Muharrem Blakaj, lindi më 6 janar 1959 në fshatin Vrellë, komuna e Istogut. Është shkrimtar shqiptar dhe ish disident i regjimit jugosllav.
Jetëshkrimi
Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, e përfundoi në Istog. Po atë vit e regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe.
Për herë të parë burgoset më 14 dhjetor 1979. Në vitin 1986, ia arrestojnë vëllain Xhemajlin, të cilin, me tortura çnjerëzori e mbysin në burgun hetues të Pejës. Më 5 shkurt 1987 pason arrestimi i Muharremit.
Gjatë bastisjeve në shtëpinë e tij, policia ia merr dorëshkrimin e tregimeve të përgatitur për shtyp „Monolog i një komiti“, si dhe dy novela; „Balta me gjak“ dhe „Besa“, të cilat nuk ia kthejnë asnjëherë.
Në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshoj Kosovën dhe të kërkoj strehim politik në Zvicër.
Ai deri më tani ka botuar kudo në shtypin shqiptarë qoftë në diasporë apo në Kosovë, tregimet dhe fragmente nga romanet e tij. Muharrem Blakaj, bashkë me familjen e tij jeton në Zvicër.
Veprat letrare:
- „Misioni sekret“, roman, Shtëpia Botuese „Rozafa“, Prishtinë 2004.
- „Thesaret e humbura“, roman, SHKSH „Mëmëdheu“, CH – St. Gallen 2005.
- „Atentat brenda germës L“, roman, SHKSH „Mëmëdheu“, CH – St. Gallen 2007.
- „Paraardhësit“, roman, „KOMBI“ (IKDFK), Prishtinë 2009.
- „Rrugëtim Fatal“, monografi, Shtëpia Botuese „Dukagjini“ Pejë 2012
- „ Paraardhësit“, roman, botim i dytë (me ndërhyrje nga autori), Shtëpia Botuese „Rozafa“, Prishtinë 2018
- „Nana Kadë“, skenar filmi dokumentar, realizuar nga „GALEGE Produktion“, Pejë 2018
Më 10 mars 2018, në sallën e Institutit Albanologjik ishte caktuar data e promovimit të romanit “Paraardhësit” botim i dytë dhe shfaqja e filmit dokumentar “Nana Kadë”. Interesimi për këto promovime ishte i madh. Salla ishte e stërmbushur me dashamirë të librit dhe artit.
Më 12 mars, nën përkujdesjen e Komunës së Istogut, u organizua promovimi në sallën e Kuvendit Komunal në Istog. Pjesëmarrja ishte e shumtë.
Më 13 mars, një promovim madhështor e organizoj edhe komuna e Pejës ku interesimi ishte i madh.
Autori mori ftesë për pjesëmarrje në emisionin e mëngjesit në televizionin Koha në Tetovë dhe një ditë më vonë në televizionin Llapi në Podujevë. Këto promovime kulturore gjatë gjithë kohës i përcollën mediat e shkruara e në mënyrë të veçantë gazeta ditore “Epoka e re”.