Çmimi “Myfti Vehbi Dibra”

Nga Abdulla Mehmeti – Maqedoni

Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë me rastin e Vitit të Ri Hixhri 2018/1440, mbrëmë, më 10 shtator 2018, organizoi Akademi solemne, e cila u mbajt në Filarmoninë e Maqedonisë, në Shkup.

Përveç veprimtarive të tjera, me rastin e kësaj feste nga viti 2013 BFI ndan edhe çmimin “Myfti Vehbi Dibra”*, me të cilin nderohen personalitete të dalluar, për vepër jetësore dhe kontribut të veçantë për shoqërinë dhe njerëzimin.

Këtë vit, nga personalitetet publike ky nder më takoi mua, me motivacion për kontribut në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës, si nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës dhe mbrojës i të drejtës për arsimim të lartë në gjuhën amtare.

Me këtë rast, e falënderoj Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoni dhe kryetarin e saj, Reis ul Ulema Haxhi Sulejman efendi Rexhepin, që me këtë çmim më nderuan mua dhe të gjithë ata që kontribun për hapjen e Universitetit të Tetovës dhe institucioneve të tjera të larta për arsimim në gjuhën shqipe në Maqedoni.

(11 shtator 2018)

* Vehbi Agolli, i njohur edhe si Vehbi Dibra (Dibër, 12 mars 1867 – Tiranë, 24 mars 1937) ishte myfti, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, Kryetari i parë i Pleqësisë së Shqipërisë, Kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ndër komentatorët më të mirë të Kuranit në gjuhën shqipe dhe intelektual i shquar shqiptar. Në Kuvendin e Vlorës u shpreh për njësimin kombëtar se: “myslimanët dhe të krishterët janë vëllezër shqiptarë të pandarë”; në frymën e të cilit lëshoi edhe fetvanë për pranueshmërinë e flamurit të Kastriotëve si flamur kombëtar.