Donald Trump prej kohësh e ka quajtur NAFTA-n “marrëveshja tregtare më e keqe e arritur ndonjëherë”. Të hënën ai ndërmori hapin, për të hequr dorë prej saj.
“E kam për nder të njoftoj se kemi përfunduar me sukses negociatat për një marrëveshje, e cila i jep fund NAFTA-s dhe marrëveshjeve të saj tregtare, duke e zëvendësuar atë me një marrëveshje të re, të besueshme SHBA-Meksikë-Kanada, të quajtur USMCA,” – tha Presidenti.
Trump këmbënguli se marrëveshja e re nuk është thjesht një ripunim i NAFTA-s. Por sipas analistit Joshua Meltzer, ajo nuk është një përmbysje e plotë e saj.
“Nuk do të thoja që është një marrëveshje shumë e ndryshme. Do ta quaja një marrëveshje mbi 20-vjeçare të përmirësuar, e cila duhej rinovuar,”– tha analisti.
Meltzer thotë se negociatat u bënë më të lehta pjesërisht, ngaqë shumë prej marrëveshjeve ishin arritur gjatë negociatave për Partneritetin e Trans-Paqësorit, një marrëveshje për tregtinë e lirë, të cilën Trump gjithashtu e kishte hedhur poshtë.
Marrëveshja e re u siguron blegtorëve amerikanë një qasje më të mirë në tregun kanadez, një kërkesë kryesore kjo e zotit Trump.
Marrëveshja po ashtu kërkon që 75 për qind e pjesëve të ndërrimit të makinave të prodhohen në Amerikën Veriore. Ajo po ashtu ngre pagën minimale për punëtorët e kësaj industrie.
“Sigurisht, që shohim një shtim të protektonizimit në disa fusha, sidomos në industrinë e makinave. Por para së gjithash, kjo është një marrëveshje e përmirësuar, gjithëpërfshirëse dhe shumë e mirë për integrimin e ekonomive të të tre vendeve,”– thotë analisti Meltzer.
Ndoshta ky është një lajm i mirë për mbështetësit e tregtisë së lirë, të shqetësuar për qëndrimin e zotit Trump ndaj tregtisë. Në Shtetet e Bashkuara tregu i aksioneve shënoi rritje pas njoftimit të marrëveshjes.
Presidenti Trump tha se ai do ta nënshkruajë paktin e ri nga fundi i nëntorit. Por marrëveshja hyn në fuqi vetëm pasi ligjvënësit në të tre vendet ta miratojnë atë.