjëherë nuk arritën në destinacion.
Ndaras, CNN ka raportuar se “një pako e dyshimtë” e adresuar në Shtëpinë e Bardhë po ashtu është kapur, por ende nuk ka konfirmim zyrtar për këtë incident.
Më pas CNN ka thënë se në zyret qendrore të saj në Nju Jork punëtorët janë evakuuar për shkak se një pako e dyshimtë është gjetur.
Shtëpia e Bardhë menjëherë ka dënuar përpjekjet për sulm ndaj “presidentit Obama dhe sekretares Clinton, si dhe figurave të tjera publike”.
“Këto akte terrorizuese janë të neveritshme dhe kushdo që është përgjegjës duhet të dënohet”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Një zyrtar amerikan i ka thënë Asociated Press se hetuesit besojnë se pakot e dyshimta që janë gjetur, janë të ndërlidhura me një pako tjetër të dyshimtë që e kanë gjetur në shtëpinë e filantropit George Soros më 22 tetor.
“Shërbimi sekret amerikan ka kapur dy pako të dyshimta që ishin dërguar ndaj personave që mbrohen nga shërbimet sekrete”, tha agjencia përmes një deklarate.
Aty po ashtu thuhet se kanë gjetur “një pako që ishte dërguar te ish-zonja e parë, Hillary Clinton në Uestçester, Nju Jork”.
Clinton është e martuar me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton.
“Në mëngjesin e sotëm, një pako e dytë është dërguar në shtëpinë e ish-presidentit Barack Obama dhe është kapur nga personeli i shërbimeve sekrete në Uashington”, thuhet në njoftim.
Pakot e dyshimta janë “identifikuar menjëherë”, pas skanimit të dërgesave dhe thuhet se janë “me gjasë janë pajisje shpërthyese”. Megjithatë, pakot e dyshimta asnjëherë nuk kanë arritur në destinacionin e caktuar, pasi shërbimi sekret ka arritur që t’i identifikojnë me kohë, ka njoftuar shërbimi sekret.
Lidhur me këtë rast ka nisur hetim.
Më 23 tetor, autoritetet amerikane kanë shkatërruar një pajisje shpërthyese të gjetur në kutinë postare të Sorosit në shtëpinë e tij në Nju Jork. Pakoja ishte zbuluar më 22 tetor nga një person që punon për Sorosin.