Vala me Bregun

Nga Rexhep Shahu

Një mizë rriskon në buzët e gotës time plot deshpërim
ca të tjera bredhin në xhamin e pistë të dritares së botës,
duke vizatuar me këmbët e tyre të llomta përhumbjen time.
Jashtë, dikujt s’i ndez makina, kërkon t’ia shtyjnë,
ca të tjera rrëshqasin fodulle me shpejtësi.
Nga streha pikojnë rrallë ca pika të vjetra shiu,
mbi kujtimet e mia godasin pa mëshirë.
Një qen i rjepur bën shurrën dhe rrëmon pa fat në plehra,
Një burrë ecën përkulur në breg të detit,
kujtoj se ai po kërkon perla dhe e admirova.
Një re e bardhë e vetmuar shpërbëhet ngadalë mbi det,
më duket po heq rrobat për t’u larë në diell.
Portreti yt më shfaqet në bebëzat e syve që fryhen,
Ca fëmijë rendin me qenin e lodhur të luajnë,
Më tej deti i paqetë më flet me fjalët e gjestet e tua.
Unë e vështroj ngultas përmes fytyrës tënde
këtë pikturë të kësaj të shtune buzë detit,
ku vala si ti luan pambarimisht me bregun…