Nga Sami Metalija – Tiranë
Sot u nda nga jeta axha jonë i dashur Mustaf Sali Elezi (Metalija).
Me ndarjen e tij fizike nga kjo jetë shuhet brezi i fëmijëve të Sali Jah Metalija (Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar për ne e të njohurit e shumtë ) .
Jeta e lalës Mustaf i përngjet një vullkani që me forcën e shkëlqimin e tij të bënë të mendohesh e të krenohesh njëkohësisht.
Karakteri i tij i paepur , trimëria, drejtësia, burrëria, mençuria, krenarria e mbi të gjitha Atdhedashuria ishin virtyte që lalen Mustaf e udhëhoqën gjatë gjithë jetës së tij të vrullshme.
Fjala ishte arma më e çmuar e tij. Ajo ishte e veçantë, e mençur, e drejtpërdrejtë, e rrjedhëshme, i ngjante gurgullimës e vrullit të Valbonës, buzë së cilës ai u rritë e u edukue me dashurinë për Dragobinë e për vendin e tij.
Fjala e tij ka peshën e randësisë të bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës.
I respektuar nga gjithë Diaspora atdhetare, që me trimëri e krenari luftoi me të gjitha mënyrat që kishin në dispozicjon rregjimin gjakatar Enverjan.
Ai vuante që ishte i detyruar të jetonte larg vendlindjes së tij, larg Atdheut të cilën e donte me gjithë shpirtë:
Natën të shoh n’ andërr ,
ditën të kujtoi.
Atdheu im i dashur ,
shumë të deshëroi…
Dhe Mustafa betohet:
Mëmëdhe i dashur,
fjalën po t’a jap
Kur t’fitoj liria,
Do të kthehem prap
E Mustafa e mbajti betimin. Lala Mustaf që nga 1991 çdo vit erdhi dhe jetoj në Shqipëri mes farefisit, shkoi në vendlindjen e tij në Dragobi, u flladit në ujët kristal të Valbonës, çmallej, hidhte vështrimin drejt bjeshkëve të bukura që rrethojnë Dragobinë, e sytë e tij merrnin një ngjyrim vezullues .
Vdekja e axhës tonë të dashur Mustaf Sali Elezi (Metalija) ashtë një humbje e madhe jo vetëm për farefisin e Jahelezëve, por për gjithë shoqërinë.
Lala Mustaf me jetën e veprën e tij u ba i pavdekshëm, i ngriti vetes një fron të artë.Jeta dhe vepra e tij e bëri të paharrueshëm.Lala Mustaf do të jetë gjithmonë mes nesh. Ai u bë i pavdekshëm.
Lala Mustaf e kreu detyrën e tij fisnike kundrejt Atdheut tij të dashur. Tani i takon Atdheut tij të mos i harrojë Mustafën me shokë. Pa njerëz s’ka ngjarje.
I lehtë qoftë pesha e dheut mbi trupin e tij!
Kujtimi dhe vepra e lalës Mustaf do të jetë i pavdekshëm.
Lamtumirë, Lala Mustaf…!
1 tetor 2018