Nga Roland Bejko – Gjirokaster
Po e them që në krye të herës se kur u mora me organizimin dhe nxitjen e rebelimit të studentëve në dhjetor-shkurt ’90-’91 në universitetin e Gjirokastrës së bashku me një grup studentësh dhe pedagogësh kryesisht të rinj, kundër diktaturës komuniste, më kujtohet se as unë dhe askush nga kolegët e afërt studentë a pedagogë nuk ishte BIR a BIJË e ndonjë ATI me pushtet të fortë në hierarkinë komuniste. Fëmijët e tyre na qëndruan larg. Ndonjë që guxoi të na bashkohej në dhjetor, në shkurt se pamë më sepse “ATI” e largoi menjëherë prej nesh.
Madie gjatë shkurtit 91 kur në Tiranë studentët ishin ngujuar në grevë urie dhe ne në Gjirokastër tuboheshim gjatë gjithë ditës në auditor, befas na u shfaqën aty “bijtë” që “etërit” e nomeklaturës lokale i kishin kthyer nga Tirana te mamat në shtëpitë e tyre me urdhër të Partisë e të “shokut” Ramiz Alia.
Natyrisht,nuk mar përsipër të flas për situatën si ishte në Tiranë, se nuk e njof.
Por, shumica jonë vinim nga familje populli, dhe jo pak edhe me origjinë “të deklasuar” e më të mëdhenj në moshë për shkak se regjimi kish filluar të toleronte disi nga kjo shtresë pas ngordhjes së diktatorit.
Dhe Dr. Berisha besoj se e di mirë këtë.
Po atëherë, përse tha që “revolucioni i atyre ishte rebelim i bijëve kundër etërve”… ” dhe “nuk ishte një revolucion i të deklasuarve…?!
Pse tani 27 vjet pas asaj kohe?!
Për ta mirëkuptuar arsyen e vërtetë të lëshimit të kësaj deklarate do të ishte mirë që mesazhi të lexohej në kontekstin e realpolitikës shqiptare, duke mbajtur parasysh faktet në të cilat ndodhet PD dhe Shqipëria që po zbrazet nga populli i saj, e cila, ajo pra që e braktis atë, është në shumicë votuese e së djathtës të cilëve qeveria e Ramës i ka mbyllur hapësirat jetike.
Edhe pas paraqitjes brilante të Berishës në Opinion, te tv Klan, ku tha se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, dhe klika duhet përmbysur me revolucion demokratik të popullit, për mirë a për keq, shumica e portaleve dhe komentuesve u fokusuan te raporti sasior i dominimit absolut në audiencë i Dr. Berishës që ishte rreth 3 herë më shumë se ajo e Edi Ramës që te Top Channel dhe jo në brendinë e ligjërimit të tij.
Të paktë ishin ata që u morën me shpjegimin e përmbajtjes së mesazheve të koduara të lëshuara me inteligjencë nga Sali Berisha si në Opinion, ashtu edhe te përvjetori i Azem Hajdarit.
Në këtë rast mer vlerë ajo fraza që përdoret rëndom në disa raste, ” po dale more se nuk ishte ashtu siç duket”.
Në fakt më shumë se sa ti shpjegohet përmbajtja e tyre publikut, është e nevojshme që çkodimi i mesazheve të bëhet dhe të lexohet brenda PD nga kushdo që ka një rol drejtues në të gjitha nivelet.
Mendoj se një lexim të drejtë duhet të bëjnë edhe partitë apo organizatat e tjera politike pranë PD, por edhe ndërkombëtarët. ( Këta në PD mund ti gjejnë të dy profilet, edhe radikalin, z. Berisha, edhe të moderuarin, z. Basha. Pra njëra dorë lan tjetrën,të dyja lajnë fytyrën)
Leximi i drejtë, i arsyeshëm, racional, dhe mirëkuptues do ta ndihmonte shumë kualicionin e djathtë që të siguronte një kohezion të brendshëm të qëndrueshëm.
Me sa kuptohet Z. Berisha vazhdon të besojë se që PD të fitojë zgjedhjet duhet të dalë para shqiptarëve si një PARTI POPULLORE ku shumica e qytetarëve të gjejë të mishëruara në programin e saj qeverisës interesat e veta.
Kryetari i PD z. Basha prej kohësh gjendet nën presion ku:
Antikomunistët i kërkojnë që ata të jenë shtylla që PD duhet të mbështetet.
Pronarët e shpronësuar nga komunizmi dhe të zhgënjyer nga “demokracia” mendojnë se PD duhet të mbështetet tek ata duke ndryshuar edhe programin.
Ish të përndjekurit mendojnë se PD me votat dhe mbështetjen e tyre mund të vijë në pushtet.
Konservatorët mendojnë se ajo është e vetmja ideologji që PD duhet të përkrahë.
Liberalët janë të shqetësuar për tregun dhe paranë.
Të gjitha këto kur statistikat na thonë se shqiptarët janë të majtë në shumicën e tyre edhe pse e kanë votuar masivisht PD në vitin 1992.
Dhe më pas PD i ka fituar zgjedhjet parlamentare për shkak të sistemit dhe jo se ka marrë më shumë vota se e majta.(2005, 2009)
A ka të drejtë Dr.Berisha kur na bën të nënkuptojmë se PD duhet të jetë një parti popullore pa një ideologji të vetme?
Secili është i lirë ta gjykojë dhe të mendojë si të dojë, por unë do sugjeroja që leximi dhe gjykimi të bëhej i ftohtë duke parë përtej majës së hundës dhe interesave tona.
Brenda një partie popullure evropiane psh, te Republikanët francezë bashkëjetojnë golistët, social-kristianët, social-liberalët, neoliberalët, konservatorët, etj. Lideri i PR franceze është i ri dhe e ka të vështirë të krijojë një profil, një idenditet atraktiv të partisë. PR franceze është e dobët tani, është në opozitë, sepse segmentet ideologjikë të saj janë përfshirë në beteja të zjarrta për dominim, Ajo ishte në pushtet (UMP) kur Sarkozi apo më parë edhe Shirak kishin siguruar një farë kohezioni të brendshëm të qëndrueshëm midis palëve duke dalë para zgjedhësve me profilin e një partie popullore të qendrës së djathtë.
Pra, më shumë se për të pohuar një fakt historik me deklaratat e ditëve të fundit z. Berisha lëshoi mesazhet se PD duhet të përafrohet në aksionin e saj politik me pritshmëritë dhe gutin e shumicës së elektoratit që ka mbetur në Shqipëri i cili për hir të së vërtetës, duhet pranuar, se më shumë se antikomunist, ballist, zogist, i persekutuar, ish pronar, demokrat, konservator, liberal etj, pra më shumë se idealist, është pragmatist.
Cila është ideologjia psh e kësaj gjeneratës së re të tekologjisë dixhitale që eret dhe gdhihet me smartphon nën jastëkun që fle?!
Ps.Besoj se keqkuptimi lindi se ne shprehjen “bijtë e etërve” e përdorom zakonisht për pasardhësit e nomeklaturës së lartë komuniste, rrethi i parë dhe rrethi i dytë i Bllokut komunist.