Maqedonia pas referendumit për emrin

Nga Isak Ramadani- Maqedoni

Mosarritja e pragut të nevojshëm prej pesëdhjetë përqind të daljes së votuesve në referendumin për ndryshimn e emrit të Maqedonisë ka nxitur reagime të ndryshme në këtë vend.Qeveria nuk e quan dështim, sepse referendumi kishte karakter këshilldhënës dhe jo detyrues. Kështu që, tani i takon parlamentit të merret me ndryshimet kushtetuese për miratimin e marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut. Edhe komuniteti ndërkombëtar e pret të njejtën gjë. Ndërkaq, vëzhguesit ndërkombëtarë e cilësuan referendumin si një proces të qetë dhe të menaxhuar në mënyrë të paanshme.

Referendumi i djeshëm për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë shfaqi një shifër jashtëzakonisht të madhe të atyre që votuan pro, mbi 600 mijë votues ose pak më shumë se 91 përqind të atyre hodhën votën. Por kjo nuk mjaftoi pasi nuk u arrit pjesmarrja e nevojshme prej 50 përqindëshit nga një milion e tetëqind mijë votuesit e regjistruar.

Kryeministri Zoran Zaev synon që çështja e emrit të kalojë në parlament përmes ndryshimeve kushtetuese, por për këtë nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve, të cilat shumica parlamentare nuk i ka. Nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë kryeministri maqedonas, tha se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, në fund të muajit nëntor.

“Maqedonia evropiane fitoi më shumë vota pro se çdo fitues i zgjedhje parlamentare në historinë e Maqedonisë së pavarur”, tha zoti Zaev.

Kryeministri tha se “marrëveshje më të mirë me Greqinë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Anëtarësimi në NATO dhe në Bashkim Evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë alternativë”, theksoi ai para përkrahësve dhe një numri të madh gazetarësh nga vende të rajonit dhe më gjerë.

Por, partneri qeveritar Bashkimi Demokratik për Integrim në këtë fazë nuk duket i interesuar për zgjedhje të reja. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha mbrëmë se deputetët janë të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, e të guximshme dhe jo për të kalkuluar për zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin e ardhshëm. Ai tha se qytetarët e vendit “ia deleguan vendim-marrjen Parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe demokratike”.

Ndërkaq, kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski duke folur në një konferencë për media, mossuksesin e referendumit e quajti “një humbje të madhe për kryeminstrin Zaev dhe qeverinë e tij”, ndërkohë që e porositi kryeministrin maqedonas të largohet nga posti dhe të shkojë, siç u shpreh, “në pension afatgjatë”.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në referendum morën pjesë 37 përqind e votuesve dhe prej tyre mbi 91 përqind kanë votuar në favor të ndryshimit të emrit.

Procesin e votimit e ndoqën 200 vëzhgues të misionit ODIHR, disa qindra përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe rreth 12 mijë vëzhgues vendas.

Shefi i misionit ODIHR Jan Petersen vërejti se “liritë themelore u respektuan në referendumin e realizuar në mënyrë tw paanshme, përkundër disa zbrazëtirave në kornizën ligjore”.

Vëzhguesit thonë se regjistri zgjedhor duhet rishikuar. Ambasadori Petersen thotë se megjithatë gjatë takimeve me zyrtarët e lartë të Maqedonisë nuk është ngritur si çështje numri i dyshuar, i lartë i votuesve.

Shtefan Shenah, shef i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit te Evropës thotë se ka ndjerë mosbesim lidhur me listën e votuesve.

“Tani kemi mjaft kohë dhe shpresoj që autoritetet do ta qartësojnë dhe do të punojnë në listën e votuesve, sepse edhe njerëzit në rrugë shprehin mosbesim për regjistrin zgedhor”, u shpreh zoti Shenah.

Komuniteti ndërkombëtar e ka përshëndetur procesin e qetë dhe vullnetin e votuesve në Maqedoni.

Shefja e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn në një deklaratë të përbashkët theksojnë se shumica e atyre të cilët votuan, i thanë PO marrëveshjes së Prespës dhe të ardhmes së tyre evropiane.

Tani parlamenti do të thërritet të vazhdojë hapat e mëtejshëm për zbatimin e marrëveshjes me vendimin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, thuhet në komunikatën e zyrtarëve të lartë evropianë.

Ambasadori amerikan Jess Baily përsëriti qëndrimin e Shteteve t Bashkuara që kishin përshëndetur rrjedhën e referendumit.

“Tani hapi i ardhshëm i zbatimit t marrëveshjes së Prespës është që ajo të kalohet në parlament, ndërsa nënvizoi shpresat që drejtuesit politikë dhe ligjvënësit t’i lënë mënjanë dallimet partiake dhe të pëqendrohen tek intersat më të gjera të këtij vendi. Ta zënë këtë moment historik që mund t’i sigurojë të ardhmen Maqedonisë brenda familjes së institucioneve perëndimorë”, tha zoti Baily.