Receta e ditës/ Fileto pule deti me salcë

Për 4-6 persona nevojiten:

750 gr kimë pulë deti
1 bukë e vogël
2 vezë
2 qepë të thata të grira hollë
1 tufëz majdanoz e prerë hollë
1 lugë gjelle mustardë
1 lugë kafeje rigon
2 lugë gjelle vaj luledielli
kripë e piper

Për salcën shoqëruese:

½ filxhan çaji kos i kulluar
½ filxhan çaji majonezë
1 lugë gjelle mustardë pikante
lëngu dhe lëkura e grirë e 1 limoni
1 degë seleni e prerë hollë
kripë e piper

 

Përgatitja:

Njomim bukën në ujë dhe e shtrydhim mirë. E copëtojmë në një tas dhe shtojmë kimën, qepën, majdanozin, vezët, mustardën, rigonin, vajin, kripën e piperin. E mbrujmë mirë masën. Nëse është shumë e ngjeshur, shtojmë pak vaj ose qumësht, ndërsa nëse është tejet e butë, i shtojmë pak galetë të bluar.

Pasi ta kemi mbrujtur, e lëmë kimën në frigorifer për rreth 1 orë. Në vazhdim, e nxjerrim nga frigoriferi dhe formojmë fileto në formë të rrumbullakët, duke i shtypur pak me dorë sipër. I pjekim në skarë ose në furrë.

Pasi filetot të jenë gati, përgatisim salcën shoqëruese. Hedhim të gjitha lëndët në mikser dhe i rrahim derisa të dalë një masë homogjene dhe i servirim filetot me salcën e përgatitur.