“Perandoria bunker” edhe kundër Nikaj-Mërturit

Nga Isuf Çelaj – deputet i Tropojës

Të nderuar miq!

Më poshtë, fjala ime e mbajtur sot në përkujtim të 72 vjetorit të masakrës së rregjimit të eger komunist, të 29 shtatorit të vitit 1946 në Nikaj-Mërtur si dhe të përurimit të monumetit me pllakën simbol në vendin e kësaj masakre.

Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar të gjithë ju miq, shokë, vëllezër e motra nikaj –mërturas,
Të nderuar të afërm të martirëve të demokracisë Fetë Sadik Gjoli dhe Ukë Çuni,
I nderuar Kryetar i Bashkisë, Besnik Dusha,
I nderuar Kryetar i Shoqatës Nikaj-Mertur doktor Mehill Gecaj,
I nderuar Kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Antikomunistë të Shqiperisë z.Nebil Çika,
I nderuar Administrator i Njësisë Nikaj-Mërtur z.Gjovalin Gjeloshi
Të nderuar të ftuar pjesëmarrës në këtë cermoni përkujtimore,
Jemi mbledhur sot të përkujtojmë 72 vjetorin e masakrës së rregjimit të egër komunist të 29 shtatorit të vitit 1946 në Nikaj-Mërtur dhe njëherazi të përurojmë monumetin me pllakën simbol në vendin ku rregjimi komunist kreu terror e masakër nga më të egrat mbi popullin fisnik të kësaj krahine legjendare.
Asnjë rregjim nuk ka goditur më egersisht vlerat fisnike të shqiptarëve, sesa rregjimi i egër i Enver Hoxhës. Ai dhe rregjimi i tij e dinin shumë mirë se nga kush mund të rrezikohej pushteti dhe “perondoria bunker” më eger e shqiptarit kundër shqiptarit që ata ndërtuan.
U goditën familjet e mëdha e me emer në të gjithë Shqipërinë, u pushkatuan, internuan, persekutuan familjet dhe burrat më trima dhe të shkolluar që kishte Shqipëria, u goditë ajka e krenarisë dhe fisnikërisë shqiptare, e në gjithë këtë maskër të ndërmarë nga rregjimi komunist nuk kishte si ti shpëtonte as krahina trime e fisnike e Nikaj Mërturit. Kjo krahinë me vlera të rralla njerëzore, kulturore dhe trimërie ka qenë ndër shekuj një barrikadë e fortë ndaj cilitëdo që ka tentuar të cënojë sadopak “shqiptarinë tipike, të bukur, kryelartë dhe fisnike” të gjendur brenda çdo banori të kësaj zone. Nuk ia dolën dot turqit, nuk ia dolën as serbët, nuk ia doli siç i themi ne, as kralji e as mbreti dhe as rregjimi i egër dhe mizor komunist i Enver Hoxhës.
Diktatori na detyroi të mohojmë zotin, sepse dëshironte që zoti të ishte ai, na detyroi të dorëzojmë pronat, çdo gjë, tentoi që shqiptarët të dorëzojmë edhe dinjitetin tek ai dhe partia e tij, pra siç themi ne malësorët, u mundua të mos na lër yndyrë si njerëz. Goditi me dinakëri, ligësi dhe pabesi në gjërat më të shenjta tonat.
E tillë ishte edhe dita e 29 shtatorit të 1946, një ditë feste për Nikaj Mërturin, festa e Shën Mëhillit, e shënjtorëve të zotit. Duhej të ishte festë, gëzim, me këngë të bukura siç vetem kjo zonë di ti thur dhe ti këndojë, me lutje për zotin, por që rregjimi komunist e ktheu me djallëzi në një kasaphanë, në një terror për këtë zonë, në një terror që donte të thoshte, tash nuk ka zot, nuk ka lutje as adhurim për të, tash është vetëm një zot, Enver Hoxha!
Është shumë emocionuese dhe drithëruese në të njëjten kohë, të flasësh për atë ditë, si sot e 72 vite më parë, për dy martirët e demokracisë të pushkatuar pa gjyq, për ata burra nikaj – mërturas, dëshmitarë, prezent në atë kasaphanë, të prerë në besë, të gjallë, por të vrarë thellë në shpirt, në sedër, në fe, në zot.
Historianët e njohur Zef Doda dhe Dod Progni në librin e tyre “Nikaj – Mërturi” do të shkruanin: “Urrejtjen e tij ndaj komunizmit Fetë Sadiku e pagoi në mënyrën më tragjike, por edhe më madhështore. Ai ishte heroi që luajti në një skenë reale, ku pati mbi 2000 spektatorë të gjithë me kapuçë të bardhë si bora, që e duartrokitën dhe e vajtuan në heshtje.”
Ne si shqiptarë, si popull i Malësisë së Gjakovës, duhet ta kemi të freskët memorien historike dhe jam i bindur se e kemi, ashtu sikundër kemi bujarinë, mirënjohjen dhe virtyte të tjera tipike shqiptare. Qendresa, trimëria dhe gjaku i martirëve dhe burrave si Fetë Sadiku dhe Ukë Çuni e sa e sa bijëve e burrave të kësaj krahine legjendare duhet të jetë frymëzim për ne, në mënyrë që të ecim përpara, të nxjerrim në pah vlerat tona më të mira. Është fakt, që nga kjo tokë e Nikaj Mërturit kanë dalë shumë djem e vajza të sukseshëm në fusha të ndryshme, të cilët na kanë bërë të ndihemi krenar me punën dhe arritjet e tyre.
Sot shqiptarët këtej e matanë kufirit, po përballen me momente delikate dhe në momente të tilla të gjithë ne, si pasardhës dhe bashkëpatriot të Mic Sokolit, Bajram Currit, të martirëve antikomunist të krahinës së Nikaj-Merturit, të dëshmorit Tahir Sinani dhe heroit të demokracisë Azem Hajdari, duhet të frymëzohemi në mënyrë që të kontribuojmë në maksimum dhe të japim më të mirën për Shqipërinë dhe shqiptarinë. Dhe ajo më kryesorja të mos harrojmë të shkuarën dhe kalvarin e dhimbshëm që rregjimi komunist ushtroi mbi popullin e Malesisë Gjakovës, t`jua tregojmë brezave të rinj historinë reale të kësaj periudhe, në mënyre që kjo histori e errët, kjo gjëmë, kurrë mos të përsëritet!

Lavdi përjetë Martirëve të Nikaj-Merturit dhe gjithë Malesisë së Gjakovës!

___________________

Fjala  e mbajtur sot në përkujtim të 72 vjetorit të masakrës së rregjimit të eger komunist, të 29 shtatorit të vitit 1946 në Nikaj-Mërtur si dhe të përurimit të monumetit me pllakën simbol në vendin e kësaj masakre.